Genc Fuga: Në Shqipëri aktorët paguhen më pak se një llaçaxhi

Genc Fuga ka dhënë një intervistë për gazetaren Entela Resuli të Dita-s.

Përveç projektit për Teatrin e ri, që thotë se duhet bërë, por është skeptic për projektin aktual, Fuga flet edhe për gjendjen e aktorit në Shqipëri, që është mizerabël.

Nëse bëjmë një llogari të thjesht me laps e letër dhe shkruajmë aty shumën që marrim për një rol kryesor dhe që “të del xhani”, me thënë të drejtën, ti ke një çmim të caktuar dhe po ju them me bindje se, në rast se këtë çmim e ndan në katër muaj punë, ne na del ora e punës më e lirë se sa ai përzierësi i llaçit, që tregun e tij e ka te “Partizani i Panjohur”. Një aktor në Shqipëri paguhet shumë më pak se sa një punëtor krahu”, thotë ai.

Po pse ndodh kjo?

Për shumë arsye, por edhe sepse pas viteve ‘90 ne na ka ikur “prime time”, që do të thotë në televizion, pas edicionit të lajmeve të mbrëmjes, në orën 7 e 30, 8 e 30, këtë orar ku njerëzit qëndrojnë përpara ekranit e ka marr politika dhe emisionet për të.

-Ke menduar ndonjëherë të largohesh nga ky vend?

Unë kam përfunduar studimet pasuniversitare në Londër dhe u ktheva. E di që jetesa këtu mund të jetë me kosto për vajzat e mia, por egoja për të qenë pjesë e skenës është më e fortë. Disa më thonë: kokëderr, por… unë kam vendosur të qëndroj këtu.

-Ke debat me bashkëshorten për këtë?

Jo, kemi gjetur një unison të përbashkët. Jemi të dy shumë egoistë për atë çka është e jona. Për Tiranën që është qyteti ynë, për klubin e lagjes, për komshiun, që përmblidhet me një dashuri për këtë vend. Sigurisht që dashuria mbledh brenda edhe shumë budallallëqe, shumë hatërmbetje, siç është dashuria në vetvete, por në fund fare mbetet një dashuri.

-Keni qenë aktiv për sa i përket çështjes së teatrit?

Patjetër! Sigurisht, në jetë jam munduar të bëj edhe profesione të tjera, por nuk kam qene i plotësuar! Duke qene edhe pedagog në UA dhe njëkohësisht aktiv në skenën e teatrit, mund të them që gjysmën e ditës e kaloj me studentët e gjysmën me “profesionistët”. Të dy grupimet ushtrojnë “presionin” e tyre mbi mua. Gjendur në këtë situatë jam i prirur të shoh jo vetëm gjendjen aktuale, por të mendoj shumë edhe për të ardhmen, apo Strategjinë Kombëtare të Artit Skenik, që të mund të përballemi me sukses me të ardhmen!

Besoj në misionin e teatrit, dhe domosdoshmërinë që kemi si shoqëri për të. Si shoqëri, jemi si ai i sëmuri, që ndjen se vuan, dhe nuk e kupton. Në këtë rast moskuptimi, ne si shoqëri nuk kemi shans të “shërohemi”. Na duhet ajo “pasqyra e shpirtit” për t’u kuruar. Historia e kombeve të tjerë të zhvilluar e ka treguar këtë. Duhet të bëhen hapa gjigant si në anën e ligjit ashtu edhe ne forcimin e shtimin e institucioneve të artit në Shqipëri! Kam, dhe mbroj, mendimin tim mbi këtë strukturë që na mungon! Po ta mendojmë “hollë– hollë”: shtetit i duhet “qytetari” dhe Teatri është e vetmja “fabrikë” që e prodhon!

SHKARKO APP