Gentjana Gjergji sjell “Zemër shqiptare”, një këngë me mesazh të fuqishëm

“Zemër shqiptare”, kështu ka preferuar ta titullojë këngën e saj më të re, këngëtarja Gentjana Gjergji. Një këngë kjo, e cila nisur që nga titulli rrok në vetvete elementë patriotikë. Figurat e shquara të historisë sonë, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Ismail Qemali, Nënë Tereza, Adem Jashari, etj.. do të jenë kryefjalë e këngës. Këtë na e thotë edhe vetë këngëtarja shkodrane, e cila për “Koha Jonë” shprehet se, “Jemi kujdesur që në këngën “Zemer shqiptare” çdo shqiptar të gjejë veten për arsye se brenda saj trajtohet mesazhi i Shqipërisë së madhe. Sikurse unë edhe të gjithe shqiptaret e tjerë jemi nacionalistë për nga natyra e mbi të gjitha shume krenarë për të parët tanë, kështu që këtë herë unë dhe ekipi im i punës vendosëm të sillnim pikërisht këtë temë”, shprehet Gentjana, e cila më tej shton se, “Figura të tilla si ajo e heroit kombëtar, Gjergj Kastriot Skenderbeu e deri tek Nëna e mirë Terezë (tashmë Shen Tereza), Ismail Qemali, Adem Jashari, etj.. janë shembuj ndërkombëtarë e që njihen kudo. Kështu që për faktin se na bejne të ndjehemi krenarë e duke qenë se na rrisin edhe krenarinë e imazhin në sytë e botës vendosëm këtë tekst kënge e cila urojmë të pëlqehet shumë”.

Bukuroshja me sytë e shkruar prej shumë vitesh është e njohur në tregun muzikor, veçanërisht në atë të muzikës popullore dhe si e tillë është një nga emrat më të lakuar në mesin e këngëtarëve që karrierën e tyre e zhvillojnë brenda, por edhe jashtë vendit në Diasporë.

Për të gjithë fansat e Gentjanës, kënga “Zemër shqiptare”, pritet të lançohet ditën e nesërme në Youtube.

/Nga: Albina Gjergji/

SHKARKO APP