Gëzim Kame si festë kombëtare, sjell te Turbina dramën “Terrori”
Nga Agim Xhafka
Më datë 5 tetor, pra të premten e ardhshme në Teatrin “arTurbina” do jepet shfaqja e dramës “TERROR”. Nuk do ishte ngjarje nëse do luanin aktorët e radhës të Teatrit Kombëtar. Por është supërgëzim se kjo premierë ka për regjisor Gëzim Kamen. Siç na ndodh me filmin kur gozhdohemi pas produksioneve të Roman Polanskit, apo pas filmave të arkivës së Felinit, ashtu dhe në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup turremi të shohim krijimet e Gëzim Kames.
Ky artist në prag të moshës së tretë na ka mësuar se “gjella” e tij është cilësore. Me mish kaprolli, me salca pikante dhe erëza plot afroziadikë. Në dhjetra vite ka sjellë drama, komedi, tragjedi e shumë, shumë emocione. Ka gatuar me drama të huaja, me krijues shqiptarë e përherë ka marrë notën dhjetë. Është akademi më vete Gëzimi, është thes plot xhevahirë e me mbresa që artdashësi i ngul në tru e deri sa ikën nga kjo jetë nuk i shkulen. Sa per kujtesë ky regjisor i madh ka sjellë “Shi në plazh”, “Bernarda Alba”, “Fernando Krafti më shkroi një letër”, “Pjata e drunjtë”, “Darka e të marrëve”. Kushdo artist hollivudi do e kishte zili këtë CV.
Dhe ja, të premten zbret në skenë trupa e “Terror”. Një dramë gjermane, shkruar nga Ferdinand Von Schirach, autor i quajtur Shileri i ditëve të sotme. Në 85 shtete eshte dhene kjo shfaqje e mendohet që do të jepet brenda 2019 edhe në 50 të tjera.
Ngjarja është dramatike. Niset një avion nga Berlini për në Mynih. Sa ngrihet drejt kabinës së pilotit sulet një terrorist dhe i këkon pilotit ta përplasë avionin në stadium ku luhej Angli-Gjermani dhe ishin brenda në të 75 mijë tifozë. Piloti lajmëron qendrën e vrojtimit dhe sakaq ngrihen dy aeroplanë luftarakë. I kërkojnë terroristit ta lejojë udhëtimin se ndryshe ata do qëllonin avionin. Por terroristi nuk bindet. Aviatorët luftarakë presin urdhër të bombardojnë avionin që po sulet drejt stadiumit. Ministri i mbrojtjes nuk e lëshon një të tillë se nuk ka ligj ta lejojë. Kur avioni afrohet drejt 75 mijë tifozëve, një pilot i avionëve luftarak qëllon dhe asgjëson avionin me 164 pasagjerë. Stadiumi shpëtoi, piloti shkoi në gjyq. U dënua me burgim të përjetshëm, por gjykata e lartë e ktheu për rigjykim. Sa do dënohet? Këtë e kanë në dorë shikuesit e shfaqjes që do japin mendimin si juri amerikane. Ata do vendosin me sms se cili do jetë verdikti.
Kjo shfaqje kaq dramatike ka nje grup aktorësh për t’u pirë në kupë. Rolin e gjykatësit e ka Viktor Zhusti, prokurore eshte Eva Alikaj, pilot Lulzim Zeqja, avokate Yllka Mujo, etj..
Java tjetër mban në “barkun” e vet një sihariq të madh. Gëzim Kame rivjen në arTurbina me premierën “Terrori”, ngjarje që i sjell gëzim Tiranës. Që zbukuron qytetin dhe i jep dritë e optimizëm. Duroni deri të premten. Një javë kalon shpejt…
/VOX ALBANIAE.COM/