Gëzim Qendro – i vetëpërjashtuari nga bota jonë e ndotur me zhurmë dhe intriga

Nga Ilir Yzeiri

Në mëngjes e mora vesh që vdiq Gëzim Qëndro dhe u trishtova, sepse e kam njohur dhe e kam çmuar. Kur realizova dokumentarin “Instalimi i realizmit socialist dhe Sejfulla Malëshova, i pata marrë një intervistë. U takuam në Universitetin “Polis”, ku ai punonte.

Para se të takoheshim këtu, u takuam në Bibliotekën Kombëtare dhe në atë takim, mbaj mend se kur e ftova që të zbrisnim poshtë në kafe, me humor më tha të marrim me vete dhe tabletat se një shokut tim ia morën. Unë qesha dhe sot m’u kujtua ky episod ndërkohë që Biblioteka Komnbëtare po shuhet.

Edhe ai nuk shkelte më aty. Pastaj takoheshim me raste dhe bisedonim për projektet dhe punët që kishim në duar. E vlerësoja shumë si studiues dhe si estet, sepse ishte nga të paktët që lëvronte kritikën semiologjike në artet pamore.

Gjithmonë mendoja se për t’u ribëre dija e vrarë nga socrealizmi, ne kishim mundësi ta bënim sepse kishim profesionistë si Gëzimi. Mirëpo, ai, si shumë të tjerë të talentuar e të zotë, kishte zgjedhur vetëpërjashtimin nga jeta e zhurmshme e turbofolkut mediatik e politik shqiptar dhe punonte pa bujë e pa zhurmë në Universitetin “Polis”.

Disa herë e pata provokuar dhe i thosha se ai mund të merrte përgjegjësi më të mëdha për fatet e dijes dhe të kulturës, sepse edhe kryeministri aktual e njihte nga afër. Mirëp ai vinte buzën në gaz dhe ndërronte bisedë.

Më kujtohet se e pata takuar edhe në maskaradën që beri Komisioni Parlamentar i Medias i legjislacionit që shkoi kur thërriti 25 intelektualë të shquar ne audicion që të përzgjidhte 5 apo 6 të tillë për në Këshillin Kombëtar të RTSH-së. Gëzimi, megjithëse u paraqit në atë maskaradë, nuk u përzgjodh.

Nga ai çast nuk jemi takuar më. Nuk e dija që vuante nga ajo sëmundje e rëndë.

Por tani po bindem se ai e kishte përjashtuar veten nga kjo zullmhane që jetojmë çdo ditë sepse e kishte kuptuar që më të rëndësishëm ishin librat që ai nxitonte të botonte. Dhe ato janë një pasuri e vyer, Gëzim !

Të qoftë dheu i lehtë, miku im!

SHKARKO APP