Gjergj Marku: Franca, mbështetëse e kandidaturës së Preng Bib Dodës për Guvernator të Libanit në vitin 1883!…

Nga Gjergj Marku

Franca, mbeshtetese e kandidatures se Preng Bib Dodes per Guvernator te Libanit ne vitin 1883!…

Përzgjedhja e Guvernatorit të Libanit më 1883 ka kaluar permes nje “lufte diplomatike”, e cila lidhet qe me në një marrëveshje mes Portës së Lartë dhe Fuqive të Mëdha, që e kushtëzonte caktimin e Guvernatorit.

Ai përzgjidhej nga Sulltani, por emërohej vetëm pasi Fuqitë e Mëdha të jepnin pëlqimin e tyre. Kështu ndodhi edhe më 1883. Se si ka ecur procesi i kësaj përzgjedhjeje mes shqiptarësh, një pamje ndonëse jo të plotë, pasi ajo nuk është nga këndvështrimi osman, e japin burimet diplomatike britanike.
Fjala është edhe për kandidaturen potenciale te Preng Bib Dodën, në atë kohë vetëm 24-vjeçar, por që më pas do të bëhej një figurë e spikatur në historinë e Shqipërisë.

Kandidatura e Preng Bib Dodës

Sekretari britanik Granville më 26 mars 1883 i shkruan vartësit të tij në Paris se “Qeveria e Madhërisë së Saj nuk ka asnjë kandidat të favorizuar për postin e Guvernatorit të Libanit, dhe nuk përjashton asnjë person tjetër të përshtatshëm”. Tre ditë më vonë më 29 mars 1883 nga Parisi, përfaqësuesi britanik njofton se “Ministri i jashtëm francez M. Challemel-Lacour më tha që Sulltani kishte zgjedhur Preng Doden, Princi i Mirditës, për emërimin si Guvernator i Libanit dhe se përzgjedhja ishte bërë personalisht nga vetë Sulltani. Ai më tha se qeveria franceze nuk ka ndërmend të ngrejë asnjë kundërshtim ndaj tij”.
Po atë ditë nga Stambolli në Londër shkon ky telegram: “Preng Bib Doda është kandidat i Portës së Lartë për Guvernator të Libanit. Ai është katolik roman, rreth 24 vjeç dhe është shefi i mirditorëve shqiptarë. Gjatë vitit të kaluar ai është arrestuar dhe mbahet këtu si një i burgosur politik dhe ende konsiderohet si i tillë”.
Dy ditë më pas, më 31 mars 1883, nga Stambolli ambasadori njofton sekretarin Granville. “Kam nderin t’ju informoj se në mbledhjen e mbajtur këtë pasdite mes Përfaqësuesve të Fuqive të Mëdha dhe Arif Pashës, ministri i Punëve të Jashtme, u tha se Preng Bib Doda është propozuar si kandidat për guvernatorin e Libanit. Kandidatura e tij u mbështet nga ambasadori francez. Përfaqësuesit austriakë, gjermanë dhe italianë thanë se ishin të përgatitur për të dhënë pëlqimin e tyre me kusht që kolegët e tyre të tjerë të ishin dakord. Ministri rus dhe unë deklaruam se, në mungesë të udhëzimeve, ne duhet t’u referojmë qeverive tona për qëndrimin që do të mbajmë. Në një bisedë me mua ministri rus, u shpreh në terma të pafavorshëm për kandidatin aktual”.
Edhe britanikët do të jenë shumë shpejt kundër. Më 3 prill 1883, Londra i kërkon ambasadës në Stamboll: “Informoni ministrin për Punë të Jashtme se Qeveria e Madhërisë së Saj është kundër përzgjedhjes së Portës së Lartë për Guvernatorin e Libanit”. Ndërkohë që drejt Parisit shkon telegrami i datës 4 prill 1883 ku thuhet “komunikoni me M. Challemel-Lacour, dhe të deklaroni se sipas informacionit të marrë nga Qeveria e Madhërisë së Saj, Princi është vetëm 24 vjeç dhe nuk mund të caktohet për të qeverisur pasi është absolutisht pa përvojë. Ne mendojmë se nuk do të ishte e lavdërueshme për Francën dhe Anglinë që të mbështesin kandidaturën e tij për një post me aq përgjegjësi”.
Por francezët nuk tërhiqen. Në përgjigje vjen telegrami i 5 prillit 1883 “M. Challemel-Lacour u përgjigj se qeveria franceze ishte plotësisht e bindur pasi e shqyrtoi të gjithë çështjen dhe se ata ishin ndier të detyruar të përkuleshin ndaj vendimit të Sulltanit, dhe se ata tashmë nuk mund të tërhiqnin pranimin e tyre për atë emërim”.
Ndërkohë nga Stambolli ambasadori britanik njofton se “kam takuar dhe biseduar me Preng Bib Dodën, i cili, pavarësisht nga të gjitha konsideratat e tjera, më duket i papershtatshem për postin. Ky mendim është pothuajse i të gjithëve këtu, me përjashtim të ambasadorit francez. Kandidati, besoj, se do të preferonte të kthehej në vendin e tij”. Më 16 prill ambasadori nga Stambolli e njofton sekretarin Granville: “Kam nderin t’ju raportoj se Arif Pasha, me një ftesë të datës 14, ftoi Përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha për t’u takuar përsëri sot për të arritur një marrëveshje për një pasardhës të Rustem Pashës si Guvernator i Libanit, dhe takimi u bë në Portën e Lartë pasdite. Arif Pasha shprehu shpresën se do të gjendej unanimitet për emërimin e princit Preng Bib Doda.
Ambasadori francez përsëri e mbështeti kandidaturën e tij, po ashtu dhe austriakët e gjermanët. Unë vura në dukje të Arif Pashës se Qeveria e Madhërisë së Saj nuk kundërshtonte asnjë kandidat të Portës së Lartë, por që në këtë rast kërkonte të dinte nëse ishte marrë në konsideratë mosha e re dhe mungesa e përvojës dhe njohjes së gjuhës lokale nga Princi Bib Doda. Lartësia e tij deklaroi se ai do ta referonte kërkesën time.
Pas mbarimit të takimit formal, pata një bisedë të shkurtër me Arif Pashën, dhe Lartësia e tij më pyeti nëse unë mund të jepja një përgjigje të favorshme për zgjedhjen e Princit Preng Bib Doda, nëse qeveria e Madhërisë së Saj do të kishte të njëjtin mendim. Unë u përgjigja se unë nuk mund të përgjigjem në emër të Qeverisë së Madhërisë së Saj, por se mendimi im personal ishte se Princi ishte një person i papërshtatshëm për atë post.
Pesë ditë më vonë, më 19 prill, pavarësisht presionit francez, Londra njoftohet nga Stambolli: “Kam nderin t’ju informoi se ambasadori francez kishte kërkuar një takim të tretë, që u mbajt sot në Portën e Lartë, në lidhje me zgjedhjen e Guvernatorit të Libanit. I përcolla përsëri Arif Pashës qëndrimin e Qeverisë së Madhërisë së Saj, dhe ai më tha se duke qenë se ka kundërshtime për Preng Bib Dodën, Porta e Lartë ka vendosur të tërheqë kandidaturën e tij dhe do të sjellë emrin e një personi tjetër për miratim”.

SHKARKO APP