“Gjiganti i fjetur” i Ishiguros, libri i nobelistit që mund ta lexojmë të gjithë

Kur vjen puna për ndarjen çmimeve Nobel, nuk bëhen dot asnjëherë parashikime. Gjithmonë do të dalë një emër që askush nuk e kishte parashikuar, gjithmonë do të jetë ndonjë polemikë… këtë vit polemika është më e fortë se kurrë madje, për shkaqe tërësisht jashtë letërsisë.

Dy vjet të shkuara, kur doli emri i Kazuo Ishiguros, pakkush në Shqipëri kishte dëgjuar për të, edhe pse një roman i tij “Mos më lër të shkoj” kishte ardhur ndërkaq në shqip nga shtëpia botuese “Pegi”, që më pas vijoi me botimin e veprave të tjera të autorit. Tashmë kemi në dorë librin e tretë: “Gjiganti i fjetur”.

Për të gjithë ata që përpara se të marrin në dorë një roman të ri kanë nevojë të dinë nëse bën apo jo për ta, nëse ia vlen ta blejnë e ta lexojmë, i jemi drejtuar përkthyesit të tij, Renato Kalemi. Askush nuk e njeh veprën më mirë sesa ai që e ka sjellë në shqip: njeh të veçantat e stilit, gjërat e vogla që tërheqin lexues të caktuar, momentet që të mbajnë frymën pezull apo dhe mesazhet e fshehta. Në intervistën e mëposhtme Renato ndan disa nga këto ‘sekrete’ bashkë me argumentimin se në këtë rast kemi të bëjmë me një shkrimtar – nobelist që nuk është i përshtatshëm vetëm për lexuesin e specializuar, atë që kërkon letërsi sa më pak të thjeshtë, por për të gjithë ata që duan librat, që duan të lexojnë diçka të mirë dhe të kenë në dorë një libër që do i bëjë të mendojnë gjatë.

– “Gjiganti i fjetur” i Kazuo Ishiguros pritet të jetë një nga pikat e forta të shtëpisë botuese “Pegi” në Panairin e Librit 2019. Çfarë vendi zë ky roman në krijimtarinë e autorit?

“Gjiganti i fjetur” është vepra e fundit e Kazuo Ishiguros, e botuar në vitin 2015. Mendoj se është një nga romanet më të rëndësishme të tij dhe që i solli Nobelin në 2017-ën, që u kurorëzua pas një serie veprash të nderuara me çmime prestigjoze, përfshirë edhe Booker Prize në 1989. Propozimi për ta sjellë në shqip ishte i shtëpisë botuese “Pegi”, e cila para “Gjigantit të fjetur” ka sjellë në gjuhën tonë edhe dy romane të tjerë të shkrimtarit: “Mos më ler të shkoj” dhe “Dita e mbetur”. Jam i lumtur që “Gjiganti i fjetur” përfundoi në duart e mia, sepse u dashurova që në rreshtat e parë me të, ngase është shkruar në frymën e realizmit magjik, me një gjuhë të thjeshtë, thuajse si një përrallë, që përkon ëmbël me rrëfimet fantazmagorike që mund të kemi lexuar kur kemi qenë fëmijë.

– Eshtë krijuar ideja që shkrimtarët që kanë marrë çmimin Nobel nuk mund të lexohen nga të gjithë. Ose nuk kuptohen nga të gjithë. A kërkon vërtet një lexues të specializuar edhe “Gjiganti i fjetur”?

Këtë roman do t’ua sugjeroja të gjithëve. Pavarësisht se Ishiguro është nobelist, gjuha me të cilën ai rrëfen ngjarjet e “Gjigantit të fjetur” është e thjeshtë, në subjektin e tij ka personazhe fantastike të epokës së Mbretit Artur, që ndërveprojnë me njëri-tjetrin si në një përrallë: kemi aty një kalorës të Tavolinës së Rrumbullakët, një luftëtar në kërkim të një dragoi, dy të moshuar që vihen në kërkim të djalit të tyre, të cilin nuk e mbajnë mend, priftërinj tinzarë e dinakë, dhe e gjithë kjo mvishet nga një mjegull misterioze, për të cilën dyshohet se u ka fshirë kujtesën njerëzve. Këta elementë fantazmagorikë e sjellin romanin më afër lexuesit, por Ishiguro është nobelist dhe si çdo shkrimtar tjetër që ka fituar këtë çmim, në rrëfimin e tij fshihen thellë, në formë shtresëzimesh, mesazhe me karakter njerëzor dhe universal.

– Përse do e këshillonit leximin e tij?

Pavarësisht se “Gjiganti i fjetur” vjen si një rrëfim i shkruar thjesht, në qendër të subjektit janë dy nga elementët thelbësorë të jetës njerëzore: kujtesa dhe harresa. Me kalimin e faqeve, pyetja që të rri varur në kokë, si ajo shpata e Damokleut, është: po sikur njeriu të mos kishte kujtesë dhe ditët t’i shtynte ashtu, duke jetuar vetëm të tashmen, pa e mësuar se çfarë ka bërë në të shkuarën? A ka dashuruar ndonjëherë? A i ka bërë keq kujt? Si ka ardhur deri aty? Kujtesa është ndoshta bekimi më i madh që kemi si qenie njerëzore. Falë kujtesës ne dimë kush jemi, si kemi ardhur në këtë botë dhe çfarë trashëgimie do të lëmë për fëmijët tanë. Pikërisht, me këtë element luan Ishiguro në romanin “Gjiganti i fjetur”: me kujtesën kolektive të një populli, i cili nëse harron kush është, ose shuhet, ose “fle” përjetësisht. Por, kujtesa mund të jetë edhe mallkim për njeriun: dëshira për hakmarrje, që buron nga një kujtim i hidhur që të përndjek gjatë gjithë jetës, mund të të shpjerë deri atje sa të humbësh vetveten. E ndoshta, ndonjëherë është më mirë të harrosh, të ecësh përpara. Por, a mund t’ia dalësh? Shumë pikëpyetje të mbesin në kokë pasi e lexon “Gjigantin e fjetur” të Ishiguros.

– Si ishte procesi i përkthimit të këtij libri, në krahasim me autorët që keni sjellë në shqip në të shkuarën?

Të përkthesh nuk është asnjëherë e lehtë. Për mua është process krijues; pavarësisht se përkthyesi nuk është autori i veprës në gjuhën origjinale, ai mund të quhet autori i saj në gjuhën që e përkthen dhe përgjegjësia është disa herë më e madhe, sidomos kur shkrimtari sapo ka fituar edhe çmimin Nobel. Ky është romani i gjashtë që sjell në shqip, por vepra që më ka “torturuar” më shumë është “E veçanta e dhjetorit”, e shkrimtarit irlandez Donal Ryan, gjuha e komplikuar e të cilit, dhe fjalët e shumta në zhargonin e rrugës, ma kanë mbajtur gjallë ankthin e dyshimit. Megjithatë, “Gjiganti i fjetur” është padyshim romani më i mirë që kam përkthyer deri tani, ndoshta edhe pse realizmi magjik më rri mirë në krijimtarinë time.

– Cili do ishte ai autor ose libër që do kishit dëshirë të kishit qenë ju përkthyesi?

“Kaligula” i Alber Kamy-së. Kjo është  vepra, e cila më shtyu të përkthej në gjuhën shqipe. Me Kaligulën nisi gjithçka… Edhe pse në shqip nuk e kam sjellë unë, pavarësisht se e nisa dhe rinisa disa herë, përpara se ta lija përfundimisht në sirtar.

– Së fundmi, si ia del një djalë që punon nga mëngjesi deri në darkë me tekste komunikatash shtypi dhe komunikime publike, që njihen për gjuhën e thatë shkresore të administratës, të ruajë të pasur gjuhën letrare?

Përkthimi është pasioni im të cilin e ushtroj sa herë kam mundësi dhe për aq kohë sa më lejon angazhimi im si Këshilltar për Median dhe Komunikimin në Bashkinë e Tiranës. Para se të ushtroja funksionin e sotëm, kam qenë gazetar për shumë vite në median e shkruar, e para se të bëhesha gazetar, në thelb ka ekzistuar pasioni për letërsinë dhe krijimtarinë letrare. Nga këtu buron edhe dëshira për të përkthyer. Por, si mund ta ruash të pasur gjuhën letrare? Vetëm duke lexuar e duke shkruar. Nuk ka asnjë mënyrë tjetër. Lexo dhe shkruaj!/Tiranapost.al

SHKARKO APP