Gjimnazistët korçarë të “Faik Konica”, Pelegrinazh nën Dritën e bekuar të At Gjergj Fishtës
Nga Entela Petro
Të punosh me fëmijët në çdo cikël të arsimit parauniversitar është kënaqësia dhe bekimi më i madh. Jo vetëm, sepse bëhesh pjesë e edukimit dhe zhvillimit të tyre intelektual, qytetar, por dhe shkëlqimit të tyre shpirtëror. Lum kush ndez “pishtarët e Dritës dhe Dashurisë” brenda shpirtit të një fëmije, të një nxënësi të shkollës tënde (ku ti jep mësim), por edhe më gjerë.
Asnjëherë nuk më ka lodhur ideja se duhet të punoj e të jem pranë nxënësve të shkollës sime (në çdo shkollë ku kam punuar), gjatë ditëve të javës, pas mësimit, por dhe gjatë ditëve të pushimit…
Ata kanë kaq shumë për të dhënë, sa mjafton dëshira dhe idetë interesante për t’i vënë në lëvizje, për të çelur burimet e Dritës dhe të Dashurisë.
Në fillim të vitit shkollor 2022-2023 më duhej të krijoja Rrethin Letrar të Letërsisë në shkollën ku jap mësim, në Gjimnazin me Orientim Gjuhësor “Faik Konica”, në Korçë. Nxënësit e apasionuar pas artit e letërsisë u regjistruan me shumë dëshirë te ky rreth letrar. Bëra takimin e parë me ta, u njohëm së bashku (pasi kishte dhe nxënës të cilëve nuk u bëja mësim) dhe diskutuam për temat e veprimtaritë që mund të zhvillonim gjatë këtij viti shkollor. Hartuam listën, pjesë e së cilës është dhe veprimtaria për të cilën po shkruaj sot. Përpara kishim Tetorin, muajin e Letërsisë, të fjalës së bukur dhe ndjenjave më magjike që çdo njeri mund të përjetojë (“me shije e pa shije letrare”, -për humor kjo).
Tetori, muaji i Letërsisë, i letrave dhe njerëzve të penës na gjeti pranë një poeti, shkrimtari e gazetari që bën art me fjalën, me vargun dhe me rreshtat e shkruar. Një takim i veçantë u zhvillua në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar nga 35 nxënësit e gjimnazit “Faik Konica” me zotin Albert Vataj, shkodranin e mençur e të dashtun për ne, me të cilin u diskutua për letërsinë, për pikturën, për jetën, për lirinë dhe dashurinë njerëzore. Ky bashkëbisedim la mbresa të veçanta e përcolli mesazhe domethënëse për jetën dhe të ardhmen.
“Fjala, kur lind prej shpirtit, mund të bëjë mrekulli për shoqërinë njerëzore”, ishte një nga mesazhet që u përcoll nga ky takim i vyer.
“Leximi i librave, të bën të pasur shpirtërish e shkrin çdo akull mes njerëzve!”
-Lexoni çdo ditë të jetës suaj që jeni të paqtë me veten dhe të tjerët, – ishte porosia më me vlerë që u përcoll nga shkrimtari Albert Vataj.
Dashuria për librin dhe artin duhet të na udhëheqin në jetën tonë!
U larguam nga ky takim mbresëlënës më të paqtë, më të motivuar e më të gëzuar për të udhëtuar drejt “Shkodrës Loke”, që aq shumë dashuri e kënaqësi do të na sillte.
Zëri i historisë dhe kulturës së lashtë të vendit tonë na thërret për të prekur nga afër kalatë, muret, gurët që flasin më shumë se fjalët. Një nga veprimtaritë e këtij aktiviteti që u organizua nga shkolla jonë, ishte dhe vizita në Kalanë e Shkodrës me nxënësit e klasave të X-XI-XII-ta.
Emocion që të lind në hyrje të kalasë, por që të pushton kur prek nga afër “Rozafatin” dhe historinë e murimit që më tepër sesa ndërton mure, lidh fort jetën me njerëzit e me tokën ku kanë lindur.
“Rritet lulja përmbi gur në Nikaj-Mërtur”. Një fakt që zbukuroi më tepër këtë vizitë dhe vërtetoi që folklori ynë i pasur është frymëzuar nga jeta e njerëzit në këto troje.
Emocione dhe krenari që të edukojnë për të tashmen e të ardhmen. Ky është misioni i shkollës sonë.
Veprimtaria e radhës e nxënësve të rrethit letrar ishte vizita në Shkollën e Mesme të Bashkuar “Pjetër Zarishi”, në Blinisht të Zadrimës.
Mikpritja e drejtorit të shkollës, zotit Viktor Shtjefni, stafit të mësuesve dhe nxënësve të kësaj shkolle ishte një nga kënaqësitë më të mëdha që përjetuam. “Dritë dhe yje” shpërndaheshin në atë mjedis të vogël, të mbushur me Dashuri të paqtë prej të gjithëve. Edhe pse ishte ditë pushimi, ditë e diel, drejtues, mësues dhe nxënës kishin realizuar një pritje dinjitoze për ne, miqtë e gjimnazit “Faik Konica” të Korçës.
Na pritën krahëhapur që te dera e jashtme në oborrin e shkollës. Buzëqeshje, urime, falenderime, valle e këngë mbushën minutat më pas në atë shkollë që shkëlqente në gjithçka.
Provuam produktet e zonës të përgatitura nga vetë mësueset e nxënëset, të mbledhura me kujdes e të shërbyera aq bukur në kokteilin e bërë gati për ne. Shkëmbyem urime zemre, emocione, lot gëzimi e mirënjohjeje.
Vizituam mjediset brenda shkollës, ku çdo gjë ndriçonte nga rregulli e kujdesi që kishin treguar drejtori, stafi i tij dhe nxënësit e kësaj shkolle.
Një surprizë e bukur ishin dhe dhuratat për shkollën tonë, punime tradicionale të zonës, të ndërthurura me motive popullore, me vargjet e të madhit At Gjergj Fishta. Vallja, këngët popullore na shoqëruan gjatë gjithë kohës, pjesë e të cilave u bëmë dhe ne.
Më pas të shoqëruar nga drejtori, mësuesit dhe vajzat, vallëtaret e bukura u nisëm për te Kuvendi i Troshanit, ku së bashku do të festonim datëlindjen e 151-të të Birit të Madh të Zadrimës, At Gjergj Fishtës!
Dhe te Kuvendi apo Kolegji i Troshanit siç i thoshin banorët e zonës, ne të gjithë së bashku ndjemë mrekullinë fishjane, ndjemë frymën e shenjtëruar të Poetit tonë Kombëtar, të Atij që i kushtoi Shqipërisë, gjuhës shqipe më shumë se çerek shekulli mund e punë të kulluar prej patrioti, gjuhëtari, poeti, biri krenar e të vendosur. Ky Kolegj françeskan, siç na tha dhe prifti i kishës, Frat Frani na priste me shumë kënaqësi e falenderime, pasi kishte kohë që nuk kishte ndier kaq shumë gjallëri, emocione dhe zëra fëminorë që flisnin, recitonin, interpretonin e gëzonin mrekullisht bukur për At Gjergj Fishtën.
Të veshur me kostumet popullore të zonës së Korcës, vajzat e djemtë e gjimnazit “Faik Konica”dhe nxënësit e gjimnazit “Pjetër Zarishi” kumbuan e recituan disa nga poezitë e Fishtës, si: “Hymni i Flamurit”, “Gjuha shqipe”,” Çohuni të vdekur”, “Shqypnia” dhe “Shqypnia e lirë”.
Më pas vumë në skenë dramën më të parapëlqyer “Jerina, Mbretnesha e Lulevet”, të cilën e interpretuan me shumë dashuri djemtë e vajzat nga Korça.
Do të thoni ju: -Po a patën vështirësi këta nxënës për të recituar dhe dramatizuar në gegërisht pjesë të shkruara nga i madhi Gjergj Fishta?
Absolutisht jo, përkundrazi interpretuan mrekullisht dhe me shumë lehtësi, si gjatë periudhës së provave dhe gjatë interpretimit në Kuvendin e Troshanit, vendit ku Zefi i vogël u shkollua dhe Fishta i madh punoi, shkroi, përhapi shenjtërim Perëndie dhe dorëzoi shpirtin e tij në krahët e Zotit që aq shumë e deshi. Lamë si kujtim e dhuratë për shkollën mikpritëse dy portrete të pikturuara me shumë dashuri nga nxënësja jonë, Fjoralba Pelivani, portretin e Gjergj Fishtës dhe portretin e Faik Konicës për të treguar se shqiptaria është e do të jetë së bashku përjetësisht.
Emocione të papërsëritshme kemi ndier të gjithë së bashku duke dëgjuar kumbimin e vargut, fjalës, rreshtave të poetit tonë në ditën e tij të lindjes, të rrethuar nga miq, mësues, nxënës, banorë të zonës së Zadrimës që na pritën me shumë dashuri e mirënjohje.
Si çdo ndarje apo largim, dhe nisja jonë për në Korçë që nga Kolegji i Fishtës qe i mbushur me emocione, lot gëzimi, krenarie e përmallimi. U larguam duke ftuar nxënësit e mësuesit e Blinishtit që të urdhërojnë të vijnë në Korçë, në Mësonjëtoren e Parë Shqipe, në qytetin e kulturës dhe artit.
Kështu me frymën hyjnore të At Gjergj Fishtës dhe penën e tij mrekullibërëse festuam datëlindjen e 151-të dhe u nisëm drej qytetit tonë të rilindur e krenarë që u mblodhëm “gegë e toskë” për “Atme e Fe”, siç Fishta ka dëshiruar gjithmonë.
Përjetuam emocione e kënaqësi të shumta gjatë Tetorit, muajit të Letërsisë. Kurorëzimi final u zhvillua ditën e premte, në datën 28 tetor 2022, në mjediset e gjimnazit “Faik Konica” ku Lulet e Zanat zgjodhën Mbretëreshën, më të bukurën e krejtve, atë që simbolizon mençurinë, lirinë e dashurinë e për të bërë më të mirën e mundshme në jetët tona. Me fjalën e bekuar të At Gjergj Fishtës dhe nëpërmjet shpirtit fisnik të nxënësve e mësuesve tanë mbyllim muajin më të bukur të vjeshtës për t’u ribashkuar së shpejti në aktivitetet e radhës.
Për aq kohë sa nuk jetoni shpirtërisht, mos prisni lumturi!