Gjuha e trupit: xhestet e vogla që flasin për ty
Mund të gënjejmë me fjalë, por me qëndrimin tonë trupor dhe me lëvizjet është më e vështirë, shkruan tgcom.
Trupi nuk gënjen, ose të paktën e bën me vështirësi një gjë të tillë dhe mund të tradhëtojë aspiratat dhe mendimet tona të vërteta.
Ja përse është e rëndësishme të mësosh të lexosh sinjalet jo verbale dhe për të qenë sa më të ndërgjegjshëm për sinjalet që po përçojmë vetë.
Rikujtojmë se është shumë e thjeshtë të kontrollojmë fjalët, por xhestikulacioni dhe postura e trupit janë më së shumti të lidhur me subkoshiencën, ndaj është shumë e vështirë të mund t’i menaxhosh. Diçka ama mund të bëhet, duke patur parasysh që, në dashuri, ashtu si në punë apo me miqtë, është e pamundur të mos komunikosh.
Mesazhet: – Shtrëngimi i dorës ka rregullat e veta: duhet bërë me dorën hapur, gishtin e madh të ngritur lart dhe drejt, pa e “shtrydhur” dorën e tjetrit.
Këtë e shoqërojmë me shumë buzëqeshje për të përcjellë imazhin e parë të pëlqyeshëm për veten, persnalitet i këndshëm dhe i sigurt në vetvete, pa kaluar në arrogancë.
Nëse keni ndonjë preokupim për rezultatin e takimit, qoftë ky një takim romantik, apo pune, gjëja më e rëndësishme është të kontrollojmë veprimet e tepruara.
Nëse ia dalim të jemi të qetë, do evitonim të tradhëtoheshim nga djersitja, lëvizje të tepruara të duarve dhe të kokës apo të preknim flokët vazhdimisht, të kafshonim buzët apo vese të tjera të këtij lloji.
Pra, mënyra më e mirë për t’u dukur të qetë është të sforcohemi sikur jemi vërtet.
Vështrimet – Kontakti vizual është thelbësor.
Nëse evitojmë shikimin e bashkëbiseduesit, ose nëse i çojmë sytë diku tjetër, japim përshtypjen se jemi të dyshimtë apo pak të interesuar, ose mund të dukemi me pak besim në vetvete.
Nëse gjendemi para një personi që na intereson në aspektin sentimental, loja e shikimeve, është thelbësore dhe hyn tek lojrat e joshjes.
Qëndrimi – mënyra e të folurit me gjithë trupin. Të kryqëzojmë krahët përpara kraharorit është një sinjal i mbylljes në vetvete dhe vetmbrojtjes ekstreme: një xhest që duhet evituar sa më shumë të jetë e mundur.
Mund të mbështesim një dorë mbi njërin gju dhe tjetrën mbi tavolinë.
Sidomos në raportet formale, si përshembull gjatë një takimi pune, është e rëndësishme të mbajmë një qendrim trupor që tregon gjallëri.
Ndërkohë që bashkëbiseduesi ynë flet, duhet të mbajmë një qendrim që tregon se po e dëgjojmë me vëmendje.
E ndaluar është që të mbështetemi shkujdesshëm dhe të qarkullojmë vështrimin larg, pasi japim përshtypjen se jemi mërzitur nga biseda dhe jemi pak të interesuar.
Nëse është “zemra në mes” – gjuha e trupit është shumë e rëndësishme për të lëshuar mesazhe joshjeje.
Për të treguar interesin për një burrë, një vajzë zakonisht luan me flokët, apo me ndonjë unazë apo bizhu tjetër, apo me një pjesëz të veshjes së saj.
Ndërsa “ai” kollitet shpesh, afrohet paksa me trup, ngre një vetull në shenjë miratimi, tregon interes dhe ndjeshmëri.
Kur tërheqja dy palëshe ndodh, nuk mbetet më gjë tjetër, vetëm të lësh “kiminë të flasë”.