”Gjuha-verb i Perëndisë”, dhe skota e gjuhëprishësve
Nga: Rahim Ombashi
Në faqen zyrtare të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme njoftohet se në datën 9 maj, në mjediset e saj, u festua në Tiranë dita e Evropës. Në veprimtarinë “Trashëgimia kulturore shqiptare- një vlerë në rrugën evropiane. Rrugëtim kulturor në të shkuarën drejt së ardhmes së përbashkët”, morën pjesë shtetarë dhe qeveritarë të lartë, Drejtori i Përgjithshëm për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Zgjerimit në Komisionin Evropian, Christian Danielsson, ambasadorë, përfaqësues të komuniteteve fetare dhe përfaqësues të institucioneve kulturore në vend.
Në vijim të informacionit lexojmë:
“Kryeministri Rama në fjalën e tij iu referua rilindasit të madh Naim Frashëri dhe vargut të tij domethënës “O dritëz e bekuar që lind nga perëndon”, varg që sipas Kryeministrit mishëron të tërë historinë e përpjekjes shumë shekullore të shqiptarëve për të qenë pjesë e asaj bote që ata e shihnin me sytë e imagjinatës së tyre apo e kërkonin duke kapërcyer detin.”
Një varg të tillë të Naimit nuk dimë të ketë dhe për këtë duhet pyetur shkruesi i njoftimit, por le të ecim më poshtë:
“Shprehja që shqiptarët përdoronin (ka dashur të thotë përdornin) sa herë linin shtëpinë, ishte: po marr rrugën për në Evropë, në këtë shprehje përmblidhej ëndrra, shpresa dhe ambicia e çdo burri, babai, djali që linte shpinë duke marrë rrugën për në Europë për të sjellë që andej atë çka shtëpia nuk mund dot ta kishte duke qëndruar e shkëputur prej andej.”
Shkruesi shprehet se mendimin e mësipërm e nënvizoi kreu i qeverisë, por edhe për këtë qasje del pyetja se për mërgimtarët e cilës kohë dhe së cilës anë bëhet fjalë. Vetë, duke qenë korçar e bir korçari, bir i një krahine që e ka nisur herët atë rrugë të mundimshme e njëherazi sfidë, nuk e kam hasur ndonjëherë në biseda apo shkrime. Është popullor vargu “Mora rrugën për Janinë” e jo pak të tjerë, por nuk më kujtohet ta kem dëgjuar a cekur diku mendimin e mësipërm.
Afro dy javë më pas figurën prometeike të Naim Frashërit (R. Qosja) e zënë përsëri në gojë gabimisht, kur poezia shfaqet me tiparin lasgushian: “Gjuha: Verb’ i Perëndisë!” Më 26 maj, shumë media botuan fjalën e liderit demokrat Basha të mbajtur në protestën e një ditë më parë.
“Ja kjo ditë e uruar që lind nga perëndon,
atë anë e ke ndriçuar e ne pse na harron?
Dritëz e jetës dhe e vërtetës, dritna na, zgjona!”
Shkruesi i njoftimit ka shtuar në fund se Basha kishte thënë ‘një shekull e gjysëm më parë, kur Shqipëria lëngonte në zgjedhën osmane, Naim Frashëri iu kujtonte shqiptarëve se dielli ynë lind në Perëndim’.
Pa e zgjatur, marrim vjershën Përse, ku Naim Frashëri ka grishur me pasthirrmën bisedore “Jakë” që ka kuptimin eja, hajde: Jakë ndër mend! Jakëni këtu! Luçidi ynë nuk kishte kohë as që vetëm ta përkëdhelte apo sa ta ndante atë lloj drite. Po i shkatërrohej mushkëria, kishte nisur ronitja e tyre dhe koha nuk priste:
Jak’ o dit’ e uruar
Që lind nga perëndon
At’ an e ke ndrituar
E ne pse na harron.
Dritëz’ e jetës
Edhe e motit
Dhe së vërtetës,
Dhe gaz i zotit,
Ndritna
E zgjohna.
Pasi lexova e rilexova shkrimet publicistike, iu ktheva poemës së Lasgush Poradecit Naim Frashërit, ku bëhet vlerësimi për veprën e tij:
”E kjo fjal’ e perëndishme, ky kanisk pa shembëllim, Këjo valle diamantësh na u pat lënë trashëgim”.
Dhe për këtë porosi të shenjtë, të paktën me Naimin dhe veçmas me lirikat e tij antologjike, redaktorët të mos lejojnë deformimin a shkalafitjen e tyre, të mos bëhen ‘(shkoj, eci) çap e jakë; shkoj e vij tutje-tëhu, lëviz në të njëjtin vend lart e poshtë; sillem rrotull sa andej-këtej’, por t’u shkohet drejt e në zemër të tyre:
”Sepse hir të perëndishme kish kuvendi yt, Naim, Ajo këng’ e tepërlumtur që më s’pati shëmbëllim…”.
*Autori është Dekan i Fakultetit te Shkencave Humane-Universiteti Bedër