Gratë, muzat e tablosë dhe epshet e komunikimit estetik, në pikturën e Gustav Klimt

Albert Vataj
Ai guxoi si pakkush tjetër i kohës së tij të shprehej hapur dhe duke bërë këtë të demonstronte publikisht, me artin e tij të jashtëzakonshëm, atë që shumë të tjerë para tij, por edhe ai, do ta paguanin me një çmim të konsiderueshëm. Gustav Klimt, futi seksin, ndjenjën, epshin, dëshpërimin dhe thyerjen, në tablo si në një kuadër dëshmimi, ligjërimi i të cilit të mbushte zëshëm boshin që krijonte grryerja e stepjeve dhe ndalimeve, kritikës çjerrëse dhe anatemës. Ai guxoi dhe u desh të paguante me leçitje, me dëbim si një heretik. Për çfarë? Për atë që më shumë se një akt krijimi, ishte vetë filozofia e shpirtit të kohës. Atij ngulmi që ai i dha zë, i dha trajtë, i dha ngjyrë, i dha frymën, prej frymëmarrjes së tij të epur lirie dhe përjetimi. E udhërrëfeu, i dha kahje, atij gufimi që zoritshëm kërkonte të shpërthente përmes atyre sythesh që bënë pranverat e ndijimeve të vegjetonin harbueshëm.


Gustav Klimt do të mbamendet në historinë e artit ndër më të kurajshmit bohem të pikturës. Biri i një argjendari të pafat do të qëndiste me ar dhe zjarr penelatash të epshme përvojat dhe përjetimet më të zellshme të gjakut dhe kurmit. Klimt ndryshoi simbolikën tradicionale të deriatëhershme, ose më saktë e pasuroi atë duke e përjetësuar seksin dhe epshin me elementë dhe shprehës më cytës, gjithnjë brendandjesor dhe shpërthyes. E lartësoi si pakkush tjetër deri asokohe femrën, duke e shndërruar atë në një simbolikë qëndore të universales. Ai e ngërthen në themel të gjithçkasë dhe e pjesëmerr në çdo ngjizje amshimi. Depërton brenda saj jo vetëm seksualisht. Rrëmon në fundin e kësaj qënie dhe gjen kuptimin e shumëçkasë dhe nuk druhet t’ia kumtojë botës si një zbulim. Në një shumësi punësh ai i’u kushtua trupit të gruas, spariherë si energji përtëritëse dhe si mjet komunikimi estetik. Kjo epërsi, ky dominim i femrës, nuk kridhet në tablonë e piktorit në mënyrë rastësore. Ajo vendoset si element shprehës, si nevojë e mjeshtrit për ta orjentuar shpërthimin kumtues përnga gufojnë përjetimet dhe jetësimet në tablotë e tij monumentale. Shpirti i këtij gjahtari gjendjesh të epshme priret të dëshmojë njëherash dhe botëkumtimin që ngas në këtë lojë të prushtë përjetimi dhe krijimi.


Ndërsa kureshtia dhe ama e adhurimit shkulmon prej dritës dhe zbraztësisë, abstraksionit dhe formave të tendosura në simbolizëm, ndjehet një frymëmarrje që shtërzen, një gulç që copëzohet e merr formë të avullt që rrethon subjektin. Kjo duket se ka lidhje me një ankth të brendshëm të artistit. Frika nga rreziku i tërheqjes seksuale, nga ana shkatërrimtare e një femre dhe mbi të gjitha, vuajtjen në sensin frojdian. Gjithëpoaq, Klimt s’ndalet. Gjithnjë e bukura ka diçka tjetërqysh pa thënë, epshi të tjera shkulme premton, yje pafund që i ndrijnë vagullt, në natën që i varet mbi, si një mantel.

SHKARKO APP