Greg Lansky, artisti që shndërroi “Venus de Milo” në “Bukuria Algoritmike”
Albert Vataj
Fjala ishte e para, por ai që thotë fjalën e fundit, atë të vërtetën në një botë të gënjeshtërt dhe trillane është artisti. Dhe besoj se ka folur aq hapur dhe i ka thënë ca gjëra aq troç, sa janë më shumë nga ata që e urrejnë se ata që e duan. Por fakti se ai ka grumbulluar mbi 1 miliard përshtypje dhe angazhim masiv në internet nga “Bukuria Algoritmike”, tregon se kokëfortësia e shifrave është më bindëse se çdo logjikë arsyetimi apo shpengim i gjuhës.
“E krijova këtë punë duke reflektuar mbi marrëdhënien midis dhimbjes dhe ndjenjës së dashurisë, në një botë të drejtuar nga algoritmet e AI. Nuk ka pasqyrë për selfie-n e saj, sepse njerëzimi është pasqyra. Ne jemi të gjithë pasqyra, shkruan në postimin e tij në Instagram, Greg Lansky, i cili më shumë se një bust, të gruas së bukurisë algoritmike, dy metra e 4 centimetra të lartë, është një komunikim i kohës së shkuar me të tashmen, në një qasje për t’u shkëputur nga arti i madh klasik duke e imituar deri te vërtetësia aktuale. Dhe, dhe patjetër për t’iu shpërfaqur të sotmes me një tjetër madhështi, atë të guximit për të shprehur gjërat dhe gjendjet me një vërtetësi, që duke e patur të vështirë që të gjejnë dakordësim, lipset të tentohet, t’i kundërvihet kësaj qëndrese me vendosmëri të së vërtetës artistike.
Jemi mësuar që të bukurën ta përcjellim përmes klasikëve, duke e zhvarrosur atë nga mjeshtrat e antikitetit, apo duke e nxorrë nga mermeri i Cararas, jo vetëm bukurinë perfektë të femrës, por edhe idealen e këtij përjetimi, përmes të cilit breza të tërë adhuruesish, u mahnitën dhe u dashuruan. Arti zgjodhi femrën si personifikim i të bukurës, i pastërtisë dhe forcës së pasionit, i përsosmërisë dhe lartësimit të këtij idealizimi, deri në eterin e përfytyrimit, duke e bërë pjesë tonën këtë magjepsje dhe njëherësh, duke vendosur standarde të së bukurës, si shprehje estetike, fizike por edhe filozofike.
“”Bukuria Algoritmike” nuk ka filtra bukurie. Shenjat nga operacionet plastike shfaqen me hir dhe dinjitet, si plagët e betejës së një lufte të pafundme që askush nuk mund ta fitojë.” vijon Greg Lansky.
“Doja të ofroja një vazhdim të Venus de Milo, një skulpturë e bërë mbi 2000 vjet më parë që portretizon një perëndeshë të pavdekshme përtej arritjes së njerëzve”
Kujtojmë se Venus de Milo është një nga statujat më të famshme të lashtësisë dhe konsiderohet një nga veprat më të rëndësishme të artit klasik grek. Ajo përfaqëson perëndeshën greke Afërditën (ose Venusin në mitologjinë romake), perëndesha e dashurisë dhe bukurisë.
Datimi krijues është rreth vitit 130–100 para Krishtit, me lartësi 203 cm, një centimetër më e shkurtër se vepra e Greg Lansky. Statuja u zbulua më 1820 në ishullin grek të Milos në Detin Egje. Autori i saj mbetet i panjohur, megjithëse mendohet se ishte Alexandros i Antikias.
Gjithashtu, Venus de Milo është një shembull i shkëlqyeshëm i stilit helenistik të skulpturës greke, që kombinon idealizmin klasik me elemente më natyraliste dhe emocionale. Venus de Milo përfaqëson një figurë femërore të zhveshur nga mesi e lart. Ajo është e famshme për mungesën e krahëve të saj, të cilët mendohet se u humbën pasi statuja u dëmtua. Statuja qëndron në një pozicion të relaksuar, me një përkulje të lehtë të trupit që krijon një linjë të butë S, tipike për stilin helenistik. Vepra, të cilin artisti bashkëkohorë, Greg Lansky e risjell nën një trysni të bukurisë algoritmike, por edhe alegorike, ndodhet aktualisht në Muzeun e Luvrit në Paris, ku është një nga atraksionet më të mëdha për vizitorët e tij.
Duke vijuar, Greg Lansky sqaron se “Sot, janë algoritmet e AI-së që kanë fuqi të ngjashme me Zotin mbi njerëzimin. Ata ndikojnë në standardet e bukurisë me premtimin e parezistueshëm, se ata që ndjekin do të shpërblehen me angazhimin dixhital të maskuar si dashuri. Dhe në ndjekjen e këtij premtimi njerëzit do të kalojnë dhimbje të pamasë fizike. Kjo më bëri të ndjeja se ndoshta operacioni plastik mund të shihej si një akt dashurie dhe përkushtimi për të marrë pjesë në një botë gënjeshtrash ku të gjithë jemi pjesë.”
Pak a shumë me vepër, por edhe me fjalë, artisti francez rreket të ballafaqojë artin klasik, një nga modelet më të përsosura që erdhi nga thellësia e kohës, me pamundësinë për të bërë ndryshe, me të cilën përballet bukuria algoritmike, ajo bukuri, për të cilët artisti bën dhe thotë, por filozofia do ta ketë të vështirë për të përafruar atë nga mendimi në shpërfaqje.
“Zgjodha Venus de Milo sepse është personifikimi i epokës sonë “Fake it till you make it”, është gjithashtu metafora më e mirë për epokën tonë të mediave sociale; Një perëndeshë imagjinare e mbushur me marketing dhe gënjeshtra, por me të cilën të gjithë duam të bëjmë një foto”.
T’i thuash kaq hapur gjërat në një epokë manipulimi dhe marketingu, trillesh dhe mashtrimi, shtirjesh dhe hipokrizie, por edhe zbrazëtie dhe kotësie, është një punë me mend, që do guxim, atë që mund ta ketë vetëm një artist.
View this post on Instagram
https://www.instagram.com/p/CkgNy2_uQoe/?hl=en&img_index=1
Cili është Greg Lansky?
Greg Lansky është një sipërmarrës dhe investitor dhe themeluesi dhe ish-CEO i Vixen Media Group. Greg është njohur për qasjen e tij inovative në industrinë e argëtimit për të rritur nga Rolling Stone, Forbes, AdAge, GQ dhe Esquire. Si CEO i Vixen Media Group, në vetëm 5 vjet, Lansky e zgjeroi me shpejtësi kompaninë, duke tërhequr 45 milionë vizitorë unikë mujorë në shërbimin e saj të transmetimit pa ndihmën e ndonjë reklame me pagesë. Ai e shiti me sukses biznesin në janar 2020 te një grup ndërkombëtar investimesh. Pas shitjes së Vixen Media Group, Lansky u fokusua në investimin dhe këshillimin e mediave dhe sipërmarrjeve të abonimit. Në vitin 2022, për të zgjeruar shtrirjen e tij krijuese, ai nisi një projekt ambicioz që përmban shtatë vepra fizike krijuese. Një prej tyre “Bukuria Algoritmike”, fitoi famë ndërkombëtare.
https://www.greglansky.com/