Gurakuqi: Logoja e TKOB e vjedhur, Teatri nuk ka as skenografi dhe as muze
Në një intervistë për RTV Ora, regjizori Nikolin Gurakuqi u shpreh se logoja e re e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit është e vjedhur dhe kjo është pranuar vetë nga drejtorja e këtij institucioni.
Gurakuqi tha se ky teatër nuk ka një muze si një kujtesë historike dhe si një mjedis të vizitueshëm nga spektatorët, pasi tashmë është zhdukur.
Gurakuqi: Deri më tani kemi pasur një furtunë mediatike. Atë logo nuk e ka pëlqyer asnjeri. Është e ligjshme apo e paligjshme, kjo i takon institucioneve. Zonja Çela e pranoi pas kaq shumë kohësh se logoja ishte një plagjiaturë. Ajo e pranoi edhe vetë, por fajin ia lë asaj kompanisë. Për mua faji është i të gjithëve. Këtu asnjë nuk e merr fajin. Ai që ka paratë dhe blen një tender, nuk mund të jetë indiferent ndaj një produkti që nuk është origjinal. Atë edhe një fëmijë ta shohë e kupton se është një kopje. Unë mendoj se logoja e parë ishte më e mirë se sa kjo, më përfaqësuese.
Nuk mund të ndërrohen logot sa herë ndërrohen drejtorët. Nuk mund të fillojë institucioni nga e para se ndryshon titullari. Nuk identifikohet me titullarin, por me veprimtarinë e institucionit. Ne kemi të vetmit Teatër të Operas dhe Baletit që nuk ka një muze. Ne kemi pasur një muze të vogël, por ama e kishim në hollin në katin e dytë. U zhduk ai muze. Sot nuk ka asnjë memorie historike të atyre që e kanë themeluar dhe të atyre që kanë interpretuar në atë Teatër. Nuk ka teatër në botë që nuk ka muze. Është kujtesë dhe një mjedis i vizitueshëm nga spektatorët.
Sipas Gurakuqit këtij teatri i ka humbur edhe ruajtja e skenografisë për shumë vepra që janë vënë ndër vite në skenën e atij teatri.
Gurakuqi: E rëndësishme që Zana Çela e pranoi se ka pasur një komision që ka bërë verifikimin e skenografive në magazinat e Brarit. Sigurisht që ishte një magazinë ushtrie, që institucionit tonë pasi i humbi e drejta të menaxhimit të atelierit të menaxhimit të skenografisë së shfaqjeve. Atëherë ish-drejtori Ciko u interesua te Ministria e Mbrojtjes dhe i dhanë këtë vend. Atje kishte vende ku pikonte dhe atje janë lagur. Ndërsa në filmimin që ne pamë, aty ishte vetëm një grumbull leckat dhe polisterol. Ne nuk pamë asnjë skenografi, sepse janë shumë tituj. Këto janë tituj shumë të rëndësishme sepse shumica kanë kushtuar dhjetëra ose qindra miliona lekë dhe janë depozituar aty për shfaqet që janë vënë në skenë. Nuk bëhet skenografia vetëm për 6 shfaqje. Ne kemi luksin që të bëjmë Aidën për 6 shfaqje dhe pastaj ta prishim skenografinë sepse i paska rënë shiu.