“Guri i rёndё nё vend tё vet”

Nga Sejdo Harka

Të  shkruash  për jetën dhe krijimtarinë e Bardhyl Xhamës, do tё duhen shumё faqe, por  në këto shënime të shkurtëra do të ndalem në disa momente të rëndësishme të karierёs dhe tё krijimtarisё sё tij letrare. Tek  Bardhyli ne shohim jo vetёm “Mësuesin e merituar” që s’kurseu asgjë për arsimin dhe kulturën, por dhe shkrimtarin modern, që me krijmtarinë e tij të gjerë  diti të orjentojhej drejt  në çdo situatë dhe të ecë gjithnjë një hap përpara shoqërisë. E filloi rrugën e arsimit si “profesor” i gjimnazit “Asim Zeneli”  në një moshë tepër të re, në kohën që sapo  mbaroi shkëlqyshëm këtë shkollë të Gjirokastrës. Ky është një rast i rrallë, që një nxënës, që sapo ka mbaruar shkollën e mesme, të emërohet “profesor “ i shokëve të tij. Me aftësi dhe përkushtim, ai do të ngjiste dalëngadalë shkallët e arsimit , nga mësue i thjeshtë, zv.drejtor, e drejtor gjimnazi, inspector arsimi, sekretar i kolegjiumit të gazetёs “Mësuesi,” zv.drejtor i Shtëpisë  Botuese të Librit Shkollor, shef i sektorit të gjuhës dhe letёrsisë në Institutin e Studimeve Pedagogjike e derisa doli në pension. Kurorëzimi i gjithë përkushtimit të tij shumëvjeçar, është akordimi i titullit të lartë” Mësues i merituar” nga Ministria e Arsimit e Kulturës. Por, siç thekson dhe Dritëroi i madh, Bardhyli shkëlqeu jo vetëm në fushën e arsimit, por dhe  në atë të krijmtarisë artistike dhe studimore.

Ai ka një jetë të tërë që shkruan e shkruan pa mbarim. Gjer tani ka botuar 17 libra artistikë. Serinë e botimeve e ka nisur që në vitin 1975 me librin ”Përrallat e detit” dhe ka vazhduar gjithё kohën, deri në librin me rrefenja “Guri rëndë në vënd të vet”, tё cilin e promovuam nё Panairim e Librit nё nёntor.   Krijmtaria e tij e shumëllojshme, veçanërisht në prozë, ka tërhequr vëmëndjen jo vetëm të lexuesëve të thjeshtë, por dhe të kritikës letrare. Është kjo arsyeja që 10 librat e tij janë nderuar me çmime të ndryshme si  çmimi   “Mitrush Kuteli”,  çmimi “Tasim Gjokutaj”, çmimi “La Fonten “ etj. Ndërsa në vitin 2003, ai është nderuar me “Çmimin e Karierës” nga Shoqata Mbarëkombëtare e Shkrimtarëve pёr Fёmijё e tё Rinj.

Kontributin më të madh për zhvillimin e letërsisë shqipe Bardhyl Xhama e ka dhënë veçanërisht në zhanerin fantastiko –shkencor dhe atë të rrëfenjave. R rëfenja është pasioni dhe dashuria, hobi dhe mrekullia e shkrimtarit Bardhyl Xhama. Duke ecur në gjurmët e mjeshtërve të prozes poetike dhe të rrëfenjës, siç janë Migjeni dhe Kuteli, ai e thelloi më tej artin e rrëfimit. E filloi rrugën e krijimtarisë me rrëfenja me librin “Pse qau delfini”, botuar te “Toenna” në vitin 1996, ndërsa  nё nёntor 2017 ai promovon në Panairin e Librit ‘’Guri rëndë në vënd të vet’’. Siç theksojnё edhe studjues, rrёfenjat e Bardhyl Xhamës janë krijime të bukura artistike brendia e të cilave noton mes tregimit dhe përrallës, mes fantastikes dhe reales. Shpesh në themel të përmbajtjes së tyre janë fjalët e urta, të cilat marrin vlerën e një margaritari, të cilin  autori, me magjinë e fjalës, ja vendos lexuesit në xhepin e zemrës për ta nxitur atë të kuvendojë hapur e çiltër me të. Eshtë kjo magji e artit të Bardhylit, e cila e bën lexuesin të veprojë e të mendojë për të bërë vetëpastrimin e shpirtit të vet dhe të njerëzve perreth. Rrëfenjat e Bardhyl Xhamës janë krijime që notojnë mes fantazisë popullore dhe prozës poetike të kultivuar, mes përrallës  dhe realitetit. Ato lidhin bukur të kaluarën me të sotmen e të ardhmen. Rrëfenjat e tij janë sa klasike aq dhe moderrne, sa fantastike aq edhe reale. Në to lexuesi prek copëza jete e fantazie, ëndrra dhe   kërshëri. Bardhyl Xhama , ashtu siç ka ditur të thithë nektarin e krijmtarisë popullore , po ashtu ka mundur ta përçojë sa më të pastër te lexuesi nëpërmjet fjalës magjike. Meritë e tij e veçantë është që jo vetëm i përçon këto vlera  edukative larg moralizimeve të thata, por dhe i ngulit ato në shpirtin e lexuesve të vegjël e të rinj. Kёto vlerёsime janё tё pranishme edhe nё librin “Guri i rёndё nё vend tё vet” me temё pёr emigracionin.

 Në themel të trillit  krijues të rrëfenjave të librit të fundit, “Guri i rёndё nё vend tё vet”, libri i tretё me 30 rrёfenja i Kolanёs prej 8 librash, qё po boton “Toena”, Bardhyl Xhama vë fjalë të urta.  Ja vlen tё pёrmendim disa nga fjalёt e urta qё zbёrthen autori nё rrёfenja tё veçanta pёr tё treguar jetёn e  emigrantёve jashtё atdheut apo kur kthehen nё vendlindje

“Shit vendin e varrit e laj borxhin”,  “E vërteta, edhe tokën e shpon e del një ditë në dritë”,  “Kush lyp, nxin njërën faqe, kush ka e nuk jep, i nxin të dyja”, ”Mos thuaj ç’mendon, mendo ç’thua” , ”Durimi nëna e të mirës”, ”Zengjin nga trutë, fukara nga xhepi”,  “Gota e lumturisë nuk duhet pirë asnjëherë me fund. Fundi ka gjithmonë mbeturina”,  “Balta mund t’i përlyejë diamantet, por nuk mund t’i kthejë në baltë”,  “Guri i rëndë, në vend të vet” ( Nga ka marrё dhe titullin libri), “Premto më pak e bën më shumë”,  “E dhëna e tjetrit është si e kruajtura e dhëmbit”, “Shpresa është ëndërr e të zgjuarve”, “I duruari, i fituari”,  , “Mos puno vetëm me shat, por dhe me lopatë”…

 Dhe kёto nuk janё as gjysma e fjalёve tё urta qё pёrdoren nё tё 30 rrёfenjat e librit.

Rrëfenja të tilla jo vetëm zgjojnë kërshërin e fëmijve , por dhe i nxitin ata të mendojnё e të reflektojnë, të gjykojnë veprime të të tjetrëve dhe të vlersojnë vetveten. Përmes trillit rrëfyes dhe gjuhës sa konçize aq dhe të bukur, sa metaforike aq dhe tё drejtëpёrdrejtë, lexuesit ushqehen me mesazhe tepër të ngrohta edukative, siç ёshtё dashuria për atdheun, e cila tingëllon shumë aktuale , sidomos sot kur brezi i ri , i lodhur nga humbja e shpresës, ka marë rrugën e mërgimit jashtë vëndit.

 E veçanta librave me rrëfenja të Bardhyl Xhames është se ai i shoqëron ato me aparat petagogjik , i cili ndihmon jo vetëm lexuesit , por edhe mësuesit e prindёrit për zbërthimin e brendisë, mesazheve dhe vlerave edukative , si dhe të gjuhës dhe të  stilit të shkrimtarit.  Për vlerat e padiskutueshme edukative, artistike  e gjuhёsore që kanë këto  rrëfenja të Bardhyl Xhamёs, shpreh mendimin që  Ministria e Arsimit ,8 librat e Kolanёs me rrёfenja që po boton “Toena”, t’i rekomandojё ,qё tё bëhen pjesë e të gjitha biblotekave të shkollave të vëndit, dhe pse jo  që disa prej tyre të rekomandohen si libra për biseda e diskutime letrare në shkollat nëntëvjeçare.

SHKARKO APP