Hajrush Fazliu piktori i figuracionit dhe peizazhit asociativ

Me rastin e ekspozitës personale të piktorit Hajrush Fazliu hapur kohë më parë në Galerinë e Artit në Fier “Vilson Kilica” e cila qëndron e hapur deri në muajin dhjetor.

Prof. Dr. Hivzi Muharremi

Ekspozita e piktorit Hajrush Fazliu shquhet përnga motivet e imazheve të vezeve, nudove dhe peizazheve asociative të realizuara në frymën moderne të realizmit magjik me primesa të frymës surreale, metafizike e poetike. Veprat e ekspozuara flasin me një gjuhë të pastër koloristike, ku autori përvec mpleksjes përmbajtësore të cdo tabloje e vë në spikamë harmonizimin dhe kontrastin koloristik si të figurat e nudove po ashtu edhe në kompozimin abstrakt të formave figurative. Në këtë trikonomi të këtyre elementeve shpërfaqen imazhet e trajtuara të kompozicioneve jo vetëm asociative por edhe të nudove si lajtmotiv i krijimtarisë së piktorit që është trajtuar nga ciklet e para e deri tek këto vepra të fundit të ekspozuara para dashamirëve dhe artdashësve në qytetin e Fierit. Hajrush Fazliu në mënyrë kontinuele e vazhdon trajtimin e këtyre motiveve por gjithnjë në cdo cikël ato begatohen dhe e vëjnë në spikamë hapësirën kolosale lirisht mund të themi atë tredimensionale e cila përfitohet në vetë strukturën koloristike dhe implementimin e elementit të dritës e cila jo vetëm që i definon format e trajtuara figurale por shkrihet në atë tërësi koloristike duke e vë në spikamë akoma e më shumë raportet koloristike e kontrastive të këtij cikli asociativ me imazhet e vezeve dhe formave asociative abstrakte të ngjarjeve aktuale me të cilat karakterizohen edhe shumë ndodhi të kontekstit kohor, historik jo vetëm në Kosovë por edhe në tërë globin botëror.

Rasti tipik për një frymëzim dhe realizim të shumë veprave kompozicionale në këto dy vitet e fundit padyshim, ishte dhe është gjendja tejet e tendosur nga Pandemia e Covid 19 ku me një furishmëri të madhe është përhap në tërë gjithësinë ku jetojnë dhe frymojnë njerëzit. Pra, sikurse të gjithë që e përjetuan një sëmundje vdekjepruese infektive dhe e humbën ndjenjat nga frika e përditshme të mijëra e mijëra të vdekurëve cdo ditë në gjitha shtetet e globit botëror. Këto ngjarje të lemeritshme në mënyrë imediate kanë ndikuar edhe në shpirtin e artistit Hajrush Fazliu i cili ka realizuar një numër të shumtë të veprave në këto dy vitet e fundit.

Duhet theksuar ciklin e portreteve, të cilët janë pjesë të një natyre të qetë, të një natyre që i përshtaten kushteve dhe rrethanave në të cilat janë duke kaluar, duke përjetuar frikën dhe ankthin  nga casti në cast. Janë të traumatizuar vecanërisht nga ambienti dhe situatat e krijuara që nga paraqitja e parë e kësaj pandemie e deri me sot, ku cdo gjë normale për njerëzimin është shëndruar në anomalitet dhe pasiguri totale gjë që ka shpie deri tek një kaos i vërtet i të gjitha fushave vepruese të një normaliteti njerëzor. Piktori këtu tërësisht e ndërron paletën dhe shprehjen e vet artistike vecanërisht në atë përmbajtësor dhe koloristik. Gama është më e mbylltë lëvizja e brushës më ekspresive e vecanërisht në shprehje vie pastuoziteti koloristik me reflekset ekspresive te ngjyrës së kuqe dhe pikturimi i syve që përmes tyre korrespondojnë përkatësisht komunikojnë me vëzhguesin. Tërë mëllefi shpirtëror i tyre ndërlidhet me tërë atmosferën që gati cdo i dyti e ka përjetuar një ankth të tillë, një dëshprim dhe vuajtje shpirtërore.

Është i njohur si krijues i figuracionit kompozicional edhe ate në disa cikle si: “Mbijetesa”, “Imazhi i vezës”,”Porta”,”Nudo” dhe “Peshqit”. Kultivon shprehjen e frymës lirike të realizmit të ri magjik. Ekspozitat personale: më 1997 Galeria “Dodona” – Prishtinë; më 2006 Galeria e Muzeut Historik Kombëtar – Tiranë; më 2006, më 2006 Galeria Nacionale Shkup, më 2007 Galeria e qytetit – Gostivar;  më 2009 Galeria Nacionale “Bezisten” – Shtip,më 2009 Galeria e qytetit – Strumicë, më 2008 Galeria Nacionale Tetovë. Është pjesëmarrës në shumë ekspozita kolektive si ato vendore, kombëtare dhe ndërkombëtare si në: Prishtinë, Shkup, Tiranë, Namyr-Beogjikë, Paris-Francë, Bocholt-Gjermani,Texas, etj. Është fitues i  mirënjohjeve dhe shpërblimeve si: Mirënjohja për kontribut të veçantë në Kulturë 1981 Gjilan, Mirënjohje për kontribut në arsimin shqip 1992,1996,1997 Gjilan,Prishtinë, 1995;  “Flaka e Janarit ’97”, vendi i parë  për pikturë;  2000, Medalja nga gjenerali Reinhard për merita të veçanta, Shpërblimi “Grand – Prix” në Sallonin e Artit, 2005 – 2008 në Belgjikë, Pejë 2014 dhe Prishtinë 2015.

Veprat e tij bëhen të njohura në vend, Ballkan, Europë, Azi, SHBA. Gjithashtu duhet thënë se piktori aktivitetin e vet e vazhdon edhe në Kolonitë artistike dhe Simpoziumet që organizohen si në Kosovë ashtu edhe jashta Kosovës e më gjerë.

Ekspozita si tërësi është pritur mirë dhe ka zgjuar interesim te madhë tek artdashësit në qytetin e Fierit dhe më gjerë. Punimet e tija së shpejti do të prezantohen në Mal të Zi – Ulqin si dhe në Palermo dhe Romë të Italisë.

 

 

 

 

SHKARKO APP