Hamleti – princ i vetëdijes njerëzore

Nga Yzedin Hima

“Pas Jezusit, Hamleti është figura më e cituar në vetëdijen perëndimore; askush nuk i lutet atij, por askush nuk e shmang atë për shumë kohë” Harold Blum
Në Shqipëri Shekspiri ka zbritur relativisht vonë dhe mjaft gjenerata nuk i takuan tekstet e shkrimtarit gjenial, që me artin e tij ndikoi fort në vetdijen e qytetërimit perëndimor dhe atij botëror. Krahas faktorëve të jashtëm dhe atyre të brendshëm, që ndikuan fort në prapambetjen e këtij vendi, mund të rendisim edhe si të dorës së parë mungesën e gjuhës së shkruar, librave, shkollimit dhe … mungesën e leximit të veprave të Shekspirit nga gjenerata të tëra, deri në çastin kur imzot Fan Noli, ndoshta si politikan e jo si kulturolog, gjykoi se ky vend mund të bëhej më i mirë, më i qytetëruar, më europian, pikërisht nëse banorët e tij do të lexonin Uilliam Shekspirin, gjeniun e letërsisë. Dhe iu vu përkthimit të veprave shekspiriane.
Faik Konica, një nga mendjet më të kultivuara ndër shqiptarët, pas shpalljes së pavarësisë, shkroi: E bëmë Shqipërinë, tani duhet të bëjmë shqiptarët! Ky shqiptar i madh, i dallonte qartë, më qartë se kushdo virtytet dhe veset e shqiptarëve, sikurse Bajroni, romantiku i shquar euripian, shkroi: /Të rreptë bijt’ e Shqipes! Po vetitë / Nuk u mungojnë; veç t’ishin më t’arrira./
Edhe sot, krahas reformave që na sugjeron Brukseli në legjislacion, ekonomi, qeverisje vendore dhe qendrore, kërkon reformim të shkollës sonë dhe afrim të saj me atë europiane, e kur thotë këtë, ka lënë si detyrë të nënkuptuar edhe … leximin dhe studimin e Shekspirit për të ndërtuar vetëdijen europiane, gjë të cilën perëndimi ka kohë që e ka bërë dhe vazhdon ta lartësojë.
Po si ka ndikuar Shekspiri në qytetërimin perëndimor, në ridimesionimin e njeriut, substancës së tij? Harold Blum, kritik i famshëm dhe shekspirolog amerikan, në veprën e tij “Shekspir: shpikja e njeriut”, shkruan se ndikimi i veprës së Shekspirit është pranë ndikimit të Biblës, për nga përmasat, teksa nënvizon: “Shekspiri është autori i parë universal, që ka zëvëndësuar Biblën me vetdijen e sekularizuar.”; apo ” Pas Jezusit, Hamleti është figura më e cituar në vetëdijen perëndimore; askush nuk i lutet atij, por askush nuk e shmang atë për shumë kohë.” Dikush mund të mendojë se edhe në perëndim jo të gjithë e lexojnë Shekspirin. Mund të shtonim si përgjigje se edhe Biblën nuk e kanë lexuar dhe nuk e lexojnë të gjithë, por shumë besojnë te kristianizmi. Edhe Shekspirin, vërtetë nuk e kanë lexuar dhe nuk e lexojnë të gjithë, por tekstet shekspiriane tashmë, sikurse shkruan Blumi, e kanë krijuar njeriun, që përcillet ndër gjenerata te njeriu.
Hamleti, figura më e madhërishme e krijuar nga pena e një shkrimtari, është njeriu që ka lindur tepër herët, në shekullin X, ndërkohë që ka shijet, ndjeshmërnë, mendjen brilante të njeriut të sotëm dhe atij të nesërm. Gjenia e Shekspirit qendron pikërisht se te Hamleti projektoi njeriun modern të shekujve që do të vinin, njeriun që përbuzi botën e bërë pis nga vesi dhe shëmtia e sjelljeve njerëzore. Tek ai jeton dhe Oresti eskilian, që mëton hakmarrjen për babanë e vrarë mizorisht, por që është ridimesionuar në substancë për të dialoguar me lexuesit dhe shikuesit e të gjitha kohrave nën emrin Hamlet, larg primitivizmit orestian. Them për të dialoguar sepse tragjedia “Hamlet” është e mbushur plot me pyetje dhe përgjigjet e tyre lexuesi i gjen në tekst dhe te vetja.
Princi Hamlet është qytetari i parë i Europës që jetonte estetikisht, ndaj edhe krimin, zvetënimin njerëzor ai e shikonte si shëmti e deformim të njeriut, krijesës më të përsosur që bariste mbi tokë. Dikush mund të thotë se europianët e parë që u përpoqën të jetonin estetikisht qenë fiset helene dhjetë shekuj para Jezu Krishtit, të cilët luftuan dhjetë vjet me Trojën dhe trojanët për shkaqe estetike: donin t’i kthenin hapësirës helene byukurinë e grabitur, Helenën. Mund të jetë shkak i stisur, por i mrekullueshëm: një popull, në mug të qytetërimit lufton dhjetë vjet për të buykurën. Natyrisht që Shekspiri u ndikua nga letërsia antike greke.
Në tragjedinë “Hamlet” ridimesionimi i njeriut ose krijimi i njeriut, siç e përcakton Harold Blumi, duket qartë edhe në këtë fragment: “Çfarë vepre është njeriu! Sa bujar nga arsyesja! Sa i pakufishëm nga zotësitë! Nga shtati dhe nga lëvizjet, sa i hijshëm dhe sa i çuditshëm! Nga veprimi si ëngjëll! Nga kuptimi si perëndi! Xhevahir i botës ! Kurora e gjërave të gjalla.”
Duke u lexuar gjatë katër shekujve, duke u shfaqur në teatrot e qyteteve, për shkak të katarsisit, ndikimit të artit të madh, gjeneratat njerëzore lëvizën drejt humanizmit, drejt arsyes, drejt së bukurës, duke lënë pas urrejtjen, dhunën, krimin, shëmtinë. Ngadalë, por pa ndërruar drejtim. Po a ka patur rënie, degradim, përbaltje? Një gjeni si Shekspiri i ka parandjerë të gjitha, kur shkruan: “Ardhka një kohë, kur virtyti u dashka t’i kërkojë ndjesë vesit.”
Kjo kohë përsëritet herë pas here në historinë njerëzore. Fashizmi, nazizmi, komunizmi, kanë qënë triumfe të Vesit në dimesione të tmerrshme, ku Virtyti u dënua, u dëbua, u masakrua. Ku Vesi triumfoi, Hamleti, për të shënuar përmasat e së keqes thërret në ndihmë Turpin dhe i drejtohet: “O turp! Ku e ke skuqjen?! Kjo pyetje retorike përvijon përmasat e së keqes, që ka pushtuar botën dhe substancën e saj, njeriun. Edhe turpit duhet t’i vijë turp dhe të skuqet nga rënia dhe e keqja.
Në përmasa të vogla përherë ka një luftë të heshtur midis virtytit dhe vesit, ku herë triumfon njeri, e herë tjetri, brenda njeriut dhe shoqërisë. Hamleti, ose vetdija njerëzore, u rrëfen njerëzve se ku po shkojnë.
Në vendin tonë, si vend ku Shekspiri “shkeli” mjaft vonë, Virtyti shpesh e më shpesh i ka kërkuar ndjesë Vesit: “Më fal, o Ves, që edhe unë rastësisht u gjenda në këto troje dhe u përballa me ty!” Edhe sot e gjithë ditën në trojet tona Virtyti ka ndrojtje t’i dalë përballë Vesit, i cili shfaqet sasior dhe shpesh i veshur me të tëra pushtetet, përveç pushtetit të virtytshëm.
Hamleti nuk e shikon rrjedhojën e të keqes, vesit, vetëm mbi shpatullat e tij, por e shikon atë si një të keqe globale. Kur vesi, krimi, hipokrizia, babëzia, etja për pushtet e kanë zvetënuar njeriun, njerëzit, atëherë i gjithë vendi, bota ka humbur drejtpeshmin dhe po shkon për dreq, ndaj ai ka kurajon të përballet me botën dhe t’i drejtohet plot kurajë: /“Turn back, dull earth, / and find they center out!”/(Botë e shurdhët, ktheu pas dhe gjej drejtpeshimin!)
Hamleti, kur thotë: “Kjo botë u shthur, o prapësi o dreq, unë paskam lindur të të ndreq!”, zotohet para njerëzimit të të gjitha kohrave për diçka sublime: do ta ndreqë botën pikërisht te substanca e saj, te njeriu, dhe njeriun te substanca e tij, duke ia ndriçuar së pari mendjen dhe pastaj edhe shpirtin. Po a e mbajti Hamleti zotimin e tij?! Po. Bota sa vjen e bëhet më njerëzore, më e lirë, më e bukur, më e jetueshme dhe ndikimi hamletian ka vendin e tij në këtë progres. Hidhini një sy në vendet ku Hamleti nuk “shkeli” dhe nuk “predikoi.” Ato ende jetojnë kohërat para shekspiriane.
Hamleti shpejton për të ndrequr botën, sepse e di se jeta është mjaft e shkurtër, ndërsa mundësitë e njeriut të pakufishme. Ai ka vënë bast me kohën kur shprehet: “Koka më zien nga idetë, nuk e di a do të kem kohë për t’i vënë në jetë!” Sfida me kohën është sfida e kohëve moderne për mendjet e ndritura. Gjithashtu Princi Hamlet tmerrohet nga harresa njerëzore, pluhuri i së cilës ka zbehur dhe tretur qytetërime të tëra. Ai jetonte njëherësh në tre dimesione kohore: të shkuarën, kohën e tashme dhe të ardhmen, ndaj shpreh frikën nga e ardhmja: Sa emër të plagosur do të lë/ Në mbetshin punët të panjohura…/
Hamleti vëren botën e kohës së tij dhe botën e së ardhmes edhe në detaje. Kur shohim sot reklamat e parukerive, që konkurojnë kafenetë, na vjen ndër mend shprehje e mprehte e tij, kur i drejtohet Ofelisë: “Zoti u dha një fytyrë, por ju krijoni një tjetër.” Hidhni një sy vajzave dhe grave tona: ato janë të bukura me fytyrën e dhënë nga Zoti në të gjitha ditët e vitit, me përjashtim të ditës, kur dalin nga parukeritë.
Te Shekspiri, falë gjenialitetit të tij, i takojmë të gjitha dukuritë e nyjëtimit të tekstit, të cilat do të shfaqen gjatë shekujve që do të vijojnë pas tij. E takojmë ekzistencializmin, katër shekuj para se ai të shfaqej si dukuri letrare në Europën e shekullit XX – të: “Të jesh a të mos të jesh, kjo është çështja”, apo absurdin në këto radhë po nga tragjedia “Hamlet”: “Një njeri mund të zërë peshk me krimbin që ka ngrënë një mbret dhe të hajë peshkun, që u ushqye me atë krimb”.
Kam bindjen se tekstet shekspiriane kanë kuptime të kodifikuara gjithkohore. Këto tekste presin lexuesin e kohrave për t’u dekodifikuar pamarimisht. Kur i lexon sot duken sikur janë shkruar jo para katër shekujve, por jo më larg se dje. Besoj se “dialogimi” me lexuesit e kohrave që do të vijnë do të jetë edhe më estetik se sa leximi i sotëm herë herë qëllimor.
Gjenia e Sheksipirit e ka mahnitur aq shumë kritikun amerikan Harold Blum, sa ky shprehet: “Nëse ndonjë autor është bërë një perëndi i vdekshëm, ky duhet të jetë Shekspiri.”

SHKARKO APP