Hamleti vdes përsëri
(Duke lexuar Zija Çelën në Nju Jork)
Nga Roland GJOZA
Në romanin “Goja e Botës” shkrimtari Zija Çela ka krijuar një qytet imagjinar, krejt të ngjashëm me qytetet tona dhe ku jeta tingëllon po aq reale sa vetë realiteti. Atje ka një teatër amator, në atë teatër luhet “Hamleti” dhe shumë qytetarë, ndonëse profanë e bilmeza, vërsulen kush e kush të dalë më parë në skenë me një pikësynim, të kapin rangun më të lartë të fisnikërisë. Të gjithë ia vënë syrin princit Hamlet, mbretit e mbretëreshës, Ofelisë e Horatit. Por kur s’ia arrijnë, janë të kënaqur gjithashtu duke u bërë shërbëtorë e lolo, spiunë e ushtarë të oborrit. Mbas shumë e shumë vitesh, më në fund vjen radha që rolin e protagonistit të Shekspirit ta luajë një profesionist, Juli Jusi, artist i shkolluar. Dhe këtu nis romani. Shfaqja sapo ka mbaruar dhe ndërkohë që gjithë aktorët po përshëndesin sallën, Juli Jusi mbetet i shtrirë. E pse nuk ngrihet? Sepse nuk mundet, Hamletin që krijon Zija Çela e kanë vrarë për së vërteti, e kanë qëruar tinëzisht dhe pa mëshirë pikërisht ata me të cilët ka luajtur, ata që e kanë duartrokitur, ata që kanë dashur të hiqen vetë si princa e si mbretër, fisnikë të shpikur. Në ç’çast e goditën, kush e goditi, me çfarë e vranë dhe sidomos përse e vranë, e asgjësuan me vetëdije apo pa vetëdije? Këto janë pyetjet e faqes së parë të romanit, pyetje që ndezin intrigën. Por si e ka emrin ky qytet? Quhet Fifarë. E ku ndodhet Fifara? Në një mal përkundruall kryeqytetit, prej nga mund të shihet Tirana.
Por jo, Fifara nuk ndodhet vetëm atje, Fifara është edhe këtu në Nju Jork, përveç komuniteteve të tjera, në komunitetin e shqiptarëve. Ka ngjyrën e përhime të banalitetit dhe vulgaritetit njerëzor. Dhe tërbueshëm po na rrethon. Prandaj “Goja e Botës” nuk është roman për t’u futur në çantën e plazhit, as që të lexohet para dremitjes. Këtë shenjë e kishin edhe dy romanet e mëparshme të autorit, “Las Varrezas” e “SOS, një buzëqeshje”. Do t’i quaja romane të krizës humane.
Hamleti këtu në Nju Jork kalon në Tajms Skuer dhe s’ka punë me Opera Metropolitan, teatrot e Broduejt, Radio Siti, Kernixh Holl e Moma, por me kafenetë shqiptare. Ç’rrezatim i tmerrshëm, morbit del prej këtij romani. Prandaj them se nuk lexohet as në tren. Ai lexohet poshtë në metronë me natë. Sepse është roman polisemantik, me shumë shtresa leximesh. Të mbysin asosacionet fluturuese. Dhe asosacionet fluturuese duan qiell. Po ku mund të lexohet? Vetiu më vjen një shije aristokratizmi, bëhem shijehollë dhe hyj në librarinë gjigante, më të njohurën, Barnes-Nobel. Atje shkruaj nganjëherë, por më fort kaloj nëpër duar librat e nobelistëve, Hertes, Sojnikës, Le Kleziosë, Pinterit, Kadaresë, që për mua e ka marrë çmimin. Aty më shijon fort dhe ky roman përballë Avenjusë së Pestë.
Zija Çela nuk ka si ta dijë se edhe këtu në Nju Jork vdiq dje një Hamlet i xhinsit fifaras. Vdiq në kafene i vetmuar, i zvetënuar prej jetës mizerabël. Vdiq e shkoi pa bujë. Ata që e vranë pak nga pak, por që ishin të pandërgjegjshëm për këtë vrasje, ia bënë nderet gjer në fund, duke i lënë edhe të holla në kafenen e tij të preferuar, siç e ka për zakon fifarasi.
Flitet dendur se shqiptari integrohet kudo që shkon dhe bën thagmën. Këtu ka diçka të vërtetë. Por pjesërisht të vërtetë. Mbasditeve, ashtu si në Shqipëri, shumica edhe këtej ndjek kinonovelat latine dhe, sipas kahjeve politike, paguan kabllin e televizionit. E ju lumtë, fifaras!..
“Goja e Botës” ka shenjën e apokalipsit, si dy romanet paraardhëse të Zija Çelës. Gjetja është madhështore, krejt e çuditshme për përmasat e saj universale. Nëse në teatrin e Fifarës skena është statike, vetë mali i Fifarës lëviz, ai është i thyer në mes e rrotullohet në atë bazë, teksa qyteti, që është skena e teatrit të jetës, herë kthehet nga lindja e herë nga perëndimi. Gjithë ngjarja në teatër, gjithçka si në teatër dhe gjithçka roman i mirëfilltë. Një vepër që dëshmon stadin e bashkëkohësisë për evoluimin e zhanrit, ku lënda, forma dhe fuqia shprehëse përparojnë së bashku.
Këto pëshpëris si litani në një kafene, e cila s’ka asgjë mistike që të mund të të kujtojë ndonjë katedrale ku organo është vënë në punë. Përkundrazi, këtu ende dëgjohet repisti Tupak dhe banakierja polake më nxjerr gjuhën, që unë t’i lë një takim dhe t’ia mbush grushtin me parà.
Dal në rrugë, në Fresh Pond, sikur jam në rrugën e Durrësit në Tiranë. Më ngjan se të gjithë janë veshur prej garderobës hamletiane, siç kam lexuar në roman. Por Hamlet nuk ka. Ata kërkojnë një tjetër, pas atij që sapo vdiq. S’ka gjë se deri tani janë luajtur (sa?) mjaft Hameltë, që kanë vdekur ashtu pa kuptuar, si prej një misteri. Ec e shpjegojua fifarasve të mi shkakun përse kanë vdekur, as që ta vënë veshin.
Mirëpo, ja, këta janë dhe lexuesit e Zija Çelës. A do ta kuptojnë? Kjo është çështja. Se këtu kemi arritur. Në librarinë Barnes-Nobel hyjnë e dalin njerëz, por jo fifaras, ata i ke në kafene. Hanë me një grykësi të madhe, pinë, bëjnë nga dy-tri punë, kanë probleme me fëmijët që rriten në shtëpi pa frymë, mallkojnë gjumin që u bën zbritjen e shumës së dollarëve, flasin shqip, e hapin televizorin në kanalin shqip, vënë kaseta nga dasmat e fisit, qajnë për gomarin që e kanë lënë atje në fshat dhe, në një sekuencë, ia shohin turirin aq të dhembshur që i thërret me kushtrimin e të parëve për atë jetën e përralltë fifarase.
Fifara… fifell… firaun… fir… onomatopeja e krizës. Po, tre romanet e Zija Çelës këtë temë tejet aktuale kanë. Ato shtjellojnë çoroditjen, hallakatjen, kaosin, degjenerimin e vlerave, rroposjen e tyre në batakun e banalitetit. Shquhu sapak, ji pak ndryshe, ose mbathja dhe vdis! S’ka alternativë tjetër.
Dhe romani kështu është konceptuar, gjithashtu nga forma është konceptuar si i hedhur në erë së pari me tritol, bërë copë e çikë. Por edhe në brendësi shkrimtari e hedh në erë “mburojën” e autorit, duke e identifikuar vetveten me emër, sepse Zija Çela bëhet personazh dhe e sheh veten si fifaras, ai u drejtohet atyre me vëllezërit e mi dhe ata i drejtohen me vëllai ynë. Por në fundin e romanit, ndonëse me 160 personazhe të numëruara, e gjithë tabloja është e gatshme, e gatshme në një ndërlidhje solide. Lexuesi tashmë e risheh si një mozaik me përmasa të mëdha, tronditës dhe të paharrueshëm. Duke qenë mjeshtër i artit dhe antropolog i dashurisë, autori e ka mbledhur tërë katrahurnajën, e ka bërë zap tërësinë e shkërmoqur për ta vënë para syve tanë gjysmë të verbuar nga çoroditja. A thua me shpresën se në këtë ringjallje gjen fillin e ngjizjes së diçkaje të re? Trajtuar me forcën që ka farsa dhe grotesku shekspirian, kjo shpresë e mban, shpresa se qyteti simbolik i Fifarës me 4680 banorë, por që e mban veten si kërthiza e botës, nuk do t’i vrasë më Hamletët e tij.