Hapet ekspozita “Shqipëria dhe shpëtimi i hebrenjve nga persekutimi dhe Holokausti”

Në kuadër të Konferencës të nivelit të lartë “Mbi Luftën kundër Antisemitizmit në rajonin e OSBE-së”, e cila shënon aktivitetin e parë të këtij lloji të Kryesisë Shqiptare, u inagurua edhe ekspozita “Shqipëria dhe shpëtimi i hebrenjve nga persekutimi dhe Holokausti” me pjesëmarrjen e Ministrit në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, delegacioneve zyrtare nga vendet pjesëmarrëse të OSBE-së, përfaqësuesve të organizatave ndërkombëtare dhe shoqërisë civile, etj.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj shprehu se kjo konferencë do të shërbejë për të konfirmuar zotimet tona për angazhimin e pakompromis kundër të gjitha trajtave të antisemitizmit, punën e pakursyer kundër gjuhës së urrejtjes e përpjekjen e pandalur për të forcuar shoqëritë demokratike nëpërmes edukimit cilësor.

Gjithashtu ai theksoi se edhe pas 75 vjet nga çlirimi i Aushvicit, antisemitizmi mbetet prezent në mënyra të ndryshme dhe forma të fshehura në të gjithë Evropën. Ndaj liderët botërorë duhet të dënojnë fuqishëm çdo akt të antisemitizmit dhe krimeve të urrejtjes.

Kryediplomati Cakaj u ndal në kontributin shqiptar pёr shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke ju referuar vlerës së patjetërsueshme të shoqërisë shqiptare, tolerancës dhe bashkëjetesës së shkëlqyer fetare. Në mbyllje, Cakaj falënderoi kontribuesit që bënë të mundur realizimin e kësaj ekspozite.

SHKARKO APP