Hapet pavioni i ri i Skëndërbeut në Muzeun e Forcave të Armatosura

Në nder të Gjergj Kastriotit Skëndërbeu është çelur një pavion i ri në Muzeun e Forcave të Armatosura, ku do të ekspozohen sende që kanë lidhje me heroin kombëtar. Ministrja e Mbrotjtjes, Olta Xhaçka shprehu angazhimin e ministrisë që drejton për të gjitha aktivitetet që do të zhvillohen në kuadër në vitit mbarëkombëtar të Skëndërbeut.

Në Muzeun e Forcave të Armatosura është çelur një pavion i ri që i dedikohet heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skëndërbeu.

Në këtë pavion janë të ekspozuara sende që kanë lidhje me heroin kombëtar, armë të përdorura në atë kohë, harta dhe stema të principatave të Arbërit dhe mjaft dokumenta të tjera.

E pranishme në aktivitet Olta Xhaçka shprehu angazhimin e Ministrisë së Mbrojtjes në veprimtaritë që do të zhvillohen në kuadër të vitit mbarëkombëtar të Skëndërbeut, që përkon me 550 vjetorin e vdekjes së heroit kombëtar.

Olta Xhaçka: “Ky pavijon është vetëm një simbolikë e angazhimit tonë për Vitin e Skënderbeut, ndërkohë që, muaj më parë FA kontribuoi në rehabilitimin dhe mirëmbajtjen e varrezave të dëshmorëve dhe monumenteve të kulturës në të 12 qarqet e vendit.

Shumë shpejt në kuadër të angazhimeve për Vitin e Skënderbeut, truproja e nderit dhe orkestra frymore e FA do të kenë një imazh tërësisht të ri dhe dinjitoz për të përfaqësuar një vend, ku heroi kombëtar ka qenë një prej strategëve më të mëdhenj të luftës. Historia dhe faktet dëshmojnë se, kur vlerat më të mira të traditës sonë projektohen në të ardhmen, e sotmja është edhe më e sigurt.”

Në çeljen e këtij pavijoni ishin të pranishëm edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, deputeti i Kuvendit të Shqipërisë Vullnet Sina, si dhe mjaft ushtarakë të lartë dhe të ftuar të tjerë.

SHKARKO APP