“Hieronymi, Arbëreshi i Italisë”, një dokumentar për Jeronim De Radën

Eshte shfaqur të mërkurën premierë në sallën UNESCO të Muzeut Historik Kombëtar “Hieronymi, Arbëreshi i Italisë”, një dokumentar që i kushtohet Jeronim De Radës, me autore gazetaren e mirënjohur, Beti Njuma.
Shëndetlig, por me një fuqi të madhe për t’i shkuar deri në fund projektit të tij madhor; zhvillimin e gjuhës shqipe, që do të çonte më pas në formimin e një shteti të qëndrueshëm shqiptar. Në të vërtetë, edhe pse i cilësuar si njëri prej ideatorëve më të mëdhenj letrarë e kombëtarë, Jeronim De Rada nuk e njihte vendin e tij të origjinës, madje nuk e pa kurrë atë në 89 vitet e jetës së tij. E megjithatë, kjo nuk ia lëkundi besimin se projekti, për të cilin ai kishte filluar të punonte çdo ditë, do të mund ta zhvillonte vetëdijen dhe krijimin e një populli kulturor, si kusht për krijimin e vetë shtetit.

Siç raporton ATSH, në premierën e shfaqjes së këtij dokumentari ishin të ftuar edhe nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Jeronim De Rada” në Tiranë. Sipas autores së dokumentarit kjo mënyrë prezantimi kishte të bënte me dëshirën e saj që, “Hieronymi, Arbëreshi i Italisë” fillimisht të shfaqej për një brez të ri, se sa për qarqet letrare dhe akademike, të cilët e njohin prej kohësh veprimtarinë e këtij mendimtari të shquar të Rilindjes sonë Kombëtare.
Dr. Dorian Koçi, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, në fjalën e tij të përshëndetjes, para se dokumentari të shfaqej për të pranishmit, do të vlerësonte autoren Beti Njuma, si një studiuese që i ka dhuruar historiografisë shqiptare 15-20 realizime cilësore, e ku shumica e tyre kishte të bënte me shtetformimin. Përsa i përket figurës së Jeronim De Radës, Dr. Dorian Koçi do të shtonte se: “Letërsia para Rilindjes Kombëtare në pjesën më të madhe të saj ishte një letërsi me tematikë fetare ndërsa De Rada është shkrimtari i parë që në mënyrën të dukshme e të vetëdijshme, me veprat e tij artistike, shkëputet prej saj”.
Vetë autorja Beti Njuma do të shprehej se, synimi i dokumentarit nuk ishte vetëm vepra e De Radës, me të cilën nis dhe letërsia moderne shqiptare, por të shpërfaqej dhe jeta e tij në çdo dimension njerëzor.
Vlerësoi punën për dokumentarin në fjalë edhe drejtoresha e shkollës 9-vjeçare “Jeronim de Rada”, znj. Rozina Kollçaku, e cila shtoi gjithashtu se po punohej vazhdimisht për të mbajtur lart emrin e mirë të këtij institucioni arsimor.
Dokumentari “Hieronymi, Arbëreshi i Italisë” erdhi për publikun me pamje ekskluzive, të operatorit Vladimir Grori, regjistruar në vendlindjen e poetit, fshatin e vogël Maki i Kozencës, fare pranë me Shënmitër Korona. Pjesë e dokumentarit, që vinin me trajtimin e jetës dhe veprës së themeluesit të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, ishin dhe zëra të njohur të kulturës sonë si studiuesit: Matteo Mandala, Klara Kodra, Moikom Zeqo, Lili Sula, Francesco Altimari e Shaban Sinani.
Nëpërmjet tyre dhe të vetë naratorres Beti Njuma, brenda një kufiri kohor prej 60 minutash, u transmetua e plotë gjithçka mund të thuhej e të mbetej në kujtesë për një figurë të ndritur si ajo e Jeronim De Radës.
Ka qenë mjaft e gjerë krijimtaria poetike e De Radës. Ai nisi të botojë që herët, por krijimi që i solli famën si poet me talent të shquar është poema lirike-epike “Këngët e Milosaos”, e cilësuar si e vepra e parë e letërsisë sonë me vlera të mëdha artistike. Më pas ai do të vazhdonte me botimet: “Një pasqyrë e jetës njerëzore”, “Serafina Topia”, “Skënderbeu i pafan”, etj.
Por, Jeronim De Rada, kaloi një jetë të vështirë. U përball me fatkeqësi të rënda familjare, ku shënohet si më tragjikja vdekja e gruas dhe e djemve. Por duket se as këto fatkeqësi nuk e mposhtën poetin, i cili vazhdoi deri në fund të jetës me projektin e tij madhor të zhvillimit gjuhësor të shqipes. E megjithatë po kaq tragjike ishte edhe vdekja e tij, në varfëri të plotë. Të gjitha këto, dokumentari “Hieronymi, Arbëreshi i Italisë”, realizuar nga Beti Njuma, do t’i sillte të zbërthyera më së miri, duke ngritur edhe një herë Jeronim De Radën në piedestalin e ideatorëve më të mëdhenj letrarë e kombëtarë të Rilindjes Shqiptare.

SHKARKO APP