Hiroshima, dashuria ime: Për art kundër farsës!

Nga Agron Shala

Të mos harrosh apo të harrosh? Ta thuash të vërtetën apo të gënjesh? Të bësh art apo propagandë?… Arti mund t’i tejkalojë pengesat e ta nxisë përafrimin dhe pajtimin mes individëve, madje mes popujve. Por, kjo nuk mund të arrihet me harresë, me gënjeshtra e me propagandë. Nëse zgjidhen këto të fundit, vlen ajo që ka thënë Marxi në një ese të vetën: “Historia e përsërit veten, së pari si tragjedi, së dyti si farsë”.

“Mos e pi helmin, Romeo! Krejt kjo është vetëm një… shfaqje”. Kështu e përfundon një shkrim të tij publicisti Fadil Lepaja. Ai merret me shfaqjen “Romeo dhe Zhulieta”, që më 2015 u realizua nga një kastë e aktorëve nga Prishtina dhe nga Beogradi, nën regjinë e Miki Manojloviqit. Synimi ishte që gjoja të thyhen barrierat politike në mes të shqiptarëve dhe të serbëve, të mundet urrejtja, sepse dashuria është e mundur, paçka që ndodhi një luftë e tmerrshme me vrasje e shkatërrime në Kosovë, e me rreth 20 mijë femra shqiptare që u “dashuruan” me zor nga serbët e uniformuar; paçka që për gjithë këto krime nuk ka as pranim e lëre më kërkimfalje nga pushteti në Serbi.

Lepaja në shkrimin e tij tregon edhe një rast se si në një qytezë të Kosovës, dikur në vitet e ’90-ta të shekullit të kaluar, një shqiptare u martua me një serb. Në kohën e pushtimit klasik, të shtypurit nuk mund të kishin mirëkuptim për vendimin e kësaj “Zhuliete”. Në rrethanat e tilla dashuria e saj me “Romeon” nuk ishte “çështje private”, aq më shumë kur ai ishte pjesë e mekanizmit shtypës e mizor antishqiptar. Në realitetin kur helmi dhe kama ishin të rezervuara veç për shqiptarët e kur rrezikohej madje qenësia e tyre, edhe Krishti do t’i korrigjonte fjalë e tij: “Duani armiqtë tuaj, bekoni ata që ju mallkojnë, u bëni të mirë atyre që ju urrejnë, dhe lutuni për ata që ju keqtrajtojnë dhe ju përndjekin”! (Mateu 5:44)

Dashuritë perverse të OJQ-ve

“Arti është forma më e lartë e shpresës”. Kështu është shprehur piktori i madh gjerman Gerhard Richter që, me veprat e tij – si pakkush për së gjalli – arriti të akumulojë pasuri prej qindra miliona dollarësh. Shpeshherë arti është edhe mjet i fuqishëm i disidencës dhe i revoltës shoqërore. Kështu, artistët gjithmonë kanë reaguar ndaj dhunës dhe ndaj padrejtësisë. Shembujt e tillë janë të shumtë në 100 vjetët e fundit, që nga Picasso e deri te Banksy. Por, kjo protestë artistike nuk mund të bëhet duke e fshehur të vërtetën; aq më pak me farsat që baraspeshojnë viktimën me xhelatin e ku marketingu ka më shumë rëndësi se arti. Ndaj, po për këtë duhet kujtuar Richterin i cili ka thënë edhe se “arti duhet të jetë serioz, jo shaka”. Sepse, “unë nuk tallem me artin”.

Në fakt, “Romeo dhe Zhulieta” dhe “dashuria” shqiptaro-serbe ishte tallje e OJQ-ve jo vetëm me shqiptarët, po edhe me artin. Kjo mund të shihet me përzgjedhjen e aktorëve në rolet kryesore – të Romeos dhe të Zhulietës. Ata që luajnë këto personazhe, kudo në botë, janë të rinj, kanë bukuri dhe dukje të padjallëzuar, sepse veç kështu i bëjnë për vete shikuesit: të jenë në anën e tyre, të kenë dhembshuri për ta, të jenë për dashurinë e jo për urrejtjen.

Në rastin e kësaj shfaqje, kjo dashuri (politikë) që në fillim ishte e destinuar për pak mirëkuptim e aq më pak aleatë. Mirëpo, nëse rrethanat e vitit 2015 – si edhe sot – flisnin për një dashuri të pamundur mes shqiptarëve dhe serbëve, kështu nuk menduan ata që qëndruan prapa këtij projekti. Edhe ata që luajtën në të. Së paku në fillim, me deklaratat në media. Kështu, aktori shqiptar në rolin e Romeos shprehej se njeh njerëz që çdo ditë udhëtojnë në relacionin Beograd-Prishtinë, shqiptarë e serbë. Sipas tij, kjo ndodhte “sepse ata po duhen”!

Por, shumica dërrmuese nuk po duhen. Ndaj, ashtu siç pritej – qoftë nga fabula e njohur e qoftë nga raportet reale shqiptaro-serbe – dashuria nuk triumfoi. Shfaqja nuk mbijetoi gjatë. Një aktor shqiptar që braktis projektin ka thënë se Manojloviqi e luante më shumë rolin e zëdhënësit të Qeverisë së Aleksandër Vuçiqit, meqë për të nuk ekzistonte Republika e Kosovës. Ndërsa, për “Romeon”, shfaqja u shndërrua në “pamflet politik”. Ndaj, vendosi të mos e “pi helmin”, e “Zhulieta” aq më pak ta “therë veten me kamë”! Kështu, montagët (shqiptarët) dhe kapuletët (serbët)… megjithatë nuk u pajtuan.

Për artin, me zemër dhe… tru!

“Romeo dhe Zhulieta” është një nga tragjeditë më të njohura të Shekspirit, ku gjithçka është “inverse”: intrigat e të këqijat bëhen ditën, e natën bëhet e mira – pra dashuria. Dhe, gjithçka ndodhë shpejt, brenda pesë ditëve – një si blic i shkurtër jete.

“Sepse, aq zgjat dashuria, ajo ma e madhja, shekspiriane, koha ku truri nuk funksion po veç zemra, ndaj je në gjendje të bësh gjithçka për të. Madje edhe të vdesësh”, ka thënë veprimtari Riza Lluka.

Delegati i cili më 1989 ishte ndër të paktët që e kundërshtoi planin e Sllobodan Milosheviqit për suprimimin e autonomisë së Kosovës, ishte ithtar i së vërtetës dhe sinqeritetit. Sepse, i tillë është çdo njeri që e do artin, pa interes. “Nuk duhet të harrojmë se arti nuk është formë e propagandës; është formë e së vërtetës”, ka thënë presidenti amerikan John F. Kennedy. Lluka vdiq më 2014 – një vit para se të bëhen “bashkë” në Prishtinë e në Beograd, një “Romeo” shqiptar dhe një “Zhulietë” serbe, shfaqje të cilën ai me siguri do ta bojkotonte. Për regjisorin Akira Kurosawa, një film duhet të bëhet me zemër e jo me mendje. Por, për Llukën dhe shumë të tjerë: “Pos zemrës, megjithatë arti do edhe tru”!

Dashuria shekspiriane pra është si një blic jete me dhembje të gjatë. Është si bomba atomike që shpërthen dhe pastaj lëshon rrezatim fatal. Nënshtrimi ndaj rrezatimit të madh të fuzionit të uraniumit, dëmton shpejt strukturat qelizore. Lëkura bëhet e kuqe e pastaj e zezë. Pastaj shkatërrohen qelizat dhe eshtrat. Bie imuniteti, organet dhe indet shpërbëhen. Arteriet dhe venat rrjedhin gjak. Asgjë nuk e ndal dhembjen. As vdekjen!

Me tmerret e rrezatimit (apo të dashurisë shkatërrimtare), nis një nga kryeveprat e kinematografisë botërore, “Hiroshima, mon amour” (“Hiroshima, dashuria ime”, 1959): me dy trupa të përqafuar, të zhveshur e të mbuluar me pluhur. Emrat nuk kanë rëndësi. Secili mund të jetë Ai. Secila mund të jetë Ajo.

Skena e parë me pamje bardhezi shfaq trupa me ngjyra të njëjta. E pastaj dy fytyra që i bashkon bukuria. Nuk ka ndarje, nuk ka racë. Nuk ka drejtim. “Ti nuk ke parë asgjë në Hiroshimë, asgjë”, thotë Ai. “Kam parë gjithçka”, përgjigjet Ajo. Jeta e tyre është mes gjithçkasë dhe asgjësë, mes dëshirës dhe traumës, mes privates dhe publikes, mes të tashmes dhe të kaluarës. Ajo është franceze, Ai është japonez. Mes tyre janë kujtimet.

Me skenar nga shkrimtarja e njohur Marguerite Duras dhe me regji nga Alain Resnais, ky është jo vetëm një nga filmat më të mëdhenj të Valës së Re Franceze, po nga më të mëdhenjtë në tërë historinë e kinematografisë. Një vepër tamam me zemër e me tru. Jean-Luc Godard e ka cilësuar madje si një nga filmat më inventivë, si “i pari pa referenca kinematografike”.

Jeta vazhdon, vdekja të ndjekë…

Regjisorit Resnais më herët i ishte kërkuar të bënte një dokumentar për Hiroshimën, një si vazhdimësi e filmit të shkurtër dokumentar, “Nuit et brouillard” (“Nata dhe mjegulla”, 1955), që ishte studim i kampeve naziste në Poloni. Por, asnjë artist nuk dëshiron ta përsërisë veten. Ndërkaq, kur është fjala te Hiroshima – viktimë e një blici të shkurtër shpërthimi që merr me vete gjithçka – ishte e pamundur ta shkruaje skenarin: të flisje pra për atë që nuk mund të thuhej me fjalë e as të përshkruhet me pamje ajo që nuk mund të paramendohet. Askush nuk mund ta dijë atë që ka ndodhur në Hiroshimë, e as ta kuptojë atë vuajtje. Ndaj, për skenar u angazhua një shkrimtare, që do të punojë jashtë standardeve të kohës. Me konceptin e Durasit, “Hiroshima…” është cilësuar edhe si invadim i letërsisë në kinematografi.

Ngjarja zhvillohet në verën e vitit 1957, kur një grua në të tridhjetat gjendet në Hiroshimë për të luajtur në një film për paqen në botë (Ajo që nuk po e gjen assesi paqen e brendshme!). Ngjarja nis një ditë para se të kthehet në Francë, pasi zgjohet nga një shtrat ku natën e kaloi me një inxhinier japonez.

“Se si janë takuar, kjo nuk thuhet në film. Këtu nuk është thelbi. Gjasa për takime ka kudo në botë. Ajo që ka rëndësi është se çfarë krijojnë këto takime të rëndomta”, ka thënë Duras në skenarin e botuar të filmit.

Të dy ata janë të martuar; të dy kanë fëmijë. Hiroshima – vendi i horrorit nuklear – po bashkon papritmas dy njerëz të largët si në aspektin gjeografik, ashtu edhe në atë filozofik, historik, ekonomik dhe racor. Sepse, siç shprehej skenaristja: “Sado e çuditshme, Hiroshima është terreni (ndoshta i vetmi në botë), ku faktorët universalë të erotizmit, të dashurisë dhe të mungesës së lumturisë, dalin në pah. Kudo mashtrimi është konvencion i pranuar, pos në Hiroshimë. Në Hiroshimë kjo nuk mund të ekzistojë, ndryshe do të denoncohej”.

Papritmas, kur Ajo bëhet gati për xhirimet e skenës së fundit të filmit për paqen, nxiten pasionet që Ai ta shohë sërish. Atëherë zgjohet e kaluara në Never, në qytetin francez ku është rritur dhe nga ku ka ikur Ajo. Në vitin 1944, kur ishte 20 vjeçe, dashnori i saj i parë – ushtari nazist gjerman – vritet gjatë çlirimit. Ajo, si turpi i familjes, do të qëndrojë e mbyllur në bodrum, me flokë të rruara nga masat e tërbuara. Gjithçka për të do të ndryshojë kur ikën për në Paris, pak para sulmit me bombë atomike në Hiroshimë. Ky ishte një si moment shpëtimi për të, për të harruar, por Ai u robërua nga kujtimet. Ai ishte larg, duke luftuar për Japoninë perandorake. Familjarët e tij e pësuan.

Jeta, megjithatë, vazhdoi për të dy. Por, edhe vdekja që po i ndjek jo veç në aspektin biologjik, por edhe të kujtimeve – si rrezatimi i pandalshëm atomik në Hiroshimë, qytetin që mundohet ta marrë veten e që nuk mund të shkëputet nga e kaluara.

Lufta… dhe lufta

Në tërë këtë rrëfim ka lojë me personazhet. Teksa Ajo flet për të kaluarën, Ai e pyet nëse ishte i vdekur kur ishte në bodrum. “Ishe i vdekur”, përgjigjet Ajo dhe tregon se e ka bërtitur “emrin tënd gjerman”. Në film ka edhe lojë fjalësh. P. sh., fjala “Amour” (dashuria) shqiptohet ngjashëm me “a mort” (deri në vdekje). Ndërkaq, qyteti Never në anglishte i bie “never” (kurrë). Filmi flet pra për dashurinë e madhe, atë shekspiriane, që ka shumë pak gjasa të ketë jetë të gjatë. Kjo është dashuria mes dy botëve të kundërta, si mes armiqve; është metafora e luftës dhe vuajtjes që ajo sjell. Dashuria është viktima e parë, bashkë me të vërtetën. Ajo u vra në Never. U vra edhe në Hiroshimë. Ajo është Never. Ai është Hiroshima. Këta emra që Ai dhe Ajo ia japin në fund njëri-tjetrit, nuk japin mesazhin “Hiroshima kurrë” – jo pra një tjetër holokaust nuklear. Por, mesazhin se dashuria e madhe të ndjekë si mallkim.

Harresa në këtë rast është shërimi i vetëm. Mirëpo, e kaluara (vuajtja) nuk duhet të harrohet. Jo vetëm pse kështu arti do të ishte në pikëpyetje për mungesë frymëzimi, por edhe e ardhmja. Regjisori Resnais nuk e bëri dokumentarin “Nata dhe mjegulla” për t’u harruar krimet në kampet e Aushvicit dhe të Majdanekut në Poloni. As filmin “Hiroshima…”. Sidomos jo në kohën kur plagët ishin ende të freskëta dhe vuajtjet pjesë e jetës së shumicës. Sepse, kujtesa mund të jetë barrë, faktor ndarës. Por, mohimi i saj mund të jetë më i rrezikshëm.

Në ceremoninë e 33-të të ndarjes së çmimeve Oscar (1961), Akademia Amerikane e Arteve Filmike dhe Shkencës e përfshin “Hiroshimën…” në nominimet për skenarin më të mirë – filmin që me fjalë dhe imazhe përshkruan edhe tmerrin që ka përjetuar Hiroshima nga bomba atomike, e hedhur prej forcave ajrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës: “Katër herë në muzeun e Hiroshimës. I shihja njerëzit tek endeshin aty. Njerëzit ecnin, të humbur në mendime, mes fotografive të rindërtimit, të mungesës së çdo gjëje… Katër herë i kam parë njerëzit në Muzeun e Hiroshimës. Edhe unë, e humbur në mendime, duke shikuar metalet e shkrira, metalet e përdredhura, metalet e ndjeshme si mishi. Kam parë buqetën me kapakë të shisheve. Kush do ta mendonte? Mishi i hequr i njeriut, sikur të ishte gjallë. Agonia është ende gjallë…”!

Më 1961 ishin bërë nëntë vjet qëkur forcat amerikane sovranitetin e Japonisë ua kishin dorëzuar vendorëve – pas reformave të shumta ushtarake, politike, sociale dhe ekonomike që Japoninë e shndërruan në shtetin më të zhvilluar dhe më të përparuar në Azi, primat të cilin ende a ka. E kaluara nuk u mohua, as nuk u falsifikua. Lufta e re ishte që armiqtë e vjetër të bëhen aleatë, gjithnjë në kushte të barazisë e të mirës së dyanshme.

Në anën tjetër, 20 vjet pas përfundimit të luftës, Serbia e mban Kosovën dhe të ardhmen e saj nën kërcënim të përhershëm. Këtë madje e bën edhe përmes asaj që mëton ta quajë art skenik, qoftë film apo shfaqje teatri. Ndaj, urrejtja është fatale e dashuria absurde. Në rrethana të tilla të harresës e të mohimit të së vërtetës – fatkeqësisht, gjithmonë me ndihmën e OJQ-ve dhe “artistëve” shqiptarë (siç ishte edhe filmi i vitit 2009, “Muaji i mjaltit” me regji të Goran Paskaleviqit, bashkëpunim mes Serbisë dhe Shqipërisë) – nuk ka art, as zemër e as tru. Ka veç gënjeshtra dhe propagandë në kurriz të shqiptarëve të Kosovës. Dhe… shumë helm!

SHKARKO APP