Historia e Kosovës, përmes rrëfimeve nga 100 pleq e plaka
Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”, do të bojë promovimin e veprës në dhjetë vëllime, “Kujtesa e Kosovës –100 rrëfime nga 100 pleq e plaka”.
100 rrëfime autentike dhe shumë të çiltëra që shpalosin gjithë botën e përditshmërisë në Kosovë, nga Lufta e Dytë Botërore deri sot, vijnë në rreth 5000 faqe transkriptesh të 100 intervistave me 100 pleq dhe plaka mbi 80 vjeç.
Ky projekt i realizuar ka për qëllim mbledhjen, dokumentimin, publikimin dhe promovimin e historive gojore të personave të moshuar të Kosovës dhe që përmes trajnimit të formohet një model dhe një qendër informative dhe trajnuese për krijimin e një bashkëpunimi të fuqishëm për historinë gojore në mes të studentëve, stafit të Bibliotekës, hulumtuesve të rinj dhe përfaqësuesve joqeveritar.
Temat që trajtohen në historitë gojore të 100 të moshuarve të intervistuar janë tema mbi organizimin e jetës, zakonet, organizimin e fshatit, duke përfshirë këtu zakonet ekonomike e edhe marrëdhëniet tregtare brenda dhe jashtë vendit.
Gjithashtu janë mbledhur historitë gojore të mbajtjes së fesë dhe tolerancës, artit dhe zejtarisë, martesave dhe të drejtave të grave në përgjithësi.
Promovimi i librave do të bëhet në hollin e Bibliotekës, duke filluar nga ora 11:00.