Historia e studentit që erdhi në ceremoninë e diplomimit me një bombul gazi në sup, si mirënjohje për babain
Albert Vataj
Në kohën e sotme, ku viraliteti shpesh lidhet me sensacionalen dhe jo me të ndjeshmen, ka momente që thyejnë këtë rregull të heshtur dhe rikthejnë humanitetin në qendër të vëmendjes. Ato janë çaste që zgjojnë tek ne një rezonancë të brendshme, një ndjesi përfshirjeje emocionale që kapërcen kufijtë gjeografikë dhe gjuhësorë, duke na bërë të ndjejmë përmes tjetrit atë që shpesh e kemi harruar ta ndjejmë për veten. Në një botë të mbingarkuar me imazhe e lajme, pikërisht një gjest i thjeshtë, por i madhërishëm në përmbajtje, i një studenti brazilian, arriti të ndalë vështrimin e njerëzve në mbarë botën.
Lorenzo Monfardini, në ditën më të rëndësishme të jetës së tij, diplomimin në Universidad Federal de Ouro Preto – u paraqit me një bombul gazi në sup. Jo si simbol ironie, por si shenjë e mirënjohjes së thellë për të atin, që për 26 vite kishte punuar në një kompani gazi për të mbajtur familjen dhe për t’i mundësuar të birit arsimimin.
Në videon e publikuar prej tij në rrjetet sociale, e cila brenda pak ditësh pushtoi internetin, Monfardini shihet teksa ecën mes duartrokitjeve, me bombulën në sup dhe me emocion në sy. Mbishkrimi që shoqëron videon është po aq i ndjerë sa gjesti vetë: “Kjo bombol gazi ishte pesha që babai im mbante për vite të tëra që unë të arrija këtë ditë. Sot ajo është simboli i dashurisë, përpjekjes dhe sakrificës që më dha krahë. Kjo diplomë është fryt i luftës, i durimit dhe i fitores sonë të përbashkët.”
Aty qëndron thelbi i këtij momenti që preku miliona zemra: mirënjohja – ajo ndjenjë e rrallë që i jep kuptim çdo suksesi, sepse e lidh njeriun me rrënjët e tij, me ata që e ndihmuan të ngjitet më lart.
Lorenzo u diplomua në inxhinieri prodhimi në nëntor të vitit 2024. Ai e pranoi se ideja për këtë homazh erdhi nga nëna e tij, e cila e dinte më mirë se kushdo se çfarë do të thoshte sakrifica e burrit të saj. “Vendosa t’i shpreh mirënjohjen time sepse e di luftën dhe përkushtimin që ai pati gjatë gjithë jetës, në mënyrë që unë të arrija diplomën që ëndërroja”, tha ai. “Ishte një moment që nuk do ta harroj kurrë.”
Në postimin e tij pas diplomimit, Lorenzo shkroi: “Kanë qenë pesë vite përkushtimi, sfidash dhe shumë mësimi. Tani mund të them me krenari se udhëtimi ia vlejti çdo përpjekjeje. Faleminderit të gjithëve që kanë qenë pranë meje, duke më mbështetur dhe duke besuar tek unë. Ky është vetëm fillimi i një faze të re dhe mezi pres të shoh se çfarë më pret e ardhmja.”
Kjo histori, e përhapur gjerësisht në rrjet, ka mbledhur mbi 1.5 milion pëlqime dhe mijëra komente nga njerëz që panë në këtë skenë një pasqyrim të vetes, të prindërve të tyre, të mundimeve të heshtura që shpesh fshihen pas çdo diplome. “Vëlla, çfarë historie e bukur!” – shkruan një komentues. “Urime që i tregove botës shembullin e babait tënd. Le të mos turpërohemi kurrë për rrugën tonë drejt së ardhmes. Çdo hap është plot djersë, qoftë i yti në studime apo i atyre që të ndihmuan të arrish atje.”
Në këtë kuptim, gjesti i Monfardinit nuk është thjesht një skenë prekëse. Ai është një leksion jetësor për vlerat, një kujtesë se asnjë arritje nuk është e vetmuar. Pas çdo diplome qëndron një histori sakrifice, një baba që ka ngritur bombula, një nënë që ka kursyer për librat, një familje që ka ëndërruar bashkë.
Në kohën e shpejtësisë dhe harresës, një bombul gazi mbi supe u bë një simbol universal i dashurisë dhe përulësisë, duke na rikujtuar se virtyti më i madh i njeriut nuk është suksesi që arrin, por mirënjohja që ruan.
KOHA JONË SONDAZH

