Homazh për Valltarin Fluturues, Rexhep Çeliku

Nga Dedin Suli*

Lajmi i hidhur për ndarjen nga jeta të Rexhep Çelikut më pikëlloi, se iku nga skena shqiptare një nga artistët më virtuozë të saj, një nga simbolet e paarritshme të saj, dhe ndjeva njëherit edhe një përdëllim kur dëgjova se të gjithë mediat në njoftimin- logo përmendnin: Valltari fluturues, duke marrë kështu një titull të librit tim monografik që kam shkruar për të.  Rexhep Çeliku aq shumë e ngriti të bukurën dhe e stilizoi, sa, e keqja: vdekja e pamëshirshme, një ditë u hakmor ndaj tij, dhe kështu këtë artist të mrekullueshëm nuk e kemi më, por mbetet në kujtesë dhe në fondin e artë të vallëzimit shqip emri i tij.  Rexhepi kishte pamjen, talentin dhe gjithçka që duhej për të qenë solist i parë në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve kaq vjet, e për të na sjellë valle aq të bukura që u duartrokitën nga një spektator me shije, pra, ai ishte bërë simbol i valles së bashku me mjeshtrin Besim Zekthi, duke paraqitur në frymë epike portretin e shqiptarit aq bukur, dhënë e pasqyruar me devocion shpirtëror dhe estetik.

Duhet thënë, jo thjesht për kortezi, as shpirmadhësi ndaj lajmit, se figura të tilla janë të rralla dhe lënë gjurmë të pashlyeshme , si për atë që e njeh mirë artin e koreografisë, po edhe për të apasionuarin e thjeshtë të artit të valles.  Në studimet e mia koreografike prej kaq vitesh, kam mundur të mbledh detaje jetësore për shumë artistë, të bëj një renditje informuese mbi biografinë e tyre artistike dhe repertorin, dhe më ka rezultuar se këta njerëz ishin së pari pasionatë, plus, këtu nuk përjashtohet edhe talenti , që, domosdo e kishin. Ata ishin njerëz që donin shokun, artin, nuk kishin ego të sëmurë , as xhelozi mbytëse, përkundrazi. Ndër artistët brilantë që bashkonte njeriun me artistin, padyshim Rexhepi , jo vetëm i lplotësonte këto, por ai manifestonte një qëndrim dashamirës ndaj të rinjve, sa kjo të impresiononte. Ndoshta kjo kishte të bënte me konstruktin e tij shpirtëror, dhuntinë e lindur, apo se ai vetë e kishte ndjerë përkrahjen, kur u shkëput nga puna e rëndë në ndërtim, dhe mjeshtri Panajot Kanaçi, pasi hetoi tek ai talentin, i dha përkrahjen e duhur duke e marrë në Ansambël. Që atëherë, 1971 e gjer më sot, puna e këtij artisti nuk njeh ndërprerje, një punë titanike me tetë mijë shfaqje dhe 32 mijë role, valltari fluturues do e ngrinte trupin pendë në ajër si të kapte qiellin e ëndrrave të artit dhe do ta ulte sërish në taban, duke na dhënë lëvizje kaq energjike dhe të harmonizuara me një lojë të zhdërvjellët, plot patos, elegant dhe stil kërcimi që ishte, ndoshta vetëm i tij, e duke u bërë një nga valltarët më origjinalë të valles shqiptare, me një dinamikë të pashtershme plot kolorit e mbresa të pafundme që freskonin e ndiznin zjarr skenën.

 Këto përshtypje nuk ka sesi të mos të vijnë e të mbeten në kujtesë, ndërsa mendon se, pas kaq kohësh, ende këto valle mbajnë dhe sinkronizojnë vlera të rralla në shenjën e dy tre artistëve të formatit të tij. Biografia artistikeve e këtij artisti të madh është e pasur, e gjerë, por mbi të gjitha kjo pasuri e begatë nuk luhatet , ajo është cilësore dhe e dukshme, një vlerë në fondin e artë të valles popullore shqiptare. Si interpret , ai nuk e ngurtësoi vallen, përkundrazi, i dha diçka e shumëçka nga talenti i vet, pamja, fuqia ekspresive e lëvizjes, u bë njësh me të dhe e udhëhoqi temperimin e saj drejt kuotave estetike, sepse Rexhepi i tillë ishte, një artist që punonte shumë, ai kishte respekt veneroz për publikun e tij dhe publiku e respektonte. Kjo ndërvartësi: artist-spektator, ia shtonte detyrimin edhe pse kishte një përvojë krijuese të jashtëzakonshme, kurrë nuk e pëlqente spekullimin artistik, përkundrazi , çdo numër e donte të realizuar në prefeksion. Falë tij, Ansambli i Këngëve dhe Valleve fitoi Gjerdanin e Artë në Dizhon, falë tij, Ansambli i Këngëve dhe Valleve u kthye në simbol përfaqësues të kulturës shqiptare në skenat e botës, sepse arti është sinjali më i sigurtë që hap çelësat e komunikimit midis popujve. Ndaj më erdh mirë që para ca ditëve, ai mori edhe titullin”Nder i Kombit” nga Presidenti i Republikës. Sepse ai punoi shumë për kombin e tij në fushë të artit, madhëroi më interpretim sa e sa valle duke i bërë ato më të bukura, më të këndshme e më burrërore në karakterin e valles shqiptare. Ai pati si partnere në valle Lili Cingun, edhe kjo një valltare e shkëlqyer. Së bashku krijuan vallen-duet, me një performim brilant;plot lirizëm, elegancë e hijeshi të pashoqe. Kujtoj këtu sa valle duet, si:”Bashkë me tufën”, ”Kcimi i Shotës”, ”Motive të Tiranës””Fluturojnë shqiponjat” etj, etj. Në këto valle ata plotësonin njëri tjetrit dhe i jepnin njëri tjetrit nxitje për të shpërthyer energjinë e lëvizjes, për të ngjizur frymën lirike, gjithnjë në një harmoni dhe ekuilibër të brishtë e mjaft elegant. Eleganca e këtyre valleve flirton me përjetësinë e frymës së ngrohtë njerëzore. Rexhepi nuk ishte thjesht një interpret i valles, një virtuoz i saj, po edhe një koreograf; ai u dha pas krijimtarisë së lëvizjes, gjeti motive të bukura, i krijoi e i transfiguroi, u dhe gjerësi dhe përmbajtje, dinamikë dhe vrull. Kujtojmë këtu vallet, ku punoi si koreograf: “Valle e maratonomakut,  Kukës”; “Valle e Malësisë së Madhe”, “Valle e Godoleshit”, “Valle Myzeqare”, “Valle e Delvinës”, “Valle e Tiranës”, ”Valle e Bilbilenjve”, “Valle cigane”, “Dasmë tiranase”, “Vallëzojnë shqipet” etj, etj.

Rexhepi pononte shumë me motivet popullore, po gjithnjë dinte ta ruante frymën e tyre. Ai ishte jo vetëm një valltar i zoti, po edhe një koreograf i përgatitur; në biseda e thoshte shpesh se kishte mësuar nga Panajot Kanaçi e Agron Aliaj, se ata jo vetëm e kishin nxitur, po edhe nuk kishin kursyer asgjë për të ndihmuar artistët e talentuar, sepse njerëzit e mëdhenj nuk janë cingunë, ata janë shpirtgjerë dhe kurajozë, sa ç`i shërbejnë personalitetit të vet krijues, aq i shërbejnë edhe kauzës së artit, dhe arti ua shpërblen këtë mundim duke u dhënë kryet e vendit në panteonin e vlerave të përjetshme.

Rexhep Çeliku diti gjithnjë të krijonte ndërlidhje brezash, e shihje gjithnjë që punonte me valltarë të rinj, ishte kërkues dhe nuk falte në aspektin e respektimit ndaj vlerës, i nuhaste talentet e rinj, i çmonte dhe i vlerësonte, por duhet të themi të drejtën se Ansambli nuk është më ai që ishte, ndonëse tradita e tij është aq e pasur dhe e fortë, sa t ë bën të shpresosh se një ditë ai do ringrihet dhe do shkojë në ato nivele; por gjithnjë nuk duhet harruar se këtë Ansambël e ngritën mjeshtra të vërtetë si: Panajot Kanaçi, Besim Zekthi, Rexhep Çeliku, korifej të koreografisë dhe të valles, artistë të vërtetë, të palodhur dhe kurajozë, edhe pse shpesh punuan në kushte të vështira, ata ditën t`i çajnë barrierat në saj të talentit të tyre dhe pasionit të fuqishëm me një dashuri të pakufishme për artin dhe të bukurën. Artistë të tillë mbeten gjithnjë një pikë referimi ndaj asaj që mund të arrihet në një shkallë afër absolutes, një nevojë për ta konceptuar ëndrrën e së bukurës si një udhë që shtrohet drejt së mundshmes. Rexhep Çeliku iku shpejt, ai ishte ende i ri, i fortë, por, më duhet të gjej një arsye që të mos e përfundoj fjalinë në dëshminë e një fakti që ai nuk është më, ndërsa, sidoqoftë më duhet të vetëmblidhem pak dhe të pranoj se ai nuk është më. Veç, mbetet vepra e tij artistike plot dritë e begati, kujtesa e një artisti të dashur, një mjeshtri të vërtetë, pa e tepruar këtë fjalë e duke thënë pa droje. Po, ai ishte një mjeshtër i valles shqiptare, një korife i saj, solist më duket më e ngushtë, një mik i të gjithëve, një ndihmues dhe inkurajues, një yll që vezulloi gjatë në skenë dhe solli gjithnjë freski, mahnitje dhe dashuri për të bukurën. Lamtumirë, mik i shtrenjtë, Rexhep Çeliku…

*Studiues, koreograf

SHKARKO APP