Humbi të birin, poezia prekëse e Açkës: Kushedi në ç’mors lexon tani

Një muaj më parë, shkrimtarja Flutura Açka përjetoi një nga fatkeqësitë më të mëdha që mund të përjetojë një nënë: humbjen e birit të vetëm.

Shkrimtarja është rikthyer në Tiranë ku ka hapur dyert për të pritur miq e dashamirës, të cilët i kanë shprehur ngushëllimet për humbjen e djalit të saj në lule të rinisë, Jerinit.

Sot përmes një postimi në rrjetin social, Flutura Açka ka publikuar disa vargje rrëqethëse, të cilat ia dedikon të birit të ndjerë bashkë me këtë foto të tij me diellin mbi krye. Ajo ka gjetur forcën t’i rikthehen penës, duke përkthyer gjithë dhimbjen, mungesën, zbrazëtinë dhe trishtimin që ai la pas…

Ja postimi i plotë i shkrimtares:

Roja i dritës

Ti kishe kaq qiell brenda teje,
sa dhe dielli bante ndejë n’tandin sy,
e drita xhelozohej kur fikej mramjeve,
horizontit ankohej,
se s’mundej me të ngja ty.
Kurdisur n’buzëqeshje
kraharori yt ende jep gurgullimë,
andrrës dhe zhgjandrrës të çajë thurjen e pezmët
të trishtimit tonë, mësyn.
Është larg, n’rini të përjetshme,
mbretërinë e Askundit lyen me bojë njeriu,
i pakorruptueshmi shpirt,
i papërlyemi kurm,
e pavramja ndjenjë,
xeherore qe s’e prek kush thellimave,
ekzistencë diku, gega im,
“the terrible beauty”* në më t’gjatin mërgim.
Ti dashuria që ecje,
ti buzëqeshja baretëse,
ti i thikti rrezatim mirësie,
kushedi në ç’mors lexon tani,
vajin tonë që lutet për kthim.
Ti roja i dritës,
përgjon errëtitë që aviten të na nxijnë,
të na derdhin mjerim.
Tani shkel në dhera të pastra,
e ëndrrash të qashtra shtigjesh nget,
ti nezra e përjetshme,
nuk fikesh si kandil,
as flakë qiriri topitur erës,
shembëllim i largët i një ylli kushediku,
tatuazh i shpirtit mbet…

“The terrible beauty” (bukuri mizore), varg i John Keats

 

SHKARKO APP