I ftuar special në Festivalin e RTSH, Meta: Kthehem se kam rrënjët e mia
Ermal Meta, është i ftuar special i edicionit të 57-të të këngës në RTSH. Artisti ngjitet në skenën e Pallatit të Kongreseve gjatë natës së parë të festivalit, mbrëmjen e 20 dhjetorit, për të interpretuar dy këngë, atë fituese në Sanremo “Non mi avete fato niente” dhe” Piccolo anima”. ”Është vendi im, këtu kam rrënjët, rrënjët nuk shkulen kështu që është një gjë natyrale për mua”,-tha Meta.
Artisti me origjinë shqiptare, ndonëse është ngjitur pesë herë në skenën e Sanremos, çmimin e parë ende edhe sot e konsideron një fitore shumë të madhe. A ka menduar që të këndojë në shqip, apo edhe të shkruajë në shqip.
”Kam shkruar disa gjëra, por nuk ndihem akoma gati. Nuk e ndiej veten akoma gati. Kam nisur që të shkruaj në moshën 15-16 vjeç. Nisa në një gjuhë tjetër. Një gjuhë nuk mjafton që ta flasësh vetëm në shtëpi. Duhet që ta jetosh në të gjitha aspektet e jetës, që bën çdo ditë. Edhe pjesa më poetike fshihet në gjërat më të mita, më të vogla, besoj se do të më duhet pak më shumë kohë. Një këngë me një motiv shqiptar e kam shkruar për diskun e ri, besoj se do jetë një gjë shumë e bukur për mua”,-thotë Meta për ”Report TV”.
Ermal Meta ka një falënderim të veçantë por jo vetëm për ata që e ndihmojnë. Meta ngjitet në skenën e Pallatit të Kongreseve në datë 20 dhjetor, natën e parë të Festivalit të Këngës.