I jepet lamtumira studiuesit të artit Gëzim Qendro
Përcillet për në banesën e fundit studiuesi i artit Gëzim Qendro. Homazhet për nder të tij u bënë në bibliotekën e Galerisë Kombëtare të Arteve, të cilën ai e themeloi në vitin 2001 me më shumë se 2000 tituj. Ishte një nga pikat kthesë që Qendro i dha këtij institucioni, deri atëherë të izoluar me fanatizëm.
“Librat që erdhën në bibliotekë janë libra krejt të ndryshëm, të pa cekur, të paprekur le të themi edhe nga studiuesët edhe nga publiku shqiptar, edhe nga studentët. Pra bëri një bibliotekë model”,-tha Suzana Kuka.
Rexhep Ferri ka ardhur nga Kosova t’i shprehë mirënjohjen këtij njeriu që i vuri në një nivel të ri marrëdhëniet me artin në Kosovë dhe Ferrit piktor modernist i ka kushtuar një monografi.
Gjatë 4 viteve Qendro rinxorri në dritë 90% të fondit të veprave të realizmit socialist. Sipas një propozimi konceptual, që ndeshi në mjaft rezistencë, ai i ekspozoi në dy linja: “Surrealizmi socialist”, “Homo Socialisticus”, propozime që gjetën jehonë në muze ndërkombëtarë të artit.
Që diktatura komuniste kishte lënë pas të gjallë një trup politik, ishte një nga tezat për të cilën Qendro ka punuar gjatë. E kanë ndjerë veten fatlum ata artistë që fituan vëmendjen e tij dhe sot kanë arsye të jenë të trishtuar.