“I love Tropoja”, Mamaqi dhe Veliaj: Kush ka kartën e studentit përfiton biletë me përgjysmim çmimi
Pas suksesit të filmit komedi dhe romancë “2 Gisht Mjaltë”, nga data 29 Janar-12 Shkurt, do të shfaqet në Pallatin e Kongreseve filmi më i ri i Ermal Mamaqit “I love Tropoja”. Gjatë takimit me kryebashkiakun Erion Veliaj bashkë me kastën e aktorëve që morën pjesë, Mamaqi dha lajmin e mirë për të gjithë ata të rinj që posedojnë kartë studenti, që do të mund ta ndjekin me gjysmën e çmimit të biletës. “Jam shumë i lumtur sot që gjeta një surprizë fantastike në zyrën time. Një skuadër nga Tropoja ka mbërritur në Bashkinë e Tiranës. Thonë që ka prodhuar një film që quhet “I love Tropoja”. Thonë që ka pushtuar Pallatin e Kongreseve për disa ditë, thonë madje, kjo është shumë e mirë për të qenë e vërtetë, që do të japin gjysmë çmimi të gjithë studentëve në Tiranë me Kartën e Studentit. Nëse këto janë të vërteta, do të duhet që t’i zbulojmë nga vetë producenti, shkëlqesia e tij Ermal Mamaqi që na ka nderuar me gjithë miqtë e tij nga “I love Tropoja””, tha kryebashkiaku Veliaj.
Ermal Mmaaqi tha se mjafton që të rinjtë të paraqesin kartën e studentit dhe do të mund të shohin sa herë të duan filmin duke përfituar 50 % ulje. “Dua që t’i ftoj të gjithë studentët, edhe ata që kanë ngelur dhe kanë akoma kartën, në Pallatin e Kongreseve, nga data 29 Janar-12 Shkurt, mund të vijnë të paraqesin këtë kartën. 6 orare në ditë, duke filluar nga ora 11:00 e paradites deri në 12 të natës. Me këtë kartën përfitohet 50% ulje. Kujdes, jo te kokoshkat, vetëm për biletat”, u shpreh Mamaqi.
Bashkia e Tiranës ishte e para në rang vendi që përgatiti Kartën e Studentit. Kjo kartë është mjeti nëpërmjet të cilit studentët përfitojnë mjaft avantazhe, tarifa të reduktuara dhe oferta të dedikuara, si nga institucionet publike ashtu edhe nga subjektet private. Paisja dhe paraqitja e kartës është e detyrueshme nga ana e çdo studenti për përfitimin e këtyre avantazheve.