Ia doli të bënte humor edhe në diktaturë, regjisor i njohur i skenës shqiptare, Pëllumb Kulla feston 80-vjetorin
Mes humorit, krijimeve dhe kujtimeve të së shkuarës, në rrugën e gjatë si shkrimtar, dramaturg dhe regjisor i njohur i skenës shqiptare, Pëllumb Kulla festoi ditëlindjen e tij të 80. Ai ishte kthyer në Tiranë nga SHBA për pushime pranë të afërmve dhe zgjati qëndrimin e tij sepse miqtë i kishin përgatitur një mbrëmje surprizë.
Fëmijët, bashkëshortja, miq, koleg të tij të skenës dhe personalitete të njohur të artit, u mblodhën për të festuar ditëlindjen e tij në një festë të kuruar në detaje tek Arturbina, një mbrëmje e organizuar nga Universiteti Europian i Tiranës dhe Sirea.
Një jetë kushtuar krijimtarisë artistike, skenës, artit e letërsisë së Pëllumb Kullës që ka lënë gjurmë në kohë e në memorien e njerëzve. Krijimet dhe batutat e tij luhen e dhe sot e kësaj dite në skenën shqiptare. Momente të shkurtra nga jeta e tij në skenë u shfaqën si filma me metrazh të shkurtër në ekranin e madh.
Një jetë intensive, e mbushur me krijime dhe të qeshura, të cilat trazoheshin me realitetin e hidhur të regjimit të asaj kohe. Por Pëllumbin nuk e ndali asgjë, ai ia doli të bënte humor edhe në diktaturë.
Mbrëmja u shoqërua me interpretime të krijimeve të tij si: “A doni më për Belulin”, “Po martojmë Malon”, “Telefoni i ri në shtëpi”, “Po hajduti nuk ka faj?”, “Farat e Sharqirit”, “Tela dhe izolatore”, aq të dashura për publikun shqiptar në trajtimin mjeshtëror të fabulës që përcillet me nota humori e të qeshura.
Kolegët e tij të skenës dhe emra të njohur të skenës së artit skenik e nderuan mjeshtrin e humorit, duke rikujtuar edhe momente që janë skalitur në mendjet e tyre. Buqetat e luleve e mbushën skenën në përfundimin e mbrëmjes, në momentin e fryrjes së qirinjve, surprizën më të bukur Pëllumbi e mori nga i biri, i cili i kishte premtuar një telefonatë nga përtej oqeanit, por në të vërtetë ai kishte ardhur aty për të bërë surprizën më të bukur për 80- vjetorin e të atit.