Ilia Shyti, i anatemuari i diktaturës, aktori i madh i roleve të vogla, “gjyshi” i përrallave, i apasionuari i pikturës

Nga Albert Vataj

Më 26 nëntor 2003 ndahet nga jeta Ilia Shyti, një prej personaliteteve origjinal të artit tonë skenik, veprimtari i palodhur i artit, “gjyshi” i përrallave, i apasionuari i pikturës. Ai ishte dhe mbeti i plazmuar në kujtesën e atij brezi që u rrit me artin e tij, në galerinë e bollekshme të roleve që ai luajti, një shpirtin dhe pasionin që ai i blatoi artit që pati jetë.

Kujtesa dhe mirënjohja për artistët e skenës dhe kinematografisë, në këtë periudhë diversiteti të pikëpamjeve dhe qëndrimeve për filmin shqip, të përplasjes së mendimeve dhe mendësive, të një tendence për të purifikuar të sotmen, duke anatemuar të shkuarën, dhe një lufte të zellshme dhe të pamëshirshme për ta shpallur artin kinematografik në veçanti, dhe atë skenik në përgjithësi, si “armik” i demokracisë, bëri që mallkimiada dhe harrimi të binin mbi personalitete të artit.

Ilia Shyti, nëse në diktaturë për një cen në biografi, konkretisht arratisja e vëllait në SHBA, për fat, ju dhanë role të dyta dhe disa herë episodike, sot, pak ose aspak kujtohet dikush të ketë aq mirënjohje dhe respekt për veprën e tij, që duke e kthyer në kujtime përvjetorësh, të shprehim konsideratë për çfarë ai dhe gjithë brezi i tij i dhanë artit skenik, kësaj tradite të shkëlqyer, me të cilën kemi të drejtë të mburremi, pavarësisht ideologjisë që goditi si kudo edhe artin skenik, duke u përpjekur për ta shndërruar atë në një mjet propagande dhe denigrimi.

Në një intervistë për Albanian Free Press, vajza e aktorit tregon se i ati, Ilia Shyti, “e pati peng të madh faktin që nuk u nderua me titullin “Artist i Popullit”, për shkak të “njollës” në biografi, pavarësisht kontributit të madh e të gjatë. Kur mori titujt “Qytetar nderi” në Lushnjë e në Fier, kur pa turmën e madhe me njerëz që erdhi dhe e përgëzoi, e shprehu këtë peng të tijin por gjithmonë shumë lehtë dhe i rezervuar”.

Gjithsesi, figura e burrit shtatshkurtër e flokëbardhë, zëri i ëmbël e i butë, buzëqeshja e çiltër dhe shprehia e tij melankolike, janë ajo që ka mbetur së bashku me numrin e madh të roleve që ai solli. Për disa dekada ai, ka mbetur ende, ai; gjyshi, vëllai, babai i dhimbshur e i dashur për të gjithë, kjo falë edhe qindra përrallave që përcillte zëri i tij në Radio Tirana.

Ilia Shyti u lind në qytetin e Lushnjës në 19 korrik 1929. Mbasi mbaroi shkollën fillore punë që në moshë të re si çertexhi, gomist, etj. Që i vogël ishte i apasionuar pas pikturë, një ëndërr që ai nuk e la të të vdiste. Në vitet e luftës aktivizohet në grupet e të rinjve. Në vitin 1944 del partizan, ku krahas luftës angazhohet me teatrin partizan. Me çlirimin e vendit, Ilia Shyti aktivizohet me grupet amatore, ku dha shfaqje në Fier e në Lushnjë që në vitin 1945, kur akoma nuk e kishte hequr rrobën e luftës. E suksesshme ka qenë shfaqja “Pleqtë dhe lufta”, ku krahas tij interpretonte dhe aktori tjetër Prenkë Lëkunda. Deri në mars të 1947, Ilia ishte ushtar në Korçë dhe ku përsëri ai aktivizohet me amatorët. Të kësaj periudhe janë disa shfaqje të suksesshme, në të cilat ai luajti role kryesorë si në “Zonja Ingra e Oksfordit”, etj. Në Korçë, Ilia Shyti do të njihej me piktorët,Vangjush Mion, Guri Madhin, etj. Në mars 1947 Ilia kthehet në qytetin e tij të lindjes për t’ju kushtuar me plot pasion artit. Emërohet drejtor i Shtëpisë së Kulturës në Lushnjë, ku krahas punës drejtuese bënte edhe regjisorin, edhe skenografin, edhe aktorin e shfaqjes. Deri në vitin 1951 në Lushnjë u vunë pjesë të suksesshme e me nivel të lartë artistik si “Zotnia në thes”, e cila u dha në të 130 fshatrat e Lushnjës, “Po këta ku janë”, të Andrea Malos, “Endra me nishan”, 6 dashnorët”, etj. Ilia luante rolin kryesor dhe në Olimpiadat kombëtare u nderua me medalje që i dhanë të drejtën për të ardhur në Tiranë si aktor paranë Teatrit Kombëtar, në fund të 1951-shit. Roli parë në teatër është roli i Xha Veliut tek “Vajza nga fshati” e Fatmir Gjatës në vitin 1952 nën regjinë e Pandi Stillut. E më pas do të vinin role të suksesshme të tij në shumë drama e komedi, si në “Votra e huaj”, “Familja e peshkatarit”, “Orët e Kremlinit”, “Karavidhet”, “Karnavalet e Korçës”, “Shtëpia me dy porta”, “Lumi i vdekur”, etj. Gjatë gjithë jetës së tij artistike në Teatrin Kombëtar, Ilia Shyti interpretoi mbi 100 role. Doli në pension në vitin 1985, por nuk u shkëput nga teatri deri vonë. Drama e fundit e luajtur prej tij në Teatrin Kombëtar është “Fando dhe Lis” në vitin 1994. Krahas teatrit, Ilia Shyti mban edhe rekordin e interpretimeve në filmin artistik shqiptar. Janë rreth 50 role të interpretuara prej tij në film që nga filmi “Tana” e deri në filmin “Tingujt e Harresës”. “Unë nuk i bëja naze rolit, i madh, apo i vogël. Kjo më ka dhënë mundësi që të interpretoj pothuajse me të gjithë regjisorët dhe aktorët tanë” mësohet të jetë shprehur ai. Ilia Shyti përveç punës së palodhshme në teatër e në film ka bërë një punë të madhe edhe në teatrin amator. Ai ka dhënë shfaqje e ka udhëhequr trupat e ndërmarrjeve e institucioneve në olimpiada teatrale, ka dhënë shfaqje në rrethe, qytete e fshatra të Shqipërisë. Dobësia e Ilias janë fëmijët, ku ai me zërin e tij të ngrohtë edukoi sa e sa breza fëmijësh me emisionet e përralave e radiodramatizimeve të shumta për vite me radhë. Janë mbi 2000 përralla të interpretuara prej tij që trasmetohen edhe sot në Radio Tirana në emisionin satelitor dhe të bashkatdhetarëve.

Pasionin e madh për teatrin Ilia Shyti nuk e ndau për asnjë çast nga pasioni i tij për pikturën. Në vitin 1989 Ilia Shyti hapi një ekspozitë me mbi 100 punime të tij tepër të veçanta; portretet e artistëve në skenë. Që nga teatri partizan e deri sot. Janë mbi 300 piktura.

Për të patur një ekspoze sa më të plotë të asaj se kush ishte Ilia Shyti dhe cili ishte kontributi i tij dhe pse brezave u mbetet detyrim mirënjohja dhe respekt për emrin dhe veprën që ai la si testament të artit, lipset të bëjmë një paradë njohjeje në rolet që ai bëri në teatër, që ishin jo pak, por mbi 100. Nis kjo kolanë rolesh me:

Vajza nga Fshati, Familja e peshkatarit, Votra e huaj, Toka jonë, Dragoi i Dragobisë, Kulla e hutajve, Përkolgjinajt, Kopshti i jargavanëve, Njeriu që pa vdekjen me sy, Orët e Kremlinit, Arturo Ui, Një nuse për Stasin, Viti 1961, Halili dhe Jajria, Shtatë shalianët, Trimi i mirë me shokë shumë, I çuditshmi, 14 vjeç dhëndër, Lumi i vdekur, Shtëpia me dy porta, Karnavalet e Korçës, Hamleti, Mbreti Lir, Otello, Gratë gazmore të Uindsorit, Prefekti, Fytyra e dytë, Mbi gërnmadhat, Cuca e Maleve, Zonja nga qyteti, Karavidhet, Hekurat, Shënomëni dhe mua, etj, etj.

Për të vijuar me rolet e tij në kinematografi: 1958: Tana, 1963: Detyrë e posaçme, 1965: Vitet e para, 1972: Yjet e netëve të gjata, 1973: Brazda, 1959: Furtuna, 1973: Qyteti më i ri ne bote, 1974: Rrugë të bardha, 1978: Dollia e dasmës sime, 1979: Nga mesi i errësirës, 1979: Pranverë në Gjirokastër, 1978: Koncert në vitin 36, 1979: Radiostacioni, 1979: Ne vinim nga lufta, 1979: Gëzhoja e vjetër, 1980: Vëllezër dhe shokë, 1977: Fije që priten, 1981: Qortimet e vjeshtës, 1980: Intendenti, 1982: Nëntori i dytë, 1987: Këmishët prej dyllë, 1989: Telat e violinës, 1986: Djali elastik, 1985: Fundi i një gjakmarrje, 1984: Shirat vjeshtës, 1985: Asgjë nuk harrohet, 1987: Kur hapen dyert e jetës, 1986: Një jetë më shumë, 1986: Gabimi, 1987: Botë е padukshme, 1987: Rrethi i kujtesës, 1989: Tre vetë kapërcejnë malin, 1989: Pesha e kohës, 1897: Treni niset në 7 pa 5, 1983: Një vonesë e vogël, 1961: Debatik, 1964: Toka jonë, 1971: Mëngjese lufte, 1973: Mimoza llastica, 1975: Gjenerali i ushtrisë së vdekur, 1978: Liri a vdekje, 1979: Në shtëpinë tonë, 1974: Goditja, 1982: Era e ngrohtë e thellësive, 1984: Kohë e largët, 1984: Zambakët e bardhë, 1993: E diela e fundit, 1995: Tingujt e harresës, etj.
Ky ishte Ilia Shyti, ai që dha gjithë jetën e tij një përkushtimi dhe një punë të vëllimshme. Kudo, kudo ku ai kërkoi të linte gjurmën e vet, e skaliti atë me pasion dhe besim, me ngulm dhe vullnet qëndrestar. Dhe ishte jo pak ajo që ai bëri, ajo çfarë ai la, që ne sot, me përulësi dhe respekt ta nderojmë dhe t’i jemi mirënjohës.

SHKARKO APP