Inspektime në kishën e Shën Todrit, Lushnjë
Specialistët e Institutit të Monumenteve të Kulturës kanë kryer një inspektim në kishën e Shën Todrit në fshatin Kadipashaj, Lushnjë. Inspektimi kishte si synim kontrollim teknik të monumentit dhe evidentimin e problematikave për hartimin e projektit të restaurimit. Gjatë inspektimit u konstatua se monumenti kishte dëmtime në strukturën e çatisë, si dhe disa probleme të karakterit konstruktiv. Gjithashtu, u inspektua gjendja e pikturës murale, ikonostasit dhe elementëve të tjerë drusorë. Nga ana e specialistëve do të hartohet projekti i restaurimit të kishës, që përfshin ndërhyrje restauruese dhe konsoliduese për problematikat aktuale të monumentit.
Kjo kishë është pikturuar nga Johan Çetiri dhe nipi i tij Nikolla nga Grabova, në vitin 1801. Ndryshe nga shumë kisha të Myzeqesë, këtu pjesët përbërëse, naosi, narteksi dhe hajati, janë të dalluara nga njëra-tjetra. Naosi është i tipit bazikal, me përmasa të brendshme 14×8,40 m, i ndarë nga dy radhë kolonash druri në tre nefe. Kolonat janë të veshura me dërrasa. Ato janë të lidhura ndërmjet tyre me harkada në drejtimin gjatësor. Edhe arkadat janë ndërtuar me strukturë çatmaje (me kallama).
Naosi është i pajisur me tavan dërrase, i cili përmban në pjesën qendrore një thellim të imitimit të kupolës qendrore. Në anën perëndimore del në formë tribune ose ballkoni i brendshëm gjinekotini. Naosi ndriçohet bollshëm nga dritare të shumta të hapura në pjesët e sipërme të mureve verior dhe jugor. Hyrja bëhet nga ana perëndimore. Ai është dy katesh, të lidhur me njëri-tjetrin me shkallë druri. Kati i dytë i narteksit, siç e thamë dhe më sipër, del në hapësirën e naosit në formë tribune.
Në pamjen e jashtme mbizotëron volumi i lartë i naosit, i cili lehtësohet nga një radhë dritaresh të mëdha. Harkada e hapur e hajatit e bën më transparente dhe më të lehtë gjithë pamjen jugore. Muratura e kishës është ndërtuar me gurë deri në gjysmën e lartësisë, ndërsa pjesa e sipërme është ndërtuar me kulla. /Ata/