Inva Mula dhe Florian Vlashi, koncerte në Korçë e Durrës
Sopranoja Inva Mula dhe violinisti Florian Vlashi, do të interpretojnë në festivalet respektive, që ata organizojnë këto ditë në Korçë dhe Durrës. Dy artistët e njohur do të jenë protagonistë me koncertet e tyre në Bienalen e Muzikës Klasike Durrës dhe në Festivalin MIK në Korçë. ”Bravo Florian, të jam shumë mirënjohëse për çka bën ti dhe familja jote për artin dhe mbi të gjitha për vendin, i cili ka shumë nevojë për energjinë dhe talentin tënd”, shkruan Inva Mula.
Sipas instrumentistit durrsak, “Inva është një diamant i mirëfilltë dhe, si të gjithë sistemet kristaline ka shumë faqe, të cilat janë në një harmoni të përkryer me njëra-tjetrën. Dhe kur aty hyn pak dritë, ajo shndërrohet në një magji”. Florian Vlashi do të ngjitet në skenën e teatrit “A Z Çajupi” të Korçës më 25 korrik i shoqëruar nga pianistja Fjorda Veizaj dhe do të interpretojë Sonatën “Espanola” nga Joaquin Turina, si dhe “Valle spanjolle” nga Enrique Granados.
Inva Mula e shoqëruar nga pianisti Genc Tukiçi dhe grupin instrumental “Shekulli i XX”, një javë më vonë do të jenë në Durrës për të çelur edicionin e nëntë të Bienales me pjesë nga Giacomo Puccini, Giuseppe Verdi, Pietro Mascagni dhe Alfredo Catalani. Bienale NMK këtë vit i dedikohet binomit “Muzika dhe vena”,-tha Florian Vlashi, duke shtuar se koncertet do të organizohen nga 1-7 gusht në hotel “Adriatiku”.