Inva Mula dhe MIK Festival sot në Korçë
Në Korçë starton sot edicioni i dytë i Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës, MIK Festival.
Në 5 ditë 120 artistë do të performojnë në 10 koncerte në qytetin juglindor. “Padyshim një prej eventeve më dinjitoze të kulturës në Shqipëri. Vlerën ia shton edhe vendosmëria për ta bërë një festival të përvitshëm, me përmasë gjithnjë e më të madhe ndërkombëtare. Është një ngjarje e madhe që duhet t’i bëhet jehonë së pari në zemrat e çdo korçari e më pas në Shqipëri e më gjerë”, shprehet deputeti i PS-së në qarkun e Korçës, Niko Peleshi.
Forca e kësaj ngjarjeje, sipas tij, “është nevoja e shoqërisë për të afirmuar ndjeshmërinë për të bukurën që nuk e takojmë çdo ditë”.
Pentagrami i MIK Festival është Korça e Tefta Tashkos, Lola Gjokës, Mihal Cikos, Thoma Nasit, Kristo Konos, Loni Llogorit e të një plejade të tërë që ishte tabani dhe frymëzimi për një brez të ri artistësh të Shkollës së Muzikës “Tefta Tashko” që sot performon në skenat e orkestrat më të mira në botë.
Muza e MIK Festival është sopranoja shqiptare me famë botërore Inva Mula. Inva ka jetësuar idenë e MIK-ut duke e vizatuar çdo notë mbi këtë pentagram me pasionin e një misionareje.
“Shembulli i Inva Mulës të frymëzon. Të frymëzon për ta jetuar jetën duke krijuar e prodhuar çdo ditë. Të bën të kuptosh se fama nuk është qëllimi final. Të jesh i dobishëm duke e vënë gjithçka që ke arritur në shërbim të një misioni është vlera që të bej një qytetar të mirë. Ky model nuk e ka të lehtë të jetojë në hapësirën tonë kulturore. Është në kontrast me komercialen dhe shterpësinë. Inva nuk është tërhequr dhe nuk duhet të tërhiqet. Për hir të të gjithë atyre që besojnë tek forca finale e energjisë pozitive”, tha Peleshi, ndërsa fton qytetarët që të shijojnë festivalin ndërkombëtar të muzikës dhe të mendojmë për të bukurën.