Irma Libohova: Dikur kënga dëgjohej, sot vetëm shikohet
Këngëtarja e njohur shqiptare në një intervistë për gazetën “Koha Jonë” flet për lidhjen me muzikën, kolegët, miqtë, kalendarin e aktiviteteve, si dhe ku do t’i kalojë pushimet e kësaj vere tepër të ngjeshur me koncerte
Intervistoi: Albina Gjergji
“Nëse muzika është ushqim i dashurisë, luaj më shumë” . Kjo frazeologji i shkon aq shumë për shtat artistes së madhe Irma Libohova, sa duket se është krijuar posaçërisht për të.
Me 51 vite karrierë (që nga dalja e parë në skenë si soliste) dhe ende aktive sot, këngët e saj mbeten padyshim ndër më të preferuarat për publikun shqiptar. Shumë pjesëmarrje në festivale, shumë çmime të para, të dyta, vlerësime kombëtare e ndërkombëtare, duartrokitje e ndezje sallash me ovacione, Libohova me zërin e saj brilant ka ditur më së miri si ta rrokë artdashësin. Veçanërisht brezi i para ’90-ës kujton me shumë nostalgji repertorin e saj të pasur, si për shembull, këngët: “Pragu i vegjëlisë”, “çel kjo tokë si trëndafil”, “Zgjodha njerinë”, “Më dhe dritë nga syri yt”, “Njerëzit e agimeve”, “Nuk e harroj”, (fituese e Festivalit të 26-të të Këngës në RTSH), e të tjera këngë që ndër vite pasuan suksesshëm njëra-tjetrën. Përfshirë edhe bashkëpunimet më motrën e saj, Erandën.
Por nuk mund të lëmë pa përmendur këtu edhe këngët fituese pas ’90-ës në Festivalet moderne si; “Kënga Magjike 2000”, ku Irma Libohova fitoi çmimin e parë me këngën “1001 ëndrra”, si dhe në vitin 2004 po në “Kënga Magjike” me këngën “Prapë tek ti do vij”.
Mjaft zjarrtë edhe aktualisht, kalendari i Irmës vazhdon të jetë i mbushur me prenotime për pjesëmarrje në ngjarje nga më pikantet kulturore, koncerte e gëzime familjare. Si një artiste me vokal potent, por dhe me një temperament të mprehtë artistik, Irma Libohova renditet ndër më të mirat këngëtare që ka prodhuar vendi ynë i bukur, Shqipëria.
Po e nisim me prodhimin e fundit artistik Irma. “Hoje hoje” titullohet kënga, që sapo keni prezantuar në publik në bashkëpunim me Elizabeta Janaqin. Si lindi dhe mori udhë ky projekt tek ju?
Ky projekt lindi krejt natyrshëm. Duke qenë se Elizabeta këndon shumë bukur e kishim planifikuar me kohë që të bënim një këngë bashkë, tekstin e së cilës e kam krijuar unë, ndërsa për melodinë mendoi bashkëshorti i saj. Nuk e di sa ka ecur, sepse realisht nuk jam e sëmurë që të ndjek shifrat sa kanë vajtur klikimet. Kështu që, kënga është aty. Kujt i pëlqen e dëgjon, kujt s’i pëlqen s’e dëgjon. Jam me idenë që s’ka nevojë të bëhet zhurmë që, “ej, dëgjoni këngën time”. E rëndësishme është që jemi të kënaqura me ecurinë e saj dhe këndohet shumë nëpër raste të ndryshme.
Po ai me Rei Bezhanin, titulluar “Peng”, si ka rezultuar? Është mirëpritur në publik?
Bashkëpunimi me Rein vjen nga një njohje e hershme familjare, konkretisht me të atin, i cili i dha shtysë duetit tonë. Personalisht ndjeja t’i jepja edhe një suport vetë Reit, pasi është një djalë shumë i talentuar e me këmbë në tokë. Domethënë, ky projekt ishte më shumë për të ndihmuar Rein dhe më duket se ia ka vlejtur. Të gjithë elementët e këngës janë profesionale. Në këtë projekt kemi bashkëpunuar me kompozitorin Enis Mullajn, Edlira Bahollin regjisore, Erjona Rushitin tekstshkruese dhe Rein që është një muzikant shumë i mirë. Pra, në këtë projekt mendoj se kemi qenë një staf i mirë profesionistësh, jo vetëm për këngën në tërësi, por edhe për realizmin e videoklipit që është bërë me mjeshtëri, thuajse si një film.
Mesazhi, fabulat e këngëve, sa të rëndësishme janë për ju dhe mbi c’kritere i përzgjidhni?
Fabulat, tekstet e këngëve besoj janë po aq e rëndësishme sa edhe muzika. Domethënë, të dyja pa njëra-tjetrën nuk kanë vlerë në rastin kur njëra është e bukur dhe tjetra mesatare. Por, sidomos fabula do theksoja që ka rëndësi. Të ngulisësh në kokë fjalët e bukura të një kënge, të thëna poetikisht bukur dhe jo fjalë pa kuptim. Tekstet pa fabula, që nuk thonë asgjë unë nuk i preferoj, sepse përgjithësisht i jap shumë rëndësi fjalës dhe të kem vargje poetike për mua ë këngë është shumë e rëndësishme. Megjithatë, sic e vëreni, në ditët e sotme nuk ka më rëndësi fjala, por “tallashi”. Fatkeqësisht trend i gabuar.
Kur mendoni për këngën e re që do të sillni në treg, cilët janë elementët kryesorë që i gjykoni si më pikantet?
Kur dua të mendoj për një produkt të ri, së pari zgjedh stilin, rrymën e këngës. Zgjedh orkestruesin, studion ku do të prodhohet, tekstin që është shumë i rëndësishëm, një melodi të bukur pa shumë ngatërresa, që të hyjë në vesh njerëzve. Pastaj, nëse të gjitha këto bëjnë “bingo” në një pikë është gjë e bukur, por jo gjithmonë qëllon, sepse shijet e publikut janë të ndryshme dhe ndonjëherë ata pëlqejnë gjëra që janë ndoshta jo në lartësinë e duhur, por në ndonjë fjalë a klishe kënga bëhet hit. Unë nuk jam për këtë mënyrë. Unë jam për mënyrën e të bërit të një kënge me produksion cilësor.
Një verë e nxehtë dhe plot angazhime kjo Irma. A përkoi me pritshmëritë tuaja sa i përket kalendarit artistik?
Jo se në dimër kemi më pak, por stina e verës me të vërtetë që ëshë e mbushur me angazhime. Kuptohet të natyrës koncertore, por edhe te mbrëmjeve muzikore nëpër ambiente të hapura, siç janë baret dhe restorantet në bregdet, etj.. Kam 30 vjet që e bëj këtë punë dhe kalendarin e kam plot e përplot. Tani vjen edhe vjeshta, kemi të tjera angazhime, se po afrojnë dhe festat e nëntorit e kështu me radhë aktivitete që pasojnë njëra-tjetrën. E rëndësishmë është që unë s’jam kurrë pasive, sepse kam shumë punë dhe nuk ngelem kurrë në pauzë.
E dëshmuar ndër vite që jeni artiste kualiteti me një super vokal që emocionon, po aspekti estetik në daljet skenike dhe videoklipe sa i rëndësishëm është për ju?
Dikur kur kënga nuk shihej, por vetëm dëgjohej kishte më shumë rëndësi audio. Pak kishte rëndësi video. Tani që video është bërë kaq e rëndësisshmë sa dhe audio, në rastin e klipeve u kushtoj rëndësi. Nuk bëj me kokën time kuptohet, marr dizenjatorin, stilisten dhe konsultohem, por sigurisht ka shumë raste kur unë jam vetëvendosëse, që do të thotë kur X veshje më bind vendos vetë. Kjo sa i takon pjesës së videoklipeve. Skenës gjithashtu i kushtoj shumë rëndësi, pasi është për t’i dhënë rëndësi, sepse ka kodet e veta dhe nuk të lejon të dalësh le të themi me shapka me gisht, ose në moshën time me minifund (qesh). Pra skena ka rregullat e saj dhe duhet respektuar. Kështu që duke iu përmbajtur kodeve, personalisht në çdo etapë të jetës jam munduar ta përshtas veshjen me personalitetin tim.
Na flisni pak për individualitetin tuaj artistik. Dmth, sa e kujdesshme jeni që të mos bini pre e rutinës në art, në mënyrë që t’i shmangeni klishéve?
Mendoj se kam qenë dhe jam e kujdesshme për ta përfaqësuar veten me materiale serioze në evenimentet zyrtare, pastaj këngë të ndryshme në varësi edhe të atmosferës, apo ambientit edhe kam kënduar. Personalitetin artistik mundohem ta mbaj në një nivelet që jam, sepse nëse kam ardhur deri këtu, besoj që nuk kam ardhur vetëm pse kam zë, sepse zë kanë edhe këngëtarët e tjerë, por janë disa gjëra të tjera. Si për shembull të ruash pikërisht këtë personalitetin artistik, duke mos e bërë pis figurën me çdo lloj krijimtarie që nuk të nderon. Përsa i përket pjesës tjetër pastaj që formon personalitetin tim, janë shijet e mia muzikore që besoj janë pjesa më e veçantë. Unë nuk dëgjoj muzike të shëmtuar. Kam disa filtra. Pra, jam selektive për gjërat që m’i do, ose nuk m’i do veshi.
Ç’mendim keni për nivelin e këngëtarëve të brezit të ri? Ju rastis të hasni më shumë talente, apo bukuroshe që për t’u bërë të njohura në shoëbiz i futen muzikës?
Për hir të së vërtetës nuk mund t’i fus të gjithë në një thes, sepse ka bukuroshe që këndojnë, ka bukuroshe që s’këndojnë. Ato që s’këndojnë s’i llogaris fare, nuk hyjnë fare në sistemin tim. Kështu që ky fenomen nuk më shqetëson, sepse ato nuk ma zënë rrugën mua. Ka këngëtarë që këndojnë live. Në sistemin që kemi kaluar për shembull, kishte disa filtra, domethënë kishte amatorë dhe profesionistë. Amatorët nuk e kalonin provën për të qenë profesionistë, sepse ekzistonin pikërisht këto filtra; komisione, institucione, profesorë që nuk toleronin dhe kriteret kanë qenë shumë të ashpra. Por ka qenë sistem selektues dhe tani jemi në një tjetër, ku duhet të përshtatemi. Personalisht këto të ashtuquajturat bukuroshe pa talent thjesht i shoh me neveri dhe keqardhje për moralin e tyre, të cilat duket se s’e kanë më. Sepse nëse do që të bëhesh i famshëm ka mënyra të tjera dhe jo duke kapur mikrofonin, që s’ke lidhje me të. është marre, turp. Sot rrjetet sociale të ofrojnë mundësi. Nëse do që bëhesh e famshme, vishu, zhvishu, shtoji, mbilli, fryji, shfryji… ka mënyra plot, por ky s’është realitet dinjitoz dhe as garë e barabartë.
Është bërë pak kohë që nuk ju kemi parë në Festivale. Ka një arsye konkrete dhe a mund të flisni pak për ndjesitë që merrni nga evenimente të tilla muzikore?
Unë i kam vjelë të gjitha frytet e kënaqësisë që të japin eventet me gara. Kur kam fituar çmimin e parë në “Kënga Magjike” me “Prapë tek ti do vij” u kam thënë “stop garave” dhe kam bërë gjënë më të mirë, se përballesh me më të rinj, që sjellin risi, etj. dhe faleminderit Zotit që e kam kuptuar në kohë që s’kam pse të përballem më. Jam në skenë me mënyra të ndryshme. I kam marrë të gjitha kënaqësitë që më kanë dhënë festivalet, çmimet, lëvdatat, duartrokitjet, hitet, kritikat, etj., kështu që s’kam asnjë pishman më nga festivalet. Por, edhe pse e kam thënë publikisht që këtu e mbyll konkurrimin tim nëpër evente me bazë garën, do ta riktheja vetëm nëse do të ishte një material për të prezantuar vendin tim. Diçka për të përfaqësuar ndershmërisht Shqipërinë.
Po çmimet?
Kur vjen puna tek çmimet e kam patur zakon merrja gjithmonë të dytin. Kam marrë disa herë edhe të parin, por nuk kam qenë nga ato që “o të parin, o të vdes”. Nëse e kemi merituar e kemi marrë, nesë jo s’e kemi marrë. Kështu që, besoj fort se ato çmime që kam marrë kanë qenë të merituara. Mendoj se çmimet nuk janë ato që më kanë rritur mua, apo shtyrë a shtuar një fjalë më të bukur në kurrikulën time. Aspak, absolutisht. çmimet më të mira për artistin janë nëse ke bërë këngë hite. Këto janë çmime. Pa për dekorata… dikur na jepnin piktura shumë të bukura, ora prej druri, çertifikata, etj., por s’ka çmim më të madh sesa ai që ta jep publiku dhe mendoj se mua ma ka dhënë e vazhdon të ma japë. Kjo është vlera e vërtetë për artistin.
Që të ndërrojmë temë e të hymë pak në privatësi… pushimet e këtij viti i keni menduar, apo axhenda është ende përplot koncerte?
Po i kam menduar dhe them se do iki në Itali, apo Greqi. Në fakt, kam plot vende ku dua të shkoj të pushoj, sepse edhe Shqipëria është një mrekulli e natyrës, por këtë herë them se do iki jashtë. Pushimet e mia do të fillojnë atëherë kur ju do të filloni punën (në shtator), sepse kur unë punoj, ju pushoni (qesh).
Marrëdhënia juaj me rrjetet sociale?
Kam një faqe “fan page”, që nuk e kontrolloj kurrë, por veç e kam hapur formalisht. Kam dhe një tjetër si më private po në Facebook. Nuk është se jam shumë aktive të jem e sinqertë, por kur kam ndonjë gjë të rëndsisshmë edhe postoj. Ndërsa në Instagram jam më aktive. Përpiqem shumë të jem person i ekuilibruar, pra të mos them në çdo sekond që, “po ha bukë, më dhemb dhëmbi, e kam pjatën e bukur, po vesh sandalet, m’u këput rripi, po krihem, po lyhem…”, etj.. Këto gjëra më duken mjerim, domethënë të shterrësh privatësinë tënde në rrjetet sociale. Kështu që përpiqem të jem e ekulibruar në kontekstin e privatësisë, sepse kemi një “raft” të cilin duhet ta mbajmë për vete. Nuk mund t’i nxjerrim të gjitha në rrjetet sociale. Unë kur postoj diçka edhe për punën mendohem shumë cfarë të shkruaj. Nëse s’kam diçka për të thënë me fjalë, ose me foto nuk flas, rri pushim e vëzhgoj të tjerët, që më argëtojnë pafund. Me pak fjalë, nuk jam person i fiksuar pas rrjeteve sociale dhe as pas instagramit. Gjithçka me karar.
Miqtë më të mirë të Irmës?
Miqtë i kam të paktë, por ata që kam i dua me të vërtetë shumë. I kam miq të vjetër dhe janë një grup njerëzish që i rrimë rreth e përqark njëri-tjetrit kur kanë nevoja, qoftë edhe për shërbime. Disa s’i kam në Shqipëri, janë të ikur, disa i kam këtu. Por miqtë e mi janë të paktë. Sigurisht kam dhe miq kolegë, që i kam miq. Me disa më shumë, me disa më pak marrëdhënie, por sinqerisht miqtë i kam të paktë. Ndërsa do theksoja që miqtë e vërtetë, ata të ngushtët fare fareeee janë fëmijët e mi. Këtu madje më vjen ndërmen një shprehje që thotë: “nëse do ta shohësh sa miqësor është një njeri, shihe në marrëdhënie me fëmijët”.