Ismail Kadare ka një porosi të veçantë për Ramush Haradinajn dhe Edi Ramën
Në kuadër të takimeve që ka zhvilluar zëvendësministri Rexhep Hoti në Shqipëri, pati një të tillë edhe me shkrimtarin e njohur Ismail Kadare, me të cilin diskutoi për kulturën dhe arsimin në Kosovë e Shqipëri.
Kadare e Hoti biseduan edhe për mundësinë e avancimit të projekteve madhore në shërbim të trungut të përbashkët kulturor dhe veçmas në kujdesin e vazhdueshëm ndaj gjuhës shqipe.
Zëvendësministri i Kulturës, Rexhep Hoti, e informoi shkrimtarin shqiptar me famë botërore, Kadare, për politikat dhe aktivitetet që ndërmerr MKRS-ja në raport me librin, botimin dhe shpërndarjen e tij si dhe të revistave letrare dhe në anën tjetër të përkrahjes së bibliotekarisë fuqizimit të rrjetit bibliotekar në Kosovë.
Ndërkaq, nga ana e tij, shkrimtari Kadare, ndër të tjera u shpreh se nevojitet botim dhe qarkullim më i madh i librit në shqip qofshin ata autorë shqiptarë apo të huaj. Kadare i tha zëvendësministrit Hoti që t’ia përcjellë si porosi edhe kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, që bashkërisht me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, të bëjnë lehtësimin e politikave ndaj librit ashtu që ai të lëviz pa barriera këndej dhe andej kufirit.