Ismail Qemali ka kaluar nga Greqia në Shqipëri 50 mijë pushkë me qëllim
Nga Aurenc Bebja*, Francë – 22 Shkurt 2020
“Le Petit Caporal” ka botuar, të shtunën e 15 majit 1909, në faqen n°3, një shkrim në lidhje me përpjekjet e organizimit të një kryengritje në Shqipëri nga Ismail Qemali, asokohe në Athinë, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Shqiptarët
Vlerësohet këtu se komiteti shqiptar i drejtuar në Athinë nga Ismail Qemal Beu, arriti të fuste në Shqipëri 50.000 pushkë dhe 5 milion fishekë. Pas këtyre lajmeve, Komiteti Bashkim dhe Progres vendosi të hynte në bisedime me shqiptarët, në mënyrë që të shmangte një gjakderdhje e cila mund të ketë pasoja të frikshme për qetësinë e të gjitha vilajeteve evropiane, aktualisht të drejtuara nga krijesat e ish-sulltanit.
Roli i një tradhëtari
Thuhet se deputeti Ismail Qemali, i cili gjendet i strehuar në Athinë, rrezikohet seriozisht nga disa dokumente të zbuluara në Yildiz-Kiosk. Aktualisht, ai është duke u përpjekur të provokojë një kryengritje në Shqipëri. Sipas disa informacioneve të sigurta, qeveria greke ka vendosur të urdhërojë dëbimin e Qemalit nga e gjithë Greqia.