Ismail Qemali “vjen” edhe në Kotë
Nga Agim Jazaj –
Në qytezën e Kotës, njesia vendore e bashkisë Selenicë, Instituti i Studimeve Politike “Ismail Qemali” dhe Bashkia Selenicë, organizuan ngritjen e bustit të Burrit të Kombit, modelit historik; Ismail Qemali. Banorë të këtyre anëve dhe nga gjithë kjo trevë e Labërisë, por dhe nga qyteti i Vlorës, etj u mblodhën në qëndrën e Kotës, ku morën pjesë në këtë ngjarje, jo të zakonshme. Kjo vepër monumentale është kontribut i studiuesit dhe ish deputetit; Bujar Leskaj. Punimi i skulptorit të njohur vlonjat; Zeqir Alizoti. Duke hapur aktivitetin dhe falnderuar të pranishmit, ideatorin dhe realizuesin, studiuesin dhe ish deputetin, kryetari i Bashkisë z. Përparim Shametaj theksoi: ”Në këtë aktivitet sa të veçantë, aq dhe domethënës për të cilin ne jemi shumë të nderuar, Kota, bashkia Selenicë e gjithë krahina e Labërisë, duke inaguruar ngritjen e bustit edhe këtu në Kotë, përjetësimin e burrit të ndritur të Kombit, themeluesit të shtetit shqiptar, Ismail Qemali.
Merita për vlerësimin, realizimin dhe ndërtimin e kësaj vepre të pavdekshme, e cila do të jetojë në shekuj, do të rrezatojë e transmetohet në breza, i takon të nderuarit, studiuesit; Bujar Leskaj.
Ai me kontributin dhe përkushtimin e tij të çmuar ka mundësuar në vlerësimin e figurave dhe personaliteteve të shquuara të kësaj krahine dhe jo vetëm.
Edhe me këto kontribute, duke vlerësuar këtë figurë madhore, në gjithë trojet shqiptare me gjestet e tij fisnike do të mbetet në mëmorjen kombëtare”.
Dhe dje në Kotë u dëgjua dhe u përcoll kënga:
Cili je ti more burrë,
Që na vjen nga Shqipëria?
Unë jam Ismail Qemali,
Dua vatanet e mia.
Do t’i marë se s’është punë,
Është e jona Shqipëria…
Kjo nuk është rastësi, në 100 vjetorin e vdekjes të burrit të pa vdekshëm; Ismail Qemalit, këtu në Kotë të ngrihet busti i tij, mbasi Ismail Qemali, në kohën e vet kishte miq dhe bashkëpuntorë edhe nga kjo krahinë, (një ndër ta, poetin me famë nga Vajza; Ali Asllanin), në këtë qëndër historike, e njohur për epope të lavdishme, për lirinë e pavarësinë, ku janë zhvilluar beteja, ngjarje të shënuar, të cilat i kanë dhënë e lënë historisë gjurmë të pa shlyeshme.
Këngët e hershme përcillen në vite, për brezat gjëmojnë:
Ranë komita në Kotë,
Komita në Kotë ra,
Si në Kotë dhe më poshtë,
Majë vreshtave t’mëdha,
Çeta Kudhës po luftonte,
Me drejtim për në Kala.
Vallë kush i komandonte,
Rrapo Çelua nëpër ta.
Përpara portës me bojë,
Vritet Zigur Leljoja.
Bolenës hallall i qoftë,
Për ata trima që dha,
Bravo djemtë e smokthinjote,
U vranë, u bën lakëra…
Edhe sot kjo qëndër me gjithë fshatrat për rreth, ka pasuri admiruese dhe lakmuese; njerëzore dhe natyrore.
Këtu, historia shënon data, ngjarje beteja në shekuj nga gjithë krahina e Labërisë, por edhe përtej hartës së saj dhe kanë marë dimensone të veçanta, nga njerëz të veçantë, siç është dhe mbetet themeluesi i shtetit shqiptar, me aktin e Pavarësisë Shqiptare…
Historia dhe shoqëritë kanë nevojë për modele dhe ne pasardhësit kemi detyrimin; ti njohim e nderojmë, të frymëzohemi prej tyre, të shënjtërojmë veprën, të përmbushim amanetin e tyre: Shqipërinë e Ëndërruar.
Ngritja e bustit të Ismail Qemalit edhe këtu në nyjen lidhëse Kotë, rruga për në gjithë lumin e Vlorës, për në Himarë e më tej, Vajzë, krahinën e Sevasterit, Tepelenës, Gjirokastrës e tej kufijve shqiptare, mer vlera të veçanta.
Kalimtarët do të mbajnë këmbët, do të përulen me përulësi dhe mirënjohje për veprën e këtij burri të kombit, përpara këtij obliskut, do të vendosin tufa lulesh, në këtë përmendore të babait të shtetit shqiptar, do të frymëzohen nga ky burrë i mençur, i urtë dhe tejpamës, themeluesi i shtetit shqiptar, i mbetur përjetësisht, në historinë shqiptare, në memorjen kombëtare…
Pavarësia, Vlora, Ismail Qemali, janë: Trinomi i historisë, i Shqipërisë që na shërbejnë dhe frymëzojnë për të përmbushur aspiratën e këtij burri të pa kontesueshëm.
Edhe pas 100 vjetësh, figura e tij mbetet ndër figurat më madhore, frymëzuese dhe referuese.