Ismet Zusi: Unë besoj gjithmonë tek artisti -populli

Flet aktori dhe regjisori i njour

-Unë besoj gjithmonë tek artisti – popull, arti është ushqimi im shpirtëror, arti dhe artisti janë një binom, një simbiozë, që plotësojnë njëri-tjetrin, unë nuk e kuptoj jetën pa artin. Kështu prononcohet për “Koha Jonë”, aktori dhe regjisori i njohur lezhjan, ish-drejtues në institucione kulturore në Lezhë, Ismet Zusi, me një karrierë 40 vjeçare në skenë dhe në film, duke shkëlqyer me talentin e tij.

Edhe pse në pension, ai vazhdon në rrugën e bukur të artit, me krijime dhe aktrime, duke mbetur përherë i ri dhe krijues brilant, komunikues, modest, i qeshur e përherë aktiv. “Arti është vlerë kombëtare e popullit tim,- thekson ai,- nëqoftëse një artist nuk interpreton artin e tij, nuk mund të interpretojë një art tjetër, pasi artisti është akumulues dhe seleksionues, arti është ushqimi im shpirtëror, unë asnjëherë nuk e kuptoj jetën pa artin, të cilit i dha aq shumë, duke shkrirë talentin në skenë e në film e duke fituar duartrokitjet e artdashësve të shumtë . Me besimin tek vetja dhe tek qytetarët e mij, i mbështetur kurdoherë nga familja ime, të cilët i falënderoj. Ata janë investuesit e frymëzuesit e rrugës time të artit, sepse nga ata mësova anët më të mira të trashëgimisë, të cilat një artist, me vizionin e talentin e tij, këto vlera i ngre lart e i kthen në vlera edukative dhe argëtuese për popullin e tij, duke besuar tek populli-artist” .

Me një formim dhe karrierë profesionale si aktor dhe regjisor 40 vjeçare, Ismet Zusi ka krijuar profilin e tij si artist, familjar e krijues. Fillimisht aktor në Teatrin “Migjeni”, Shkodër, duke lënë gjurmë, për të vazhduar si regjisor në pallatin e kulturës të qytetit të Lezhës edhe si drejtor këtu, detyra që i kreu me korrektësi dhe profesionalizëm e që i kujton me mall, krenari e dashuri, falë përvojës si artist i karrierës . Për këto arritje dhe kontribute është vlerësuar me medalje dhe certifikata të ndryshme, i dekoruar si laurat i Festivaleve të Estradave në Berat, Elbasan e Lezhë, ku gjatë kësaj periudhe ka luajtur 28 premiera estrade, 18 premiera teatri, si dhe në disa filma artistikë, përvojë që duhet vlerësuar nga institucionet.

Me besimin e tij si artist karriere, se populli nuk i humbet kurrë traditat dhe vlerat e tij, sepse vlerat janë mes këtij komuniteti artdashës, që jeton në Lezhë, dhe merita ime është: këto vlera t`i rindez, për t`i vënë në shërbim të vetes sonë, të qytetarëve, që brezi i ri të rritet me respektin për artin e popullit të vet, vlerëson aktori dhe regjisori Ismet Zusi.

Me një mesazh për artistët dhe artdashësit lezhjanë : bashkë të mbajmë gjallë e ti përçojmë këto vlera, pavarësisht kohës, duke i bërë shërbim Lezhës, nga trugu i së cilës kanë dalë burra të mëdhenj të artit e të poezisë, pasi ky është shërbimi më i madh, që i bëjmë fëmijëve tanë, qytetit, atdheut dhe kombit tonë në çdo kohë, pasi arti është jetë e pasuri e çmuar.

Jak Rrozhani

SHKARKO APP