Java Arbëreshe në Itali

Instituti i Librit dhe i Promocionit, në bashkëpunim me Bashkinë San Giorgio Albanese, në provincën e Kozencës në Itali, në datat 21-29 korrik 2018, organizuan edicionin e dytë të projektit “Java arbëreshe – 2018”, në kuadër të një projekti edhe më të madh rajonal “Festa dei popoli” (Festa e popujve).

Një grup i formuar nga studentë të Fakultetit të Arteve të Bukura dhe Fakultetit të Artit Skenik (Universiteti i Arteve të Bukura në Tiranë) dhe nga piktorë të mirënjohur të peizazhit, pjesë aktive e kolonive të organizuara nga ILP ndër vite, u nis më datë 21 korrik nga Tirana drejt San Giorgio Albanese-s apo si i thonë banorët e tij arbëreshë, drejt Mbuzatit.

Gjatë Javës Arbëreshe nga grupi i të rinjve shqiptarë dhe të rinjve arbëreshë u realizuan disa vepra artistike dhe veprimtari kulturore.

Tri murale me temën e Skëndërbeut, Heroit tonë Kombëtar, qëndresën e tij dhe natyrën e bukur të San Giorgio-s, u realizuan nga studentët e arteve: Lidja Keçaj, Përparim Gjonaj, Ardian Engjëlli, Adri Sado, Mirjana Madhi, Endri Doce, të drejtuar nga profesori i tyre Shpëtim Kërçova, profesor pranë Universitetit te Arteve, Fakulteti i Arteve të Bukura.

Mbi njëzet piktura të realizuara nga piktorët pjesëmarrës, Viktor Bejkosalaj, Skënder Strica, Çaush Vathi, Jordan Finidiku, Shpëtim Xhema, Kudret Durollari dhe Osman Tonuzi, u ekspozuan ditën e fundit të këtij aktiviteti për kënaqësinë e të gjithë banorëve të qytezës. Në këto piktura u pasqyruan me art bukuritë e kësaj zone me një histori të lashtë e të gjatë ku arbëreshët ruajnë ende me mjaft dashuri e përkushtim si gjuhën ashtu edhe traditat me të cilat u nisën mbi 500 vjet më parë drejt brigjeve të Italisë për t’u strehuar në zonën piktoreske dhe bujare kalabreze. Kjo qytezë, ku përveç arbëreshëve dhe italianëve ka edhe mjaft emigrantë të ardhur në vitet e fundit për të gjetur strehim aty, për shkak të kushteve të vështira të jetesës në vendet e tyre, është një shembull i gjallë respekti dhe mirësie ndaj miqve në një tokë ku këto vlera kanë qenë ndër shekuj shtyllat e jetesës së qytetarëve të saj.

Gjatë kësaj jave grupi artistik shqiptar pati mundësinë të vizitonte dy qyteza të tjera, si: Corigliano Albanese (ku vizituan kështjellën e Dukatit e ngritur në shekullin e XIII) dhe qytetin e Acri-t.

Në Muzeun MACA (Muzeu i Artit Bashkëkohor në Acri) patën mundësinë të vizitonin ekspozitën e quajtur “Albania: The Spirit of Times”, e cila ishte kuruar nga Artan Shabani e Boris Brollo.

Në mbrëmjen finale u organizua një festë për të gjithë banorët, ku pjesëmarrësit në “Festa dei popoli” kishin përgatitur gatime tradicionale të vendeve të tyre. Grupi shqiptar përgatiti, me këtë rast, disa gatime tradicionale shqiptare, si: byrek me spinaq, patëllxhanë të mbushur, shëndetlije, biskota, të cilat u vendosën në stenda, ku gjendeshin gatime tradicionale nga vende, si: Nigeria, Afganistani, Siria, Egjipti etj.

Gjithashtu, grupi i talentuar i studentëve balerinë: Endri Sejati, Ema Bilbilaj, Fjoralba Hasanbelliu dhe Marigen Disha, të përgatitur nga prof.dr.asoc. Roberta Mone, pedagoge në Universitetin e Arteve, Fakulteti i Artit Skenik, kërcyen për kënaqësinë e të pranishmëve valle popullore të të gjitha trevave shqiptare, të cilat u finalizuan me zbritjen në shesh për të vallëzuar bashkë me publikun pjesëmarrës në koncert.

Mirënjohja jonë, e studentëve të Universitetit të Arteve dhe e piktorëve, shkon për kryetarin e Bashkisë së San Giorgios Albanese, z. Gianni Gabriele dhe zëvendëskryetarit të Bashkisë, z. Sergio Esposito, falë iniciativës dhe mikpritjes së të cilëve u mundësua edhe këtë vit Java Arbëreshe.

SHKARKO APP