Jemi si ata mistrecët që vizatojnë mustaqe në fytyrat e vajzave të reklamave
W. H. Auden
Të lexuarit
Libri është një pasqyrë: po doli para ndonjë gomar, mos prit që aty të shfaqet ndonjë apostull.
- G. Lichtenberg
Mund të lexohet mirë vetëm ajo çka lexohet për ndofarë qëllimi vetjak. Ndoshta për të fituar njëfarë pushteti. Nuk bëhet nga urrejtja për autorin.
Paul Valéry
Interesat e një shkrimtari dhe interesat e lexuesve të tij nuk përkojnë kurrë dhe nëse, në ndonjë rast, ndodh të puqen, ky është një aksident fatlum.
Në lidhje me një shkrimtar, shumë lexues i besojnë Standardit të Dyfishtë: ata mund ta tradhëtojnë sa herë të duan, ndërsa ai kurrë, kurrë nuk duhet t’i tradhëtojë ata.
Të lexosh është si të përkthesh, sepse përvojat e dy njerëzve kurrë nuk janë të njëjta. Një lexues i keq është si një përkthyes i keq: ai përkthen fjalë për fjalë atë që i duhet të perifrazojë dhe perifrazon kur i duhet të përkthejë fjalë për fjalë. Në përftimin e të lexuarit mirë, studimi, sado vlera të ketë, është më pak i rëndësishëm se instinkti; disa studiues të mëdhenj kanë qenë përkthyes për të ardhur keq.
Shpesh, kur një libër e lexojmë në një mënyrë tjetër nga ç’ka pasur ndërmend autori, përfitojmë më shumë, por vetëm (kur i kemi dhënë duart fëmijërisë) nëse e dimë se po veprojmë në këtë mënyrë.
Si lexues, shumica jonë, në njëfarë mase, jemi si ata mistrecët që vizatojnë mustaqe në fytyrat e vajzave të reklamave.
Një prej shenjave që një libër ka vlera letrare, është se mund të lexohet në shumë mënyra të ndryshme. Anasjelltas, prova se pornografia nuk ka vlera letrare është se, nëse përpiqesh ta lexosh me një qëllim tjetër përveç atij të stimulit seksual, ta zëmë, si rast psikologjik i fantazive seksuale të autorit, mërzitesh për vdekje.
Edhe pse një vepër letrare mund të lexohet në shumë mënyra, ky numër është i kufizuar dhe mund të vendoset në një rend hierarkik; është e qartë se disa lexues janë “më të vërtetë” se disa të tjerë, disa janë dyshues, disa ia bën mu që janë të rremë dhe disa, si të lexosh një roman së prapthi, janë absurdë. Ja dhe arsyeja pse dikush zgjedh një fjalor të mirë në vend të kryeveprës letrare më madhështore që mund të mendohet, sepse, në raport me lexuesit e vet, një fjalor është absolutisht pasiv dhe me të drejtë mund të lexohet në një numër të pafundëm mënyrash.
S’mund ta lexojmë dot një autor rishtar në të njëjtën mënyrë që lexojmë librin e fundit të një autori të mirënjohur. Te autori i ri, priremi të shohim vetëm virtytet apo vetëm të metat e tij e, edhe po të ndodhë t’i shohim të dyja, nuk mund të dallojmë dot marrëdhëniet midis tyre. Në rastin e një autori të mirënjohur, gjithmonë nëse vazhdojmë ta lexojmë një të tillë, e dimë se nuk mund të shijojmë virtytet që admirojmë te ai pa u lëshuar pe të metave që ndeshim. Për më tepër, gjykimi ynë për një autor të mirënjohur nuk është kurrë thjesht një gjykim estetik. Përveç ndonjë merite letrare që mund të ketë, një libër i ri nga ky autor është me interes historik për ne, si akt i një personi i cili na intereson prej shumë kohësh. Ai nuk është thjesht një poet apo prozator; ai është gjithashtu një personazh në biografinë tonë.
Një poet nuk mund të lexojë një tjetër, as një romancier s’e lexon një tjetër romancier, pa krahasuar veprat e tyre me të tijat. Gjykimet e tij ndërkohë që lexon, janë të tipit: O Zot i Madh! O Stërgjyshi im! O Xhaxhai im! O Armiku im! O, Vëllai im! O, Vëllai im trushkulur!
Në letërsi, e rëndomta pëlqehet më shumë se e pavlera, po aq sa pëlqehet vera portugeze ndaj ujit të distiluar.
Shija e mirë është më tepër një çështje diskriminimi se përjashtimi dhe, kur shija e mirë detyrohet të bëjë përjashtime, këtë e bën me keqardhje dhe jo me kënaqësi.
Kënaqësia është padyshim një guidë e pagabueshme kritike, por më e pakta e gabueshme.
Leximi i një fëmije udhëhiqet nga kënaqësia, por kënaqësia e tij është e padiferencuar; ai nuk mund të dallojë, për shembull, kënaqësinë estetike nga kënaqësitë e mësimit apo ëndërrimeve. Në adoleshencë kuptojmë se ka lloje të ndryshme kënaqësish, disa prej të cilave nuk mund të shijohen menjëherë, por duam ndihmë nga të tjerë që të mund t’i marrim. Qoftë çështje shijeje për ushqimin apo shijeje për letërsinë, adoleshenti kërkon një prijës në autoritetin e të cilit të besojë. Ai ha apo lexon çfarë i këshillon prijësi i vet dhe, në mënyrë të pashmangshme, ka raste kur duhet ta gënjejë pak veten; ai duhet të shtiret sikur i shijojnë ullinjtë apo Lufta dhe Paqja ca më shumë nga sa i shijojnë në të vërtetë. Mes moshës njëzet dhe dyzet vjeç, jemi të përfshirë në procesin e zbulimit se kush jemi, proces që ngërthen mësimin e ndryshimeve mes kufizimeve rastësore, nga të cilat e kemi për detyrë të heqim dorë, si dhe kufizimet e nevojshme të natyrës sonë, përtej të cilave nuk mund të kalojmë pa u ndëshkuar. Pakkush nga ne mund ta mësojë këtë pa bërë gabime, pa u përpjekur të bëhet ca më shumë njeri universal nga sa na lejohet të jemi. Pikërisht gjatë kësaj periudhe, shkrimtari mund të marrë lehtë një rrugë të gabuar nga një tjetër shkrimtar ose ideologji. Kur dikush mes moshës njëzet dhe dyzet vjeçare thotë në lidhje me një vepër arti, “E di çfarë më pëlqen”, ai në të vërtetë thotë, “Unë vetë nuk kam një shije timen, por pranoj shijen e rrethit tim kulturor”, sepse, mes moshës njëzet dhe dyzet vjeç, shenja më e sigurtë që dikush ka një shije të pandikuar vetjake, duket kur ai është i pasigurt për të. Pas të dyzetave, nëse ende nuk i kemi humbur vetet tona origjinale, kënaqësia mund të bëhet sërish ajo çka ka qenë në fëmijëri, prijësja e duhur e asaj se çfarë duhet të lexojmë ne.
Edhe pse kënaqësia që na japin veprat e artit nuk duhet ngatërruar me kënaqësitë e tjera që shijojmë, ajo lidhet me të gjitha këto thjesht sepse është kënaqësia jonë dhe jo e dikujt tjetër. Të gjitha gjykimet që kalojmë, estetike apo morale, sado objektive t’i bëjmë të duken, janë pjesërisht një racionalizim dhe pjesërisht një disiplinë ndreqëse e dëshirave tona subjektive. Për aq kohë sa njeriu shkruan poezi apo prozë, ëndrra vetjake e Edenit është punë për të, por, në çastin që ai fillon të shkruajë kritikë letrare, ndershmëria e do që ai t’ua rrëfejë lexuesve, në mënyrë që ata të jenë në pozicion për të gjykuar gjykimet e tij. Përkatësisht, tani duhet të jap përgjigjet e një pyetësori që kam bërë dikur, i cili sjell atë lloj informacioni që më pëlqen ta kem përherë kur lexoj kritikët e tjerë.
edeni
Peisazhi
Kodrina gëlqerore si Apeninet, plus një rajon të vogël me shkëmbinj vullkanikë me të paktën një vullkan të shuar. Një bregdet të thikët dhe me thepa.
Klima
Britanike.
Origjina etnike e banorëve
Shumë e ndryshme, si në Shtetet e Bashkuara, por me një mbizotërim të lehtë nordik.
Gjuha
Me origjinë të përzier si anglishtja, por shumë më të eptuar.
Peshat & Masat
Të parregullta dhe të ndërlikuara. Pa sistem dhjetor.
Feja
Katolike romane në një lloj mënyre të shkujdesur mesdhetare. Me shumë shenjtorë vendas.
Madhësia e kryeqytetit
Numri ideal i Platonit për të drejtën, 5040.
Forma e qeverisjes
Monarki absolute, e zgjedhur përgjithmonë, nga populli.
Burime të fuqisë natyrore
Era, uji, torfa, qymyri. Pa naftë.
Aktivitete ekonomike
Miniera plumbi, miniera qymyri, fabrika kimike, fabrika letre, ferma kafshësh, kopshtari, hortikulturë serrash.
Mjete transporti
Kuaj dhe mjete të tërhequr nga kuajt, hekurudha me shina të ngushta, barka me motor, balona. Pa automobilë apo aeroplanë.
Arkitektura
Shteti: barok. Kisha: romane ose bizantine. Shtëpitë: Si kolonitë britanike apo amerikane të shekullit XVIII.
Mobiljet shtëpiake dhe orenditë
Viktoriane, me përjashtim të kuzhinave dhe banjove, të cilat janë të pajisura me sa më shumë çikërrima moderne të jetë e mundur.
Veshja zyrtare
Moda pariziene e viteve 1830 dhe ’40.
Burime të informimit publik
Thashethemet. Periodikë teknikë dhe mësimorë, por jo gazeta.
Statujat publike
Të udhëheqësve të famshëm që kanë vdekur.
Argëtime publike
Procesione fetare, banda muzikore, opera, balet klasik. Pa filma, radio apo televizion.
Po të merrja mundimin të shkruaja gjithë emrat e poetëve dhe shkrimtarëve, veprave të të cilëve u jam mirënjohës sepse e di që, po të mos i kisha lexuar, jeta ime do të kishte qenë e mjerë, lista do të vazhdonte me faqe të tëra. Por kur përpiqem të çoj ndërmend gjithë kritikët të cilëve u jam mirënjohës menjëmend, shoh se kam një listë me vetëm tridhjetë e katër emra. Nga këta, dymbëdhjetë janë gjermanë dhe vetëm dy francezë. A është ky një paragjykim i vetëdijshëm? Është.
Nëse kritikët e mirë letrarë janë më të pakët se poetët ose prozatorët e mirë, një arsye është natyra e egoizmit njerëzor. Një poet ose prozator duhet të mësojë të jetë i përulur para subjektit të vet, që është jeta në përgjithësi. Por subjekti i një kritiku, para të cilit ai duhet të mësojë të përulet, përbëhet nga autorë, që do të thotë nga individë njerëzorë dhe ky lloj nënshtrimi është shumë më i vështirë të përftohet. Është shumë më lehtë të thuhet – “Jeta është shumë më e rëndësishme se çdo gjë që mund të them për të” – se sa të thuash “Puna e z.A është më e rëndësishme se çdo gjë që mund të them për të”.
Ka njerëz që janë aq të zgjuar sa të bëhen shkrimtarë, por nuk mund të bëhen dot kritikë.
Autorët mund të jenë mjaft budallenj, një Zot e di, por jo gjithmonë janë aq budallenj sa mendon ndonjë kritik. E kam fjalën për atë lloj kritiku, të cilit, kur dënon një vepër ose një paragraf, nuk ka aspak gjasa t’i shkojë ndërmend se autori i saj mund të ketë parashikuar pikërisht atë që do të thotë ai.
Cili është funksioni i një kritiku? Sa për mua, ai mund të më bëjë një ose disa nga shërbimet në vijim:
- Më prezanton me shkrimtarë ose vepra të cilat deri tani nuk i njihja
- Më bind se kam nënvlerësuar një shkrimtar ose vepër, sepse nuk e kisha lexuar me vëmendjen e duhur
- Më tregon marrëdhëniet mes veprave të moshave të ndryshme dhe kulturave që kurrë nuk do t’i kisha zbuluar vetë, sepse nuk di kurrë aq dhe asnjëherë nuk do të mundem.
- Më jep një “lexim” të një vepre e cila më rrit kuptueshmërinë për të
- Hedh dritë mbi procesin e “Të Bames” artistike
- Hedh dritë mbi marrëdhëniet e artit me jetën, me shkencën, ekonominë, etikën, fenë etj..
Tre të parët nga këto shërbime kërkojnë studime. Një studiues nuk është thjesht dikush dija e të cilit është e gjerë; dija duhet të jetë e vlefshme për të tjerët. Nuk mund ta quash studiues dikë që di numratorin telefonik të Manhatanit përmendësh, sepse nuk mund t’i marrësh dot me mend rrethanat në të cilat ai do të mësojë një nxënës. Meqë studimi përfshin një marrëdhënie mes njërit që di shumë dhe një tjetri që di pak, ai mund të jetë i përkohshëm; në lidhje me publikun, çdo reçenzues është, përkohësisht, një studiues, sepse ai ka lexuar librin që po i bën recensë, ndërsa publiku jo. Edhe pse dija që ka një studiues duhet të jetë potencialisht e vlefshme, nuk është e nevojshme që ai ta pohojë këtë vlerë me gojën e tij; gjithmonë është e mundur që nxënësi të cilit ai i përçon njohuritë, ka një sens më të mirë të vlerës së tyre se sa ai. Në përgjithësi, kur lexon një kritik studiues, përfiton më shumë nga citimet e tij se nga komentet që ai bën.
Tre shërbimet e fundit kërkojnë jo dije të epërme, por vështrim në thellësi. Një kritik tregon vështrim të thellë nëse çështjet që ai ngre janë aktuale dhe të rëndësishme, sadoqë mund të mos biesh dakord me përgjigjet e tij ndaj këtyre çështjeve. Ka gjasa që pak lexues e kanë të mundur të pranojnë përfundimet e Tolstoit në Çfarë është arti? por, pasi të kesh lexuar librin, nuk mund të mënjanosh kurrë pyetjet që ngre aty Tolstoi.
Gjëja që veçanërisht nuk kërkoj te një kritik është që ai të më thotë çfarë duhet të miratoj apo të dënoj. Nuk kam ndonjë kundërshtim që ai të thotë çfarë veprash apo shkrimtarësh pëlqen a s’pëlqen; në fakt, është e dobishme ta dish këtë sepse, nga preferencat e tij të shprehura për vepra që i kam lexuar, mësoj sa gjasa ka të bie dakord apo ta kundërshtoj vendimin e tij për veprat që nuk i kam lexuar. Por ai s’duhet të më diktojë aspak. Përgjegjësia e asaj çka zgjedh për të lexuar është imja dhe askush tjetër mbi dhé nuk mund ta bëjë në emrin tim.
Opinionet kritike të një shkrimtari duhen marrë gjithmonë me shumë rezerva. Në pjesën më të madhe, këto opinione janë manifestime të debateve të tij me vetveten për atë se çfarë duhet të bëjë më pas e çfarë duhet të shmangë. Për më tepër, ndryshe nga një shkencëtar, ai është shumë më tepër i paditur nga sa është publiku, se çfarë bëjnë kolegët e vet.
Një poet sipër të tridhjetave mund të jetë ende një lexues i pangopur, por nuk ka fare gjasa që pjesa më e madhe e asaj çka lexon të jetë poezi moderne.
Shumë pak prej nesh mund të mburren menjëmend se nuk e kanë dënuar kurrë një libër apo një shkrimtar për të cilin thjesht kanë dëgjuar, por ama shumë prej nesh krenohen që nuk kanë mburrur kurrë atë që s’kanë lexuar.
Urdhri “Mos i rezisto të keqes, por kapërceje atë me të mirë” në shumë fusha të jetës mund të mos jetë i zbatueshëm plotësisht, por në fushën e arteve përdoret në kuptimin e parë. Artin e keq e kemi gjithmonë me vete, por çdo vepër arti e caktuar është përherë e keqe për njëfarë kohe; ajo shëmti e veçantë që pasqyrohet në të, do të vijojë me diçka tjetër të ngjashme. Prandaj, s’ka vlerë ta sulmosh, sepse gjithsesi, ajo do të zhduket. Po të mos e kishte shkruar Mekkolej reçensionin e tij për Robert Montgomerin, ne sot nuk do të jetonim ende me mendimin se Montgomeri ishte një poet i madh. E vetmja procedurë e ndjeshme për një kritik është të heshtë për veprat që ai beson se janë të këqija dhe në të njëjtën kohë, të reklamojë fuqishëm ato të cilat beson se janë të mira, veçanërisht nëse ato lihen pas dore ose nënvlerësohen nga publiku.
Disa libra harrohen padrejtësisht; asnjë syresh nuk kujtohet në të tillë mënyrë.
Disa kritikë mendojnë se është detyrë e tyre morale të tregojnë paaftësinë e një shkrimtari, sepse, nëse nuk bëhet kjo, ai mund të ndikojë te shkrimtarët e tjerë. Për siguri, një shkrimtar rishtar mund të futet në rrugë të gabuar, qorrazi, nga rruga e tij e vërtetë prej një shkrimtari më të vjetër, por më të mëdha janë gjasat që ai të priret nga një shkrimtar i mirë se nga një i keq. Sa më i fuqishëm dhe origjinal të jetë shkrimtari, aq më i rrezikshëm është ai për më pak të talentuarit që përpiqen të gjejnë vetveten. Nga ana tjetër, veprat të cilat në vetvete ishin të dobëta, shpesh kanë qenë një stimul për imagjinatën dhe kanë qenë në mënyrë indirekte, shkaku i veprave të mira te të tjerët.
Nuk mund t’i edukush dikujt shije duke i thënë se ajo që ka pasur zakon të hajë – lë të themi, ta zëmë, lakër e stërzier dhe e ujshme – është e neveritshme, por duke e bindur të provojë një pjatë perimesh që janë gatuar siç duhet. Është e vërtetë se me dofarë njerëzish duket sikur merr më shpejt rezultate po t’u thuash – “Vetëm njerëzit e rëndomtë e pëlqejnë të stërzier lakrën; njerëzit e hajrit e pëlqejnë lakrën siç e gatuajnë kinezët”, – por s’ka shumë të ngjarë që këto rezultate të kenë jetë të gjatë.
Nëse ndiej ndofarë lehtësimi kur një recensues, shijeve të të cilit u besoj, hedh poshtë një libër, kjo ndodh sepse botohen aq shumë libra, sa heq një barrë të madhe kur mendon – “Ja pra, të paktën qenka dikush për të cilin nuk do të më duhet të mendoj”. Por, edhe po të mos kishte folur, efektet do të kishin qenë të njëjta.
Të sulmosh libra të dobët jo vetëm që është humbje kohe, por kjo gjithashtu i bën keq edhe karakterit. Nëse një libër më duket me të vërtetë i dobët, interesi i vetëm që mund të dalë nga të shkruarit për të, duhet të vijë nga vetja ime, nga nxjerrja në pah e më tepër zgjuarsieje, mençurieje dhe ligësieje që të mund të tregojë. Nuk mund të recensosh një libër të dobët pa shitur ca mend.
Ekziston një e keqe që ka lidhje me letërsinë, e cila kurrë nuk duhet kaluar me heshtje, por vazhdimisht duhet të sulmohet publikisht, dhe kjo është ndotja e gjuhës, sepse shkrimtarët nuk mund të shpikin dot një gjuhë të vetën dhe janë të varur nga gjuha që trashëgojnë kështu që, nëse ajo është e ndotur, edhe ata duhet të jenë të ndotur. Por kritiku që merret me këtë të keqe duhet ta sulmojë atë qysh në rrënjën e saj, gjë që nuk është në veprat letrare, por në keqpërdorimin e gjuhës nga njerëzit-e-rrugës, gazetarët, politikanët, etj. Përveç kësaj, ai duhet të jetë në gjendje të vërë në jetë atë që predikon. Sa kritikë në Angli ose në Amerikë janë sot mësues të gjuhës së vet amtare siç ishte Karl Kraus mjeshtër i gjermanishtes?
Por edhe vetë recensuesit nuk duhen bërë me faj. Ka të ngjarë që shumë syresh më tepër pëlqejnë të bëjnë vetëm recensën e atyre librave që, megjithë gabimet që mund të kenë, ia vlen t’i lexosh por, nëse një recensues i përhershëm i njërës prej gazetave më të mëdha të së dielës do të vepronte në këtë mënyrë, të paktën një të diel në tre, rubrika e tij do të ishte bosh. Sërish, ndonjë kritik i vetëdijshëm të cilit ndonjëherë mund t’i ketë rënë të recensojë një vëllim të ri poetik në një hapësirë të ngushtë, e ka të qartë që e vetmja gjë e ndershme për t’u bërë, është të japë një varg citimesh pa komente, por, nëse do të vepronte kështu, botuesi i tij do të ankohej se ai nuk po e meritonte rrogën që merrte.
Megjithatë, recensuesit mund të fajësohen me të drejtë për zakonin që kanë kur i fusin autorët brenda skemave dhe periodizimeve. Në fillim, kritikët i klasifikonin autorët në të Lashtë, pra autorë grekë e latinë dhe Modernë, që do të thotë çdo autor pas-klasik. Pastaj, i klasifikonin me periudha, augustinët, viktorianët, etj. dhe tani i klasifikojnë me dhjetëvjeçarë, shkrimtarët e viteve ’30, ’40, etj. Duket se shumë shpejt, ata do të jenë autorë markash, si automobilat, duke u nisur nga viti. Edhe vetë klasifikimi me dekada është thuajse absurd, sepse ai nënkupton se autorët rreshtin së shkruari në moshën tridhjetë e pesë vjeçare apo aty afër.
Me termin “bashkëkohor” është abuzuar së tepërmi. Bashkëkohësit e mi janë thjesht ata që rrojnë mbi këtë dhé ndërkohë që unë jam gjallë, qofshin këta njomëzakë apo qindvjeçarë.
Një shkrimtar ose, të paktën, një poet, e pyesin përherë njerëzit që duhet ta dinë më mirë këtë: “Për kë shkruani?” Pyetja, sigurisht, është qesharake, por edhe unë mund të jap një përgjigje qesharake. Rastësisht më bie në dorë një libër që ndiej se është shkruar veçanërisht për mua dhe vetëm për mua. Si një dashnor xheloz, dua që askush tjetër të mos dëgjojë për këtë libër. Të kesh nja një milionë lexues të tillë, të pavëmendshëm për ekzistencën e njëri-tjetrit, të të lexojnë me pasion dhe të mos flasin kurrë rreth kësaj, kjo për çdo autor është sigurisht një ëndërr me sy hapur.
Përktheu nga origjinali: Elvana Zaimi
* titulli është redaksional nga portali defekt-teknik.com
/Marrë nga portali defekt-teknik.com – Revolucioni nuk do të transmetohet/