“Jeta është e shkurtër”, Justina Aliaj mesazh të fortë politikës: Divergjencat “pjellin” vetëm dhunë

Këngëtarja e mirënjohur shqiptare, Justina Aliaj, ka rrëfyer gjatë për fillimet e saj, por dhe për kujtimet dhe sfidat në emisionin “Kjo Javë” në “News24”. Teksa kthehet pas në kohë, nuk mund të mos shikosh përjetimin që ndjen këngëtarja, e cila ka shkëlqyer në skenë shqiptare, por edhe në rolet e saj si aktore.

Mes tjerash, ajo ka edhe një mesazh për politikën shqiptare, ndërsa apelon për më shumë paqe dhe bashkëpunim. Sipas këngëtares, Shqipëria nuk ka kohë për divergjenca politike pasi kjo theksoi këngëtarja ka pasoja drastike për ekonominë.

Pjesë nga intervista:

Do doja t’i kthehesha pak filmit “Rrethi i kujtesës”, për të gjithë shqiptarët i preferuar, ku ju keni pasur një rol interesant aty, rolin e gjermanes, çfarë kujtoni nga ajo kohë dhe si ndjeheshit?

Unë ndjehesha shumë e lumtur, sepse në radhë të parë isha e sigurt që nuk do më heqin nga filmi, sepse kisha rol negativ. Pastaj, për karakterin, që kjo është ajo magjia që mua më tërheq, se si do ta gjej farën e personazhit, ndonëse unë nuk kisha ndenjur me gjermane, u mundova ta fus Justinën në rolin e gjermanes, si do bëja unë kur vinin t’i merrnin gjakun, apo kur i rrihte me kamxhik, apo kur bënte si rrinte me ta në mënyrë kofidente, aq sa më lejonte regjisori. Ka qenë shumë i bukur, është një rruazë në varësen time të personazheve, është një rruazë e çmuar, e dua shumë se është e vogël, por më pëlqen si me thënë është në shumë të paktat role që e pëlqej veten.

A mundeni një interpretim prej pak vargjesh nga Festivali i 11, kush mbetet kënga juaj e preferuar?

Ah moj zemër bë me e dit’ ti, të tanë janë fëmijët e mi, s’di …

Po që ka ngjit më shumë te publiku, që e ke dashur më shumë?

Me thënë të drejtën, janë populloret shumë, por muzika e lehtë është karakteri im, natyra ime me pas ritëm në këngë, hare, është kënga “Mall për vendlindjen”, e dua shumë, kënga e Tish Daisë. Kam kënduar këngë të Agim Krajkës, që i dua shumë. Ka këngë shumë, por gishtin tamam s’mund ta vë.

Në çfarë aktiviteti keni marrë pjesë?

Ka qenë dje, është bërë dje dhe me vjen jashtëzakonisht mirë që shteti i organizon. Në fakt e ka organizuar fondacioni “FAB” me institutin Kombëtar të Integrimit të Jetimëve të Shqipërisë, me z.Ilir Çumanin, bashkë me Bashkinë e Kavajës. Ishte z. President që asistoi aty. Për fëmijët është shumë kënaqësi, sepse ne të mëdhenjtë edhe mundemi ta kalojmë, por me ta bën njëmijë herë mirë, sepse ata e shohin në sy, e shohin me petkun e shtetit, burrë shteti ka ardhur na ka parë ne fëmijëve të tërmetit apo jetimëve. Ka qenë shumë bukur, ka kënduar Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Liljana Kondakçi, kanë ardhur shumë artistë, Edmond Budani, Bujar Kapexhiu, kanë ardhur shumë.

Ju ikni për 10 ditë në Bruksel, kur do të mbërrini përsëri në Tiranë, kur do të ktheheni sigurisht në Shkodër, që ju nuk e lini asnjëherë pa shkuar, keni plane?

Mendoj se do vij herë pas here, sepse kam projekte, kam gjëra. Planet po t’i them pas skene, preferoj me i mbajt për vete.

Mesazhi që përcillni sot nga kjo studio për artin dhe politikën shqiptare …

Nuk është tavolina e politikës, por do të thoja për politikën dhe politikën se është jeta e shkurtër për të pas divergjenca të prera me thikë mes nesh. Gjithmonë kjo pjell dhunën, kjo mosshkuarje mire pjell fatalitet në ekonomi. Gjithçka e keqe është kur ka grindje, si në një shtëpi. Zoti na ka lënë tokë në këtë bashkësi, të cilën duhet ta respektojmë dhe jo të vrapojmë pas njëri-tjetrit me të keq.

Për artistët do të thoja, shumë mirë që ma kërkove, do iu lutesha shumë që me shpirt të shpalosin atë çka dinë dhe atë çka kanë, se kjo është vetvetja. Nëse e kalojnë këtë, ky popull që kanë është i kompletuar, është i zgjuar për të kuptuar ku është e vërteta, ku është falsiteti.

SHKARKO APP