Jo gjithkush ka me të dashtë
Nga Ada Halilaj.
Jo gjithkush ka me të dashtë.
Jo gjithkush ka me pa brenda syve tu.
Jo gjithkush ka me t’i ndërpre përgjigjet e gabume me pyetjet e duhuna.
Jo gjithkush ka me t’i lexu heshtjet, jo gjithkush ka me t’i ngroh duart, jo gjithkush ka me të shtrëngu mbas vetes sikur të ishe e shenjtë dhe e shtrenjtë.
Jo gjithkush ka me luftu për ty siç luftohet për një andërr të pamëshirshme.
Jo gjithkush ka me i mbajt premtimet.
Jo gjithkush ka me të ba dritë në ditët e tua ma të errëta.
Jo gjithkush ka me t’i qetësu djajtë e shpirtit.
Jo gjithmonë në shtratin tand ke me ba dashni me fytyrën e dashnisë; jo gjithmonë e mira ka me të ardh mbrapsht; jo gjithkush ka me të pru paqe.
Jo gjithkush ka me të dashtë për mrekullinë që je e kanë me punu mbi ty si artisti mbi skulpturën e tij, derisa të shohin atë që duan, derisa të të shpërfytyrojnë pa të lanë asgja tanden si kujtim.
Jo gjithkush ka me u tregu njerëzor me ty. Dikush ka me të vra me fjalë, dikush me shikim, dikush tjetër me shpindë të kthyme e dikush me nostalgji. Jeta ka me t’i mbajt mend tana dhimbjet, një për një, e hera herës ka me t’i mbështet mbi komodinë, të dielën në mëngjes, si ilaçet kundër harresës.
Mos mendo se ka me kenë e thjeshtë mbijetesa, dështimi e ringritja.
Përgatitu me humb njerëz, dashni, miq, trena, kujtime, kapëse flokësh e çakmakë cigareje. Përgatitu me mbet vetëm, me u ndi vetëm, me përplas duart mbi mur vetëm, me qa tanë natën e në mëngjes me gënjy se s’din pse i ke sytë e enjtun.
Ke me u thy në miliona mendime e ke me u pa në miliona njerëz, para se me u mbledh me gishtat e tu, në një vend të sigurtë.
Jo gjithkush ka me të dashtë.
Mos i mallko!
Mos mbaj inat!
Pranoje mosdashninë me dinjitet.
Çoju prej tavolinës ku buka të mbet në fyt.
Lene të lirë, lirinë. Lene frikën me të pushtu.
Qëndro e ngulun në tokën që të përket.
Ktheju nga vetja.
Filloju prej aty ku këputesh.
Lidhu rreth forcës tande si rreth një guri në stuhi.
Jo gjithmonë ke me ia dalë.
Ke me pasë ditë të paharrueshme lumturie e ditë që s’do doje të ishin ndal kurrë mbi ty.
S’ka gja.
Nuk ka fund nëse ka frymë.
Nuk ka dimën që zgjat gjithmonë. E një ditë, krejt papritmas, trupi jot ka me u ngroh nën një diell të ri e çdo dhimbje ka me dhimbt pak ma pak… çdo kujtim ka me u largu një pllambë ma larg… çdo plagë ka me u përzi me lëkurën tande, në harmoni të plotë.
S’ka gja.
Bota ka me u ba mirë.
Ti ke me u ba mirë.
Ka me kalu koha e ke me qesh lehtë për ç’ka dikur qaje fort.