“Ju flet Moska”: Shqipërinë e deshi më shumë Miladini apo Mid’hat Frashëri

Emisioni “Ju flet Moska” i Kastriot Myftaraj analizoi mbrëmjen e sotmer debatin mbi figurën e Mid’hat Frashërit, një personalitet i rëndësishëm në jetën politike e kulturore të vendit në gjysmën e parë të shek XX.

Myftaraj: Ardhja e eshtrave të Mid’hat Frashërit në Shqipëri krijoi një debat nëse duhet të vinin eshtrat e tij duke pasur parasysh qëndrimin e tij politik gjatë Luftës së Dytë Botërore. Është një debat i gjatë në Shqipëri, debati mbi kolaboracionizmin në Luftën e Dytë Botërore. Ky debat në Shqipëri është më i mprehtë se në çdo vend tjetër të Europës, është dhe më i nevojshëm dhe më i rëndësishëm. Shqipëria shpalli pavarësinë në 1912. Kur filloi Lufta e Dytë Botërore ishin gjallë  pjesa më e madhe e atyre që nënshkruan aktin e pavarësisë kombëtare, të cilët Amerika i quan etërit themelues. 

35 ishin gjallë, prej tyre 17 në gjendje fizike për të marrë poste, për të kryer detyra politike. Këta të 17 që u angazhuan politikisht, që u bënë kolaboracionistë të pushtuesve, ishin gjysma e themeluesve që ishin gjallë. Ndër ta është dhe Mid’hat Frashërit, një nga nënshkruesit  e pavarësisë. Të tjerët që nuk u angazhuan politikisht, për shkak të moshës kryesisht, nuk bënë as një gjest në dobi të lëvizjes komuniste. 

Komunistët nuk arritën të bënin për vetë asnjë nga etërit themelues në lëvizjen që e quajtën Nacional Çlirimtare. Arsyeja është shumë e thjeshtë.Etërit themelues i bënte shumë skeptik lidhja e lëvizjes komuniste me të dërguarit jugosllavë Miladin Popoviçin dhe Dushman Mugoshe,por edhe të tjerë. Kur flasim për qëndrimin e Mid’hat Frashërit në Luftën e Dytë Botërore, për fajet dhe meritat e tij, nëse i bëjmë një analizë shkencore që mungon totalisht sot nga historianët tonë do të thuhet që: Mirë, ky bashkëpunoi me fashistët, Mid’hat Frshëri dhe etërit e tjerë themelues, por i bie që Miladin Popoviçi e donte Shqipërinë më shumë se Mid’hat Frashëri!? 

Ne historinë me këta historianët tanë e shkruajmë kështu: Një serb, Miladin Popoviçi, që erdhi në Shqipëri të organizonte lëvizjen komuniste dhe luftën kundër pushtuesve, e donte Shqipërinë më shumë se djali i Avdyl Frashërit që organizoi Lidhjen e Prizrenit. Cila është e vërteta? E vërteta është që Miladin Popoviçi e urrente Shqipërinë, ai donte që Shqipëria të bëhej “mish për top” në mënyrë që të ndihmonte lëvizjen partizane në Mal të Zi që gjendej në presion të madh  të italianëve dhe gjermanëve.

"Ju flet Moska": Shqipërinë e deshi më shumë Miladini apo Mid’hat Frashëri

SHKARKO APP