Justina Aliaj sjell në Teatrin “Migjeni” një koncert poetik

Albert Vataj

Jeta artistike në qytetin e Shkodrës, në veçanti veprimtaria e Teatrit “Migjeni” ka qenë dhe është e denjë për qytetin e kulturës, për truallin ku u ngjizën zërat më të fuqishëm që përfaqësuan përkatësinë tonë identitare në botën e madhe të ndeshjes së titanëve të artit.

E radhës në këtë përfaqësim të vlerave dhe veprave, me të cilat artistët shkodranë kthehen te publiku është koncerti poetik në teatrin “Migjeni” me kolosët e poezis shqipe. Detajet e këtij aktiviteti i bëri të pranishme, regjisorja, Justina Aliaj.

“Jena shumë t’knaqun t’marrim n’dorë poezinë, e cila nga njiherë asht shumë larg, por duhet me ardh ma afër…” e përkufizoi kështu e madhja Justina Aliaj këtë prurje risi, në prezantimin e detajeve që bëri të njohur përmes një komunikimi me median. Në këtë tubim artistik, sa të veçantë aq edhe intrigues, poezia do të vijë nga aktorët e Teatrit “Migjeni” e gërshetuar me muzikë.

Ndërsa provat kanë nisur, publiku shkodran e pret me padurim këtë event festiv për poezinë, i cili do të zhvillohet më 16 maj 2024, ora 20:00. Nën interpretimin e Justina Aliaj, Merita Smaja, Rajmonda Marku, Jozef Shiroka, Simon Shkreli, Astrit Fani, Fritz Selmani, do të vijnë të mëdhenjtë e poezis shqipe, korifejt e fjalës shqipe, ata që e shndërruan krijimin në aktin sublim të shpirtërores, që nga Budi, Fishta, Camaj, Migjeni, Kadare, Agolli, Poradeci, Gjetja, Podrima… e deri tek Ledia Dushi.

Kori i “Prenk Jakova”, nën drejtimin e Maestro Gjon Shllaku, do të jetë nota magjike e kësaj atmosfere idilike, do të jetë frymëmarrja e asaj shpirtjeje fjalësh dhe vargjesh, përjetimi dhe ndijimi, që nëpërmjet mjeshtërisë së aktorëve të Teatrit “Migjeni”, do të bëjnë të mundur ta kthejnë këtë mbrëmje koncertore poetike, në një kremte për hyjninë e poezisë. Më shumë se një komunikim me publikun, ky event do të jetë një obelisk që fuqia e interpretimit do të ngre, për ata që zgjodhën poezinë për të nënshkruar përjetësinë.

Aktorët e Teatrit “Migjeni” kanë mundur dhe do të arrijnë t’ia dalin edhe kësaj sfide, e cila duke sjellë monumentet e poezisë shqipe, do t’i kthejë publikut shkodran pulsin e atij rritmi përjetimi të fuqishëm, dhe jetës artistike të qytetit një sprovë të re dhe të veçantë, të kurajshme dhe konkurruese, si një ballafaqim me nevojën për ta shndërruar skenën e teatrit në një altar.

SHKARKO APP