Kafka nuk ishte pesimist
Franci kishte fjetur deri në mesnatë. Dora qëndronte në anë të shtratit, vështronte trupin e tij të dobësuar dhe përgjonte i përqendruar çdo ndryshim të frymëmarrjes së tij. Llamba që bënte dritë mbi tryezë e shtrinte hijen e zgjatur deri në faqen e murit. Dora vërejti ngritjen e tij të ngathët, u mbështet mbi kraharor e vështroi me vëmendje profilin, linjat e vijëzuara qartë gjatë gjithë gjatësisë së tij, hundën eshtake, faqet kockëdala dhe sytë e futur thellë.
Jemi në Berlinin e vitit 1924, kur Franc Kafka 40- vjeçar po jeton dashurinë e fundit në jetën e tij. Ajo quhet Dora Diamant dhe është një vajzë hebreje europiano-lindore 25 vjeç. Njohja e tyre nuk ndryshon shumë nga njohjet e para të dashurisë, ku burri i njohur për kërkimin e së bukurës, pikasi duart e saj të gjata e të holla. Dhe e deshi menjëherë vetëm nga duart. Vetëm tri javë pas njohjes ata vendosën të jetonin bashkë. Të dy nuk e kishin provuar më parë bashkëjetesën. Franci kishte rënë në dashuri disa herë, por nuk ishte martuar asnjëherë. Shfaqja e sëmundjes së mushkërive gati gjashtë vjet para se të takonte Dorën e kishte detyruar të mos e mendonte martesën. Por me Dorën gjithçka ishte ndryshe. Kjo vajzë, me flokët e verdha e të shkurtra dhe sytë e mëdhenj, e kishte përfshirë të tërin. Franc Kafka po jetonte në një apartament të vogël në Berlin, ndoshta librin më të bukur të jetës së tij, në heshtje. As Maks Brodi (miku, e më vonë biografi i tij) nuk dinte asgjë për Dorën dhe rolin e saj të rëndësishëm në jetën e tij.
Historia e kësaj gruaje që kishte trazuar zemrën e brishtë të Franc Kafkës do të bëhej publike për familjen e miqtë kur nga sanatoriumi ‘Hofman Kirling’, u shkruante letra për gjendjen e tij. “Dje më mori në telefon nga Kirlingu, zonjusha Diamanti. Dr. Franc Kafka ndien një dhembje të mprehtë në fyt, veçanërisht kur kollitet. Sot zonjusha Diamant, më mori përsëri në telefon dhe më njoftoi se dhembjet ishin kthyer sërish me një dendësi të madhe. E këshillova ta çojë dr. Kafkën në Pragë. Por ajo nuk pranoi duke menduar se përmes kësaj, i sëmuri do të kuptojë gjendjen e rëndë. Është detyra juaj që ta vini në dijeni për gjendjen e sëmundjes. Nga ana psikologjike unë e kuptoj se zonjusha Diamant me këtë sakrificë prekëse mbron interesat e pacientit. Ajo kërkon të thirren një grup mjekësh specialistë. Por gjendja në të cilën ndodhet dr. Kafka nuk ka më kthim …”, shkruante në një nga letrat mjeku që ndiqte gjendjen e Kafkës.
“Në prag të vdekjes së vet, Franci kishte bërë disa marrëveshje”, ka shkruar gazetari gjerman Vili Has. “Njëra marrëveshje që njihet është ajo me dr. Klopshtokun, i cili kur të shihte se nuk kishte më shpresa duhet të përshpejtonte vdekjen duke i bërë injeksionin. Dukej se në një çast dobësie, Franci i kishte dhënë leje Dorës të vdiste me të”. Në çastet e fundit një mik i Francit i ardhur nga Praga e kishte çuar Dorën për të postuar një letër. Kur ajo u kthye me duart e mbushura plot lule, ai ishte zhytur në qetësi.
Varrimi në Pragë, dhembja e ditëve të para pa të, do ta bënin Dorën të tërhiqej për disa vite. Kur Maks Brodi e pyeti në kishte ruajtur blloqe me shënime të Francit a letra mes tyre për të botuar veprën e plotë, ajo mohoi duke thënë se i kishte djegur të gjitha. Deri në vitin 1933 kjo grua do të heshte duke respektuar dëshirën e tij, që “dorëshkrimet të asgjësoheshin pas vdekjes”. Nuk donte që bota ta njihte Francin, donte të ishte vetëm e saj. Vonë, Dora do ta kuptonte se përvoja e saj do t’i jepte dritë keqkuptimeve që ishin krijuar për Kafkën. Pas gati 20 viteve heshtjeje ajo vendosi të flasë për të ndihmuar në krijimin e portretit të vërtetë të Franc Kafkës, duke hapur një shteg përmes së cilit do të njihej më mirë shkrimtari.
I pari që takoi ishte Maks Brodi. Dora donte të ndreqte mendimin rreth mungesës së shpresës që karakterizonte veprën e Kafkës. Asgjë nuk është më tepër e tmerrshme sesa ta gjykosh padrejtësisht shkrimtarin dhe ta vlerësosh në mënyrë pasive krijmtarinë e tij, ta akuzosh për mungesë humanizmi dhe rënie shpirtërore. Ndërsa personazhi K ishte i dënuar në procesin gjyqësor, Kafka kërkonte të tregonte me këtë, absurditetin e këtij procesi. Ai nuk kishte ndërmend të tregonte humbjen e shpresës.
Dora do t’i tregonte Brodit më shumë se çdo njeri tjetër që e kishte njohur Kafkën. Është e mahnitshme aftësia që ka dashuria për të depërtuar te tjetri dhe për ta njohur të tërin në vetëm pak kohë. “Franci vuante shumë për vuajtjet e të tjerëve. Ai kurrë nuk kishte menduar të krijonte një jetë për veten e tij, për të shpëtuar veten. Ai nuk ishte aspak pesimist”, thoshte ajo. Historia e Dora Diamant dhe Franc Kafkës mund të lexohet në librin “Dashuria e fundit e Franc Kafkës” me autore Kathi Diamant, botimet “Bota shqiptare”. I shqipëruar nga Perikli Jorgoni, ky libër na bën ta shohim ndryshe jetën e një prej shkrimtarëve më të keqkuptuar të shekullit të kaluar, përmes marrëdhënieve që pati me një grua.
Alda Bardhyli