Kalaja antike e Zharrës në Tepelenë
Kultura E Diel, 23 Gusht 2020 14:35
Nga Et’hem Ruka –
Çdo vend që ka një fortesë ka edhe një histori të lashtë. Edhe Turani e ka një të tillë, kalanë e Zharres. Kjo kala ndodhet jo larg fashatit në drejtim të Tepelenës.
Ajo është vendosur mbi një kodër shkëmbore rreth 300 m mbi nivelin e detit. Perimetri i saj është rreth 430 m, ndërsa sipërfaqja rreth gjysëm hektar. Muret e gurit me trashsi 1.6-1.8 m, përforcohen nga tre kulla.
Kjo kala u vizitua dhe përshkrua për herë të parë nga Pukëvili. Konsideratat e tij gjenden ne në veprën e tij “Udhëtimi i Greqisë” (Voyage de la Grece), botuar në Paris më 1826. Sipas tij fortesa është ndërtuar nga latinët.
Përshkrimi më i saktë i kësaj kalaje u bë në vitin 1963 nga një ekspeditë arkeologjike shqiptare, ndërsa gërmmimet e para u realizuan në korrik të vitit 1970 nga një grup studentësh të Fakultetit Histori Filologji, si dhe nga punonjës të sektorit të Arkeologjisë së asaj kohe.
Gjetjet arkeologjike si pjesë qeremikash, enë kuzhine prej balte, pjesë metalike etj dëshmojnë se ajo është ndërtuar në periudhën e antikitetit të vonë. Arkeologët tanë mendojnë se kështjella është ndërtuar mes shekullit të 4-të dhe të 6-të të erës sonë.
Ka shumë mundësi që kështjella u ngrit për t’i prerë hovin dyndjeve barbare në Ballkan në shekullin e 3-te dhe të 4-ët të erës sonë. Kalaja e Zharres është një ndër kalatë e tjera të Tepelenës si ajo e Dorëzës, Matahasanajt, Dukuajt, Horës, Nivicës dhe Leklit që janë në rrjesht njëra pas tjerës.
Gërmimet e rastësishme për hapjen e tokave të reja në tokat përballë kalasë kanë zbuluar qypa të mëdhenj prej qeramike që ndoshta përdoreshin për ruajtjene drithrave, vajit apo verës, si dhe gurë varri dhe kapakë sarkofagësh. Një gur varri dhe kapaku i një sarkofagu janë rujtur në gjendje të mirë.
Në një nga faqet e gurit të varrit janë gdhendur në relief dy figura njerëzish që qëndrojnë afër njëri-tjetrit. Mbi kokat e figurave ndodhet një mbishkrim ku lexohet XAIPE Λ EONTICICKOCET, ndërsa në një nga qoshte e kornizës është shkronja K.
Kapaku i sarkofagut ka formën e çatije. Në njërën nga faqet e tij ka një mbishkrim me tre rrjeshta KOCMI ΛΛ A, A Λ EZANROI XAIRE. Këto shkrime mbeten ende të padeshifruara.
Sipas arkeologut Damian Komata, këto objekte janë zbuluar në Qafen e Vreshatve të Turanit, ku me sa duket ka ekzistuar një varrezë e vjetër, ku ndoshta u prehen stërgjyshërit tanë të hershëm. Inventari i këtyre gjetjeve, sipas arkeologut Komata, i takon periudhës helenistike të vonë, gjë që vërtetohet nga forma e shkronjave.