Kalvari “modern” i Kishës Katolike

 Nga Nesti Zefi – Fjalët monumentale të Papës Benedikti XVI të publikueme në nji revistë gjermane janë sinteza ma e pëkryeme e mundshme mbi situatën aktuale kritike të Kishës Katolike për shkak të përfshimjes të disa klerikëve të saj në akte të turpshme perversiteti. Shënimet e Papës Ratzinger mund të konsiderohen si “enciklika” e tij e fundit e cila me aftësine e saj ndricuese penetron terrin e konfuzionit aktual, të ushqyem prej jo pak barijve të vetë Kishës. Me nji vështrim diakronik e sinkronik të krejt historisë së Kishës e sidomos të asaj mbas Koncilit të Dytë të Vatikanit, Papa Ratzinger na kallxon se Kisha shkon në krizë kur “pretendohet” ripërtrimja e saj tue u bazue në forcat tona e tue margjnalizue Krishtin Zotë, themeli i vërtet i saj. Largimi prej Zotit me alibinë e afrimit me njeriun që në nji farë mënyrë përmbys paradigmën e misterit të Zotit të bamë njeri në njeriun e bamë Zotë asht realisht qasja e gabueme ndaj vetë misionit të Kishës Katolike në raport me botën. Në këto shënime kumbon zani i traditës autentike dymijëvjecare të Kishës Katolike, esenca , identiteti e misioni i pandryeshueshëm i saj si korp mistik i Krishtit që projektohet në cdo kohë e hapsinë histoirike e metafizike, pra deri në amshim. Gjuha, stili e dashnia me të cilën janë shkrue këto shënime, janë të pakapshëm prej “radarëve të instrumentalizimit mjeran”, tipike e kundërshtarëve të Papa Benediktit dhe nuk mund të lexohen kurrsesi si alternativë ndaj pontifikatit të Papa Franceskut, të cilit i ka marrë leje për publikim e që mandej e falenderon me zemër për cka po ban për të mirën e Kishës. Kisha e fushë-betejës, metaforë e bukur e Papa Franceskut, kishte vërtet nevojë për nji “ambulancë” të specializueme, sic asht mendimi e veprimi i Papa Ratzinger që të diagnostikonte me kurajon e së vërtetës sëmundjet e bijve mëkatnor e të “përsonelit”  të Kishës, tue tregue prognozën e duhun në nji moment vërtet delikat për ta ku janë në lojë vetë themelet dhe identiteti ontologjik i saj. Errësimi i arsyes, legjitimimi i cdo instinti në emën të nji lirie kapricoze të kalibrueme ekskluzivisht në të ashtuquejtunat të drejta të individit, sfumimi i dallimit të mirës prej të keqës për shkak të nji bombardimi relativist intolerant në kulturën medemek moderne, etika e situatës dhe e interesit kontingjent, asimilimi i Kishës me kategoritë sociologjike të nji organizate profane, margjinalizimi i fesë në dimensionin e ngushtë privat dhe cedimi ndaj kompromisit te ulët, mbijetojs e mjeran dhe anashkalimi i kategorisë të kshtenë të martirizimit si alternative fisnike reaguese ndaj të keqës, janë disa nga temat e prekuna prej shënimeve trahsendentale të Papa Ratzinger. Në shënimet e Papës nuk mungojnë referencat për pasojat e revolucionit libertar të vitit 1968 kur shthurja morale e liria seksuale e promovueme dhunshëm prej pushteteve okulte masonike përftoi vetëvrasjen e njeriut në dimensioned e tija kostitutive dhe të shejta. Pikërisht në konditat e kësaj klime kulturale perverse, ku flakronte panseksualizmi i pa limit, kafshor e jo natyror, edhe Kisha si subjekt që jeton me botën u moleps në seminaret e saj me ide kulturore që shkonin kundër identitetit e msionit të saj. Nji pakicë agresive, mbartës të kësaj kulture perverse, msyen seminaret e banë aleancë me shumë klerikë heretikë të mshehun mbrenda Kishës dhe filluen ta modelojnë jetën e vet kryekëput kundër parimeve të saj dhe aty filloi edhe legjitimimi i cdo herezie të vjetër e të re në emën te hapjes medemeket me botën. Parimi makiavelik se qëllimi justifikon mjetin u zhdoganue haptazi edhe pse i zbukuruem me sllogane të reja si “sinjalet e kohës” etj. U formuen klube homoseksualësh nëpër seminare e librat e profesor Ratzinger ishin gati të ndaluem e lexoheshin tinzit dhe kush gjendet tue i lexue nuk ishte i denjë me u ba meshtar. Allergjia ndaj cdo norme morale u ba dogma e vërtet intolerante dhe joshja vdekjepruese edhe për intelektualët e ri që mbushën mandej katedrat e mendimit fetar e profan për trasmetue e përhap fjalën e re helmuese.  Personalisht u gzova shumë për këto shënime të Papa Ratzinger jo vetëm për vlerën sublime që kanë dhe kënaqësine e vecantë që të japin në forcimin e fesë e të kulturës katolike e njerëzore por edhe për faktin janë shkrue bash në koincidencë me disa shënime të mia mbas shpëthimit të rastit të ish Nuncit Viganò, i cili denunconte kulturën e heshtjes të krenave të Kishës Katolike mbi plagën e pedofilisë ose ma mirë me thanë të homoseksualitetit të disa barijve të saj e në mënyrë të vecantë për rastin e ish Kardinalit amerikan Theodore Edgar McCarrick.

 

Pavarsisht indinjatës të ligjshme të ish Nuncit Monsinnjor Viganò për cka ka pa në labirinthet e burokracisë vatikane në trajtimin e rasteve të disa barijve të Kishës të implikuem moralisht e me vese, mbeten të diskutueshme e ndoshta të teprueme akuzat ndaj Papa Franceskut se ka veprue me vonesë dhe ska marrë parasysh informacionet e rezervueme denuncuese ndaj këtyne rasteve, mbasi për hirë të vërtetës duhet thanë se ai po vazhdon në rrugën e tolerancës zero të inaugurueme prej Papa Ratzinger në pastrimin e Kishës prej krimit e mëkatit të tmerrshëm të pedofilisë e homoseksualitetit.

 

Mbasi lexova shkrimet e ish Nuncit Viganò, më erdhi natyrshëm të shkruej dicka e në fakt, unë u nisa me njitin e mirë me shkrue nji postim të thjesht në fb por cuditërisht vuna oroe se kisha hedhë në ëord ma shumë se 30 faqe…

 

Më duket e tepërt me shtue se shkrimi i jem që ishte konceptue si nji postim gati i banal në fb për nji rast që e trazon njitin e mirë të besimtarit, mund të ketë shkallë krahasuese me shënimet profetike e sublime të Papa Ratzinger por nga ana tjetër mendoj fara e mendimit të tij, ndaj të cilit kam nji sintoni e vlersim të jashtëzakonshëm, asht disi e pranishme edhe pse e përthyeme me filtrat e kulturës e historisë personale. Mbasi e pata mbarue shkrimin nuk e publikova për arsye se m’u dukë shume i gjatë e me implikime të shumta tematike që shkojne përtej nji statusi në median personale FB. Kështu tue marrë parasysh edhe këshillën e nji miku të mirë, mendova ta zgjeroj e rikonceptoj ma mirë në nji moment ma të volitshëm, tue integrue edhe kontribute të tjera të maparshme, në mënyrë të riepilogoj nji farë mendimi interdisiplanar thellësisht personal edhe pse në dialog me instancat ma  përvëluese të kohës aktuale, me vështrim të posacëm mbi fizionominë e mendimit politik e shoqnor të rastit shqiptar, të cilit në optikën teme olistike i mungojnë paradigmat e duhuna për ta trajtue në mënyrë të drejtë. Shtoj, gjithashtu se edhe shpërthimi ne media i fenomenit të doktorraturave plagjaturë që nuk ishte mister per mu, më banë me reflektue se publikimi vetëm në fb i shkrimeve të mia duhet të kufizohej në nji farë mënyre. Përtej faktit se vizioni personal mbi këto cështje nuk parasheh copyright, kam vu oroe në shumë raste se shumë shkrime e mendime qartësisht të miat ishin ba “ushqim i panevojshëm” për ushtrinë e plagjaturistëve kopjues mediokër me akses ne mediat kombtare të cilët me pak modifikime u kishin vu emnin e vet punës e mendimit të tjetrit pa ma të voglin sforco me ba nji citim të vogël. Dija asht qarkulluese e ka dimension personal e komunitar dhe ndihem mirë kur termat: kolaps moral, relativizëm i skajshëm i vlerave që janë pjesë e repertorit historik të Papa Ratzinger, i kam përdor edhe vetë në shkrimin në fjalë, përfshi edhe ajo origjinale “otomano-komunizëm” apo krizë e autoritetit në familje e mbrenda Kishës. Publikimi i shkrimit të Papa Ratzinger, i cili ka nji perimetër të qartë analizët e shpreset me tejkalue krizën e Kishës Katolike, më shtyn të publikoj edhe shkrimin tem i cili sigurisht e merr shtysën prej rastit të krizës aktuale të Kishës por shtrihet edhe  në tematizimin e realitetit shqiptar politik e kishtar. E kam thanë disa herë që cdo problem politik në thelb asht problem teologjik dhe ky fakt asht bollshëm i konfirmueme prej rastit shqiptar, kriza e te cilit asht raporti i drejtë me Zotin e vërtet apo ma thjesht madje mungesa e frikës të Zotit, i konceptuem thjesht si entitet ekzoterik që mundet me të ndihmue pavarsisht natyrës së veprimit apo njitit. Pikërisht nji Zotë i konceptuem në formë ekzoterike dhe justifikues i cdo veprimi e mendimi pa i analizue e shqyrtue me ndërgjegje të drejtë ato, mendoj se asht burimi i dizorentimit valorial shqiptar që rrezikon me moleps edhe segmente të Kishës Martire Katolike Shqiptare, i vetmi realitet argjinues i të keqes historike që u ka ra për hise trojeve shqiptare. Emertimi i shkrimit si “Kalvari Modern i Kishës Katolike” përvec nji pasqyrimi autobiografik të vështërsive me u përball me cdo model herezie mendimit që mandej ka implikime praktike të frikshme, tue shkaktue kaos në përditshmëninë tonë personale, familjare, komunitare e kombtare, dëshmon edhe shpresën se rruga e kalvarit asht triumfi shëlbues i Krishtit që kalon tue u impegnue me fe me i shërby korpit të tij mistik, pra Kishës Katolike.

Premisë Hyrsë

Qysh me shfaqjen e saj para dymijë e kusur vitesh, Kishës Katolike, ashtu sikur themeluesit të saj Krishtit Zot, i asht dashtë më përshkue rrugën e kalvarit para ngadhënjimit final ndaj vdekjes nëpërmjet mrekullisë të ringjadhjes. Besëlidhja e Re (Bibla) na kallxon në shumë pasazhe se si persekutimi fillestar i fesë të Krishtit e kishte zanafillën në xhelozinë e Cezarit të asaj kohe, mandej i rinovuem e i konfirmuem me kurba luhatëse në histori në cdo kohë e hapsinë prej Cezarëve të radhës, pa harrue sigurisht peshën specifike të ardhun prej të keqës të mbrendshme, produkt i mëkati të rrjedhshëm të trashëguem prej Evës dhe Adamit. Mjafton të kujtojmë cka na thotë Unjilli për dyshimet, komplotet, kalkulimet mjerane njerëzore e trathtitë e shpeshta të apostujve të Krishtit, të cilët edhe pse ishin në praninë fizike të Zotit të bamë njiri, vonë e kuptuen se kush ishte Krishti e misionin e tij; e kuptuen jo në sajë të forcave të veta por të hirit ndricues e shëlbues që Shpirti i Shejtë derdhi mbi ta.

 

Në Doktrinën e Shejtë të Kshtenë, gjeneza e trathtisë në radhët e Apostujve të Krishtit, emblematikisht identifikohet me Judën që trathtoi për 30 monedha argjendit, motivet e të cilit mbeten mister, përtej disa hipotezave intersante të studiuesve të fushës, pra, biblistave e teologëve. Valenca pedagogjike e Shkrimit të Shejtë dhe episodi i trathtisë të Judës, pa harrue gjithmonë plagën e mëkatit të rrjedhshëm, na ftojnë me meditue mbi mundësitë e shumta të korruptimit e kalbëzimit të zemrës të njirit dhe me të drejtë Unjilli i Markut thotë: “Sepse nga mbrenda, domethanë nga zemra e njeriut, dalin mendimet e mbrapshta, shkeljet e kunorës, kurvënimi, vrasjet, vjedhjet, lakmitë, ligësitë, mashtrimet, pafytyrësia, smira, blasfemia, kryenaltësia, budalleku. Të gjitha këto mbrapshtina dalin prej përmbrenda dhe e ndyjnë njeriun“.(Mk 7,14-23).

 

Pra, e mira dhe e keqja para se me penetrue në shoqni dhe strukturat e saj, lindin në zemrën e njirit e cila ka nevojë të bonifikohet e të shërohet nëpërmjet refuzimit të nji vizioni individualist, autoreferencial e kompetitiv të jetës, tue u sintonizue me zemrën e Krishtit, zemërbutë e i përvujtë. Trashëgimtarët e Apostujve, pra edhe të Judës, sot janë Ipeshkëvijtë dhe kleri katolik e në këtë prizëm mos të habitemi shumë se skandali eventual i trathtisë asht regjistrue e ripërtri mbrenda Kishës në cdo kohë e hapsinë pavarsisht paralajmrit të Krishtit në Unjill i cili përdor fjalë të ashpra ndaj trathtarëve: “mjerë ai njeri që tradhton Birin e njeriut” (Mt 26,24).

 

Këto fjalë lapidare të Krishtit, i cili respekton gjithmonë lirinë tonë, përfshi atë me gabue, tregojnë se kalvari që përftohet prej trathtisë në rrethet e afërta miqsore, familjare kishtare, apo prej mikut ma të mirë, sikur ishte Juda për Krishtin, asht vërtet ma i randi dhe ma i zorshmi me u metabolizue. Madje vetë pendimi i Judës degjeneroi në dëshpërim e vetëshkatërrim, fakt që ilustron përmasën e frikshme diabolike të pranishme në cdo trathti të “programueme”, të bamë me vullnet të hekurt dhe të diktueme prej smirës, gjelozisë, komplekseve të inferioritetit e në fund të vetë-skllavnimit egoist. Pikërisht për këto arsye, lajmet edhe për ndonji skandal të izoluem, të lidhun me afera seksuale e monetare mbrenda Kishës, përbajnë apoteozën e trathtisë të misionit të saj të shëjtë e provokojnë turbullim shokues në zemrën e shpirtin e besimtarëve dhe të cdo njiri vullnetmirë.

 

Trathtia e mikut për me ba “mikë” armikun asht gjithmonë nji projekt diabolik e kurrë rezultat i nji mendjelehtësie apo hutimi, që shpesh herë indulgjenca jonë naive na sugjeron dhe aktivizohet si bombë me sahat me goditë e sabotue momentet kyqe të jetës të njirit apo të institucionit, objekt smire e xhelozie. Sigurisht, e dijmë mirë se Kisha Katolike asht “gjahu” i shumë kërkuem për me futë helmin e përcamjes dhe të deskrititimit të këtij institucioni të shëjtë para botës e besimtarëve të saj. Apelet e fundit dramatike të Papa Franceskut me recitue lutjen e vjetër të  Shën Mhillit për me mbrojt e ruejt Kishën e sulmueme prej djallit, janë vërtet profetike e shejë e sintonisë të tij me përshpirtninë e devocionit popullor të grigjës të besimtarëve.

 

Impakti i tmerrshëm i trathtisë të disa njerëzve të Klerit, gjanësisht e dramatikisht i pasqyruem, sidomos prej artilerisë mediatike antikatolike botnore, e angazhueme në gërmimin obsesiv, gjetjen e diskutueshme dhe ekzaltimin e shkandullit (skandaleve) me sfond seksual, asht ftesë për cdo besimtar katolik për me rinovue arsyet e shpresës të tij në fenë e Krishtit, ashtu si na ka porositë Shën Pjetri. Shpesh ndigjojmë se shumë vetë largohen apo rrijnë indifferent ndaj Kishës tue e motivue me skandalet që qarkullojnë në media apo me sjelljet “jo simpatike” të njerëzve të klerit.

 

Mendoj se, pa dashtë me minimizue efektet e kundërdëshmisë me gjithë dëshirën e mirë me kuptue përmasën njerëzore të tynë, ata që largohen prej këtyne arsyeve, nuk janë kenë kurrë besimtar të fesë të Krishtit. Nëse ne besojmë vetëm te meshtari, ipeshkëvi apo edhe vetë Papa, të cilët janë thjesht shërbëtor të “takimit sakramental” me Krishtin, atëherë feja jonë asht ba thjesht ithujtari e nuk mund të jetë kurrsesi feja e Krishtit. Sikur të kishim aplikue këtë kriter të medemek “indinjatës”, paraardhësit tonë katolik që mbrojtën fenë e Krishtit nan përsekutimn gjakatar të pushtimit ottoman, do të ishin joshë me cedue ndërsa shihnin shumë të afërm të tynë që braktisnin fenë e Krishtit, në shumë raste edhe për leverdi në favor të fesë të pushtuesit. Pra, po të kishin veprue simbas kontingjencës të oportunizmit, sot ndoshta nuk do të emnohej ma Shqipnia me krejt identitetin e saj. Për me shmang keqkuptime, sepse jo rrallë herë ndigjojmë edhe katolikë që thonë se ata nuk kanë nevojë për Kishën e ndërmjetësinë e përfaqësuesve të saj për me realizue takimin e tyne personal, të dretëpërdrejtë e të menjëhershëm me Krishtin, shtoj se ky tundim me përjashtue Kishën asht krejt i gabuem dhe aspak katolikë. Krishti nuk takohet pa sensin e bashkësisë të besimtarëve në Kishë e ndërhmjetësinë e saj me anë të sakramentave qëë mbarështohen eskluzivisht prej njerëzve të saj të shuguruem.

 

Prandaj, në cdo kohë jena të thirrun me luftue betejën tonë të mirë dhe largue prej nesh tundimin e “perfeksionizmit” i cili pretendon nji Kishë të mbushun me njerëz të “përsosun”, klerikë e besimtar “të epërm” e pa mëkat etj. Krishti kur na ka urdhnue në Unjill me keën të përsosun, i referohej nji gatishmërie të përvujtë rrugetimi me e ndjekë ate, nji parimi finalist, mbasi ai e din mirë se jena mëkatnor dhe kështu na ka dhanë mjetet e duhuna sakramentale në Kishë për me u konvertue e me fitue shëlbimin prej mundimeve të tij në rrugen e Kalvarit. Mos të harrojmë se para se me gjykue Barijtë tonë, kjofte edhe me të drejtë, asht mirë para së gjithash, të shohim situatën problematike të grigjës të besimtarëve katolike e cila ka psue procesin e “tredhjes” e të “shpërlajmjes” të trunit prej instancave të reja të relativizmit praktik dhe nuk ndryshon shumë prej pjesës tjetër të opinionit publik. Përkundrazi, pohimet parimore e morale të Kishës i kundërshton haptazi e madje në shumë raste edhe me vrerë të pakuptimtë dhe kështu i asht konformue “rehatisë” iluzore të botës, tue thye unitetin me magjisterin e Kishës dhe barijve të saj.

 

Përzgjedhja nga qarqet mediatike te botës të skandaleve në Kishën Katolike tashma asht ba “meny” e përditshme, modalitet interaktiv, instrument dominimi e orientimi i agjendave të tyne, elektroshok emotiv për me depistue e thellue ngulitjen te njeriu i sotëm i vlerave të reja kontraktualiste asimetrike, të cilat janë përpunue me mjeshtëri në laboratorin postmodern e globalist, me qëllimin e deklaruem me kohë, për me goditë në vecanti pengesën e fundit të “progresit ideologjik”, pra, Kishën Katolike. Cdo dobësi mbrenda Kishës asht rast i volitshëm për me fuquzue sulmin ndaj kredibilitetit të saj. Gjithsesi, dialektikën konfiktuale me botën, Krishti e parashikon qartë në Unjillin e Gjonit; “Nëse bota ju urren, ta dini se më ka urrye mu para jush”.(Gj.18:21).

 

Me lirinë e besimtarit katolik, aq ma tepër shqiptar që në kontekstin ku ka jetue, i asht dashtë me kuptue qysh në moshë të njomë, jo vetëm urrejtjen e botës përreth, por edhe me u mrekullue prej shejtnisë së kishës së katakombeve dhe të fisnikërisë së bashkësisë katolike të cilës i përket, parashtroj si premisë themelore e kriter metodologjik në trajtimin e objektit të shkrimit në fjalë, nevojën e shmangies të identifikimit total e tout cour mes Kishës Katolike (që mbetet e shejtë) dhe skandaleve të disave prej “personelit” të saj.

 

Pra, pa dashtë me ra pre tundimesh apologjetike të rëndomta për Kishën Katolike, të cilën e mbron themeluesi i saj, Krishti Zot,  vërëj se trathtia e brishtësia e apostujve dhe pasardhësve të tynë, sikur janë Ipeshkëvijtë e kleri në përgjithsi, ka shoqnue rrugëtimin e saj gjatë historisë edhe pse për hirë të vërtetës duhet thanë pa mëdyshje se shejtnia e dritës i ka dominue e ndricue ato pak skute terri  të diktuem prej mëkatit, ky i fundit pjesë strukturore e njirit, falë asaj mori të jashtëzëkonshme shejtnish e martirësh të cilët besnikërinë e tyne sublime ndaj Kishës e Krishtit e kanë pague deri në derdhjen e gjakut. Në këtë kontekst, mendoj se trathtia e metamorfoza diabolike e nji pjese të “personelit” të saj, zanafillën e brishtësisë së vetë ma shumë se “fiziologjike” duhet ta gjejë te largimi metodik, gradual e gati i programuem prej burimit të fesë të Krishtit Zot, tue përqafue akritikisht edonizmin e rrejshëm të botës.

 

Megjithatë, ka të drejtë Papa Francesku që thotë se ban ma zhurmë “nji lis që rrxohet se sa nji pyll që rritet”, tue aludue për zhurmën e skandaleve me të cilët kërkohet të deskrititohet Kisha Katolike. Sakrifica e vetëmohimi sublim i misionarëve të saj anembanë botës, në kontekste persekutimi e mjerimi të skajshëm, tue predikue me praninën e tyne fizike në mes rreziqesh të pashoqe fjalën e Zotit e ndihmue në tana format njerëzit në nevojë, asht përgjigja e reagimi ma i bukur ndaj skenarit përdhosës të armiqëve  të Kishës Katolike.

 

Me këtë premisë të nevojshme hyrëse, do të ndalem me inkursionet e digresionet e mia sa teologjike, sociologjike e antropologjike për me thanë disa fjalë mbi përmasat gati apokaliptike që ka marrë sulmi aktual, koncentrik, mediatik, ciklik e diabolik kundër Kishës Katolike për shkak të trathtisë skandaloze të disa bijve të saj të shuguruem e të padenjë. Fokusi i analizës do të integrojë me disa citimime sintetike gjenezën e largët e të afërt të presioneve të ndryeshme që kanë ardhë tue u radikalizue në kohë prej rrymave filozofike me natyrë heretike në raport me doktrinën e shëndoshe të Kishës Katolike. Vetë shkrimi i Shejtë, vecanërisht në letrën e dytë të Shën Palit drejtue Timoteut na fton për vigjilencë dhe na paralajmron për nji eventualitet të tillë kur thotë: “Sepse do tė vijė koha kur njerėzit nuk do ta durojnė doktrinėn e shėndoshė, por, simbas dëshirave tė veta, do tė mbledhin grumbull mėsues me u kilikue (gudulisë) veshėt dhe do t`i largojnė veshėt nga e vėrteta e do t`i sjellin kah pėrrallat”.

 

Pikërisht doktrinat heretike që Kisha Katolike, falë “antikorpave” të Shpirtit të Shejtë, vazhdimisht i kishtë xjerrë prej derës, riprezantohen në periudha të ndryeshme historike të karakterizueme prej dobësisë në fe, tue u mundue në mënyrë të kamuflueme me hy nëpërmjet dritares apo tue tentue “korruptimin” e rojeve pak të “përgjumuna” të derës së madhe, madje me pretekstin e mëshirës…

 

Po ashtu nuk mund të rri pa përmend disa saktësime të nevojshme mbi natyrën problematike e fort të dyzueme të konceptit të shekullarizimit, i inauguruem në epokën moderne, tue pasë në fokus ciklet e raporteve të forta dialektike e konfliktuale mes natyrës të shtetit modern dhe Kishës Katolike. Modernizmi si kategori rrymë filozofike, pavarsisht ndonji instance vërtetësia që mbart, në tanësinë e tij dhe për mënyrën e vetë të implementimit në histori, mbetet i papajtueshëm më vlerat e Kishës Katolike dhe nocionet e “mylmyeme” në “vajin” e tij kanë pësue nji metamorfozë konceptuale e domethanie radikale. Vetë koncepti i shekullarizimit modern nuk ka lidhje thelbësore me thanien e Krishtit “Jepi Çezarit cfarë i takon Çezarit e Jepi Hyjit atë që asht e Hyjit”, sepse ai realisht ka lindë si rrymë agresive e antagoniste ndaj vetë Kishës Katolike. Pamundësia me realizue projektin modernist të shkatërrimit të plotë të Kishës katolike, reflektohet në përdorimin hipokrit të konceptve eufemiste të “laicitetit të shëndoshë” apo absolutizimit të “ndarjes të Shtetit prej Religjonit” e fraza të tilla standarte. Madje, edhe disa njerëz të Kishës kanë ra pre e ekuivokeve të kësaj  neo-gjuhës të destrukturueme e funksionale me tymos nëpërmjet nji mori sofizmash të rëndomta projektet e vjetra të “modernizmit” antikatolik, pa përmend modelin e “intelektualëve” të “iluminuem”, të cilët janë helmi i vërtet në “trashimin” e këtij konfuzioni konceptual.

 

Doktrina e Shejtë Katolike me përvojën e saj dymijëvjecare dhe e asistueme prej Shpirtit të Shejtë, tue njoftë autonominë relative të realiteve tokësore, na kujton se laiciteti i vërtetë konsiston në dallimin e përgjegjsive mes Kishës e strukturave të shtetit apo realiteve të tjerë të ndërmjetme natyrore dhe varësinë tonë të përbashkët prej të njajtit krijues. Laiciteti në fund të fundit asht i lidhun me të vërtetën e rendit natyror, me lirinë e ndërgjegjës, implementimin e saj efektiv në hapsinën publike dhe mbrojtjen fisnikëruese të dinjitetit njerëzor. Kisha Katolike asht për natyrën e saj të gërshetimit mes hyjnores e njerëzores, garante sublime e laicitetit edhe në prani të nji pluraliteti religjoz e sensibilitetesh te tjera ideore. Historia botnore ka tregue bollshëm se aty ku mungon prania e saj apo asht nji za i ndrydhun, nuk mund të flitet për liri, pluralizëm autentik, respektim të dinjitetit njerëzor, mbasi sundon i pratrazuem arbitrariteti e mendësia diktatoriale e mandej përmbrendësimi kapilar i vargojve të skllavnisë prej të sunduemve pa imunitetin e nevojshëm të reagimit.

 

Ndoshta rasti shqiptar i dëbimit e ndrydhjes për gati pesë shekuj të pranisë shëlbuese të Kishës Katolike në tokën shqiptar, asht dëshmia ma elokuente e kuptimplotë e arsyeve të mungesës totale të lirisë, paqes sociale e zhvillimit integral të njirit e vendit. Po ashtu, prania e saj nëpër katakombe e qendresa e paepun e nji grigje të vogël e kompakte nan zgjedhën e pushtimit pesë shekullor të perandorisë osmane janë dëshmue pishtari i ndezun i shpresës të vërtet e mundësisë së pshtimit të trojeve shqiptare prej kthetrave asfiksuese otomane. Madje në ato pak momente lirie që ka pasë Kisha Katolike, produkti i lutjes, luftës e qëndresës së saj, ajo ka kontribue në procesin e zorshëm të rikuperimit të identitetit shqiptar, tue zhvillue e pasunue elementët e tij konstitutiv: in primis feja e Krishtit, kultura, gjuha, tradita etj. Kombi shqiptar asht plazmue eskluzivisht prej tharmit të fesë të krishtit, i cili asht ba ushqimi kryësor i kulturës autentike shqiptare dhe ky pohim nuk asht shprehje arrogance por dashnie ndaj nji të vertëte elementare. Kjo e vërtetë e madhë, autoevidente, nuk e teproj me thanë aksiomatike, bash në vitet e hapjes demokratike, të inaugurueme në menyrë profetike me Meshën e Shejtë të Lirisë të meshtarit martir e trim dom Simon Jubani në kryeqendren e katolicizmit shqiptar mbas vitesh të gjata mohimit të lirisë fetare, rrezikon të sfumohet e mohohet prej shfaqjes e ripërtrimjes në mënyrë tinzare e prepotente të disa prioriteteve të tjera, në dukje profane e kontingjente por në thelb antikatolike, sistemike e rrjedhimisht otomane-komuniste.

 

Në pjesën e dytë e konkluzive të trajtimit të argumentit në fjalë, fill i kuq i të cilit mbetet kalvari i metamorfizuem i vuejtjeve të Kishës Katolike e komunitetit të saj, do të zbrez në terrenin lokal të Kishës Katolike shqiptare, tue ripërsërit disa konstante të mendimit personal në këtë fushë. Tradita e hershme e shkrimeve të mia mbi këto tema, përvoja e dendun e njohjes personale të realitetit kishtar, sensibiliteti i besimtarit e parrezia karakteriale dhe invokimi i hirit ndrucues të Hyjit, shpresoj të jenë ingrediantat e mjaftueshëm me analizue me vërtetësi situatën e Kishës Katolike shqiptare dhe komunitetit katolik shqiptar në këto gati 30 vitet e fundit të tranzicionit sistemik shqiptar, tue ofrue kështu edhe pista rrugëdalje në tërma vetëdijisimi e veprimi për t’i korrespondue misionit tonë fetar e kombtar. Përtej fryteve të prekshme të lirisë fetare dhe ringritjes institucionale e baritore të Kishës Katolike shqipare, me kontributin e të mbijetuemve të kalvarit komunist dhe ndihmën e jashtëzakonshëm të shumë misionarëve të Kishës Universale, mendoj se asht e domosdoshme me reflektue mbi “kalvarin e butë” që po kalon grigja jonë katolike në kohën aktuale të evidentimit, gati të harlisun, të binomit famëkeq mes tiranisë relativiste e mendësisë otomano-komuniste, kjo e fundit emergjencë gjeopolitike e gjeokulturore për vendin tonë.

 

Togëfjalëshi otomano-komunist, intuitë e kahershme personale, që fatmirësisht me kohën ka dëshmue se ka aftësi rezistuese, tue u “akreditue” në rrethet e pak mendimtarëve të arsyeshëm shqiptar, si paradigma e duhun konceptuale për me lexue krejt realitetin sui generis shqiptar në rrafshin historik diakronik e sinkronik, do të jetë kriteri metodologjik për me pa rreziqet që i kanosen Kishës Katolike shqiptar të post-martirizimit. Thelbi i kritikës teme konstruktive, të cilën do ta zhvilloj ma poshtë simbas rendit që po lajmëroj, konsiston në evidentimin e disa tundimeve të barijvve e klerikëve të Kishës katolike shqiptare të post-monizmit me u raportue në mënyrë naïve apo “sens mëshire opurtuniste” apo me modelin e “Kinës Patriotike” me “shqiptarizëm” e tjetërsueme në kripto-islamizëm apo kripto-otomanizëm në arenën e përplasjeve inerciale historike të shprehive të ndryeshme plurale të realitetit faktik shqiptar. Ky kuadër kaotik që asht përftue, reflekton jo vetëm kontekstin e vecantë shqiptar por edhe influencën e ambientit global të ramjes të cdo sigurie, e sintetizueme mirë nga sociologu Bauman si afirmimi i shoqnisë së langshme apo prej Kardinalit Ratzinger që flet për diktaturën e relativizmit si sfidë për shoqninë e sotme dhe Kishën Katolike.

 

Në fakt, sfondi apo vaji ku asht “fërgue” zhvlersimi i vlerave të zakonshme njerëzore e rraja e shumë skandaleve në Shoqninë e sotme në përgjtihsi dhe në Kishën Katolike në vecanti, të cilat media i ka amplifikue në doza hiperbolike, lidhet pazgjidhmërisht me modelin e shoqnisë të langshme dhe pranimit të relativizmit në formë totalitare si modalitet raportimit me njani tjetrin. Ideologjia relativiste nuk beson te e vërteta dhe as te kërkimi i saj; e mira dhe e keqja nuk janë realitete objektive por “varen” prej kandvështrimit personal subjektiv e arbitrar, pra, dominon etika situacionale e leverdisë kontingjente. Kjo “filozofi” e re ekzaltohet në premisat e saj si fitore lirie edhe pse nga ana tjetër prodhon varësi nga ankthi, rebelimi e prodhon konfliktualitet në zhvillimin e pasojave të veta. Në këto kushte, mendësia skizofrenike e përftueme prej këtij konfuzioni metodologjik e praktik nuk dallon shkakun prej pasojës dhe vazhdon avazin e projektimit të konfuzionit të vet në akuza ndaj medemek dogmatizmit të vjetër imagjinar të Kishës Katolike.

 

 

 

 

 

  1. Sfidat e Papa Franceskut përballë skandaleve, krizës në fe e konfuzionit në rangjet e nalta të hierarkisë katolike

 

 

 

Pjesën e parë të këtij shkrimi do ta filloj me letrën eksplozive të nji prelati të naltë të Kishës Katolike, ish Nuncin apostolik në Usa Monsinjor Carlo Maria Viganò. Rrallë herë në historinë e Selisë së Shejtë ka ndodhë që nji prelaqt i naltë i saj, për ma shumë diplomat i vjetër karriere, i lidhun ndër të tjera prej segretit Papnor, ta shpërfillë këtë të fundit e të publikojë në vapën e gushtit nji letër më 11 faqe, kulmi i të cilës arrin deri aty sa me kërkue dorëheqjen e Atit të Shejtë për mungesë vigjilencë e tolerim të Arqipeshkëvit në pension të Ëashington-it, i inkriminuem zyrtarisht kohët e fundit prej Magjistraturës civile në Shtetet e Bashkueme të Amerikës për shkak të disa akuzave me sfond seksual për fakte të ndodhuna para 40 vitesh e kusur.

 

Në 11 faqet e memorialit të shkrueme prej Monsinjor Viganò, ndoshta i shtyemë nga shpërthimi i akuzave të fundit ndaj ish Arqipeshkëvit të kryeqytetit amerikan, rastin e të cilit ai e njihte mirë, mundohet me shpjegue lindjen e zhvillimin e disa mekanizmave depistues mbrenda Kishës në Usa e ma gjanë, tue vu gishtin mbi personat me rëndësi në Kurien Romake që kanë kontribue në mbulimin e promovimin e njerëzve të klerit me probleme personalitetit e tendenca perverse në sferën seksuale.

 

Në rrëfimin e Nuncit Viganò përmendet udienca që ai kishte pasë me Papa Franceskun, pak muej mbas zgjedhjes së tij në krye të Kishës. Në atë takim e kishte informue për situatën e viteve të fundit në Usa ku ai ka ushtrue detyrën e përfaqësuesit të Papës, tue vu theksin mbi hetimet, provat e shumta e mbi të gjitha dosjen e pregatitun në ngarkim të prelatit të naltë të Kishës Katolike amerikane. Simbas Nuncit, arsyeja e informimit të Papës erdhi si rezultat i kërkeës të shprehun prej tij mbi personin e Arqipeshkëvit amerikan në pension dhe jo për nismë personale dhe ky detaj përdoret si konfirmim i njohjes së dosjes nga ana e Papës.

 

Nunci Viganò në disa rreshta të letrës nanvizon se ka vendosë me e publikue përmbajtjen eksplozive të saj, mbas nji shoshitje të gjatë në lutje e vuejtje të madhe shpirtnore e sidomos i shtyem për të mirën e Kishës mbasi në moshën 77 vjecare asht edhe i lirë prej detyrave të rolit institucional apo edhe të tundimeve eventuale “karrieriste”.

 

Sikur e përmenda ma sipër, pika problematike e letrës të Monsinjor Viganò asht kërkesa e tij për dorëheqje të vetë Papës Francesku, mbasi simbas Nuncit ai ishte informue prej tij dhe plotësisht në dijeni me detajet e situatës në lidhje me prelatin e naltë amerikan. Gjithashtu, nuk i kishte marrë parasysh deponimet e rezervueme dhe dosjen e kopsitun me kohë prej Nuncave paraardhës në Usa mbi prelatin e naltë të Kishës amerikane që kishin prodhue mandej sanksionet insinueme kanonike me “natyrë private” të Papës Ratzinger, për faktin se ishte në moshë e jo ma në detyra baritore. Përkundrazi, shton Nunci Viganò, Papa Francesku e ka “promovue” atë tue ndigjue rekomandimet e tij për emnimin e prelatëve të tjerë amerikan, në sintoni kulturore e ideore me Kardinalin e inkriminuem.

 

Sigurisht Papa për ne besimtarët katolikë asht vikari i Krishtit në tokë dhe ne besojmë se ai ka nji hirë special për drejtimin e Kishës, edhe pse nuk vlen dogma e pagabueshmënisë në fushën e evokueme prej Nuncit Viganò. Fakti që historia ka tregue se Papët jo gjithmonë janë këshillue mirë, kanë disa preference njerëzore apo nuk e kanë pasë “pulsin” e situatës mbrenda Kishës, nuk asht motiv i mjaftueshëm për nji Ipeshkëv të Kishës Katolike me sulmue në atë mënyrë Papën, tue damtue randë lidhjen e domosdoshme me ta e shut konfuzion në Kishën Katolike.  Mjafton të përmendet rasti i fundit në Kili në lidhje me emnimit e nji Ipeshkëvi të kontestuem, ku Papa Francesku vendosi të tërhiqet prej vendimit të parë e madje të kërkojë falje që nuk mori parasysh qëndrimet e kundërshtarëve të atij emnimi.

 

Prandaj, ngutja me shkue deri aty sa me kërkue dorëheqjen e Papës, pavarsisht randimit psikologjik e motivacioneve të Nuncit, përban burim të thellë keqardhjet për besimtarët e thjeshtë, mbasi ai asht garanti i te gjithëve dhe ka nevojë për kohën e mjaftueshme me vendosë, aq ma tepër kur bahet fjalë për situata kaq delikate që përfshijnë nji hierark të naltë Kishës. Gjithsesi, Papa në fund vendosi me i hekë titullin e Kardinalit ish Arqipeshkëvit Theodor McCarrick.

 

Megjithatë, në kohën aktuale të predikimit të mëshirës gati në nivele ideologjike, sulmet ndaj Monsinjor Viganò me karakter thelbësisht personal, medemek me mbrojtë Papën, prej qarqeve klerikale, mediatike, laiciste, pra të gjithë atij rreshtimi granitik që historikisht ka kenë gjithmonë indiferent për mos me thanë armiqsor në raport me të mirën e Kishën e madje në luftë të paepun e të pandërpreme ndaj saj, tregojnë se në tanësi ajo letër duhet lexue përtej kërkesës të ngutun për dorëheqje të Papës Francesku, dhe ka shumë të vërteta të idhta që meritojnë të meditohen thellë, pa ra natyrisht pre e llogoreve partizane fanatike të instrumentalizimeve me leverdi të njanës apo tjetrës palë.

 

Tendenca me projektue komplote apo inade personale, konstante e nji mendësie aktuale të ligshtueme prej kompleksit të rrethimit, mund t’i aplikohet edhe reagimeve ndaj letrës problematike të Nuncit Viganò. Letra e Nuncit të moshuem mund të jetë thjesht rezultat i nji koleksionimi zhgënjimesh për shumë situata të randa me të cilat asht përballë mbrenda Kishës dhe nuk asht ndigjue në ushtrimin e detyrave të tij prej zyrave të Kuries Romake apo edhe i pamundësisë me “deshifrue” stilin atipik të Papa Franceskut. Gjithsesi, edhe në këtë rast të randë keqëkuptimi, njerëzit e Kishës duhet gjejnë unitetin, vllazninë në Krishtin e faljen reciproke tue pasë parasysh fjalët e tij angazhuese që u thotë dipeshujve të vet: “ndër ju nuk asht kështu”. Pra, falje e mirënjohje duhet të jetë deviza me të cilën jetojnë të kshtenët e me hirin e Zotit asht e mundun cdo gja.

 

U ndala gjatë më citimin e rastit të letrës së Nuncit Viganò, i nisun jo nga ideja e nji gjyqi virtual apo me gjetë se ku asht e vërteta “gjyqsore”, por me shtrue nevojën që në kushtet e konflikteve pak të shpeshta mes barijve të Kishës universale e lokale e të skandaleve që ofendojnë fenë e Krishtit, besimtari i përshpirtë i Kishës duhet të rranjoset edhe ma tëpër në fe e lutje, tue pasë parasysh fjalët inkurajuese të Unjillit në letrën e Palit drejtue Romakëve: “aty ku mëkati asht me bollek, hiri asht me tepri”.

 

Për nji besimtar katolikë e cdo njiri vullnetmirë mbi tokë asht e zorshme me e kuptue se si nji person me tendenca të rranjosuna “varësie sensualiteti pervers”, ta mshehë nji vesë që ka fuqi gati vetëdenuncuese e madje të arrijë me u ba edhe Kardinal i Kishës Katolike. Letra e Nuncit Viganò duhet pa ma tepër në aspektin e denuncimit të ashpër të nji “merimangë” bashkëpunuese me vesin bash në zemër të qendrës institucionale të Kishës Universale, fuqia e të cilët ia del në shumë raste me pilotue në mënyrë okulte disa askepteve delikate të Kishës, tue anashkalue edhe vetë Papën. Askush nuk pretendon ta eleminojë eventualitetin fiziologjik të penetrimit edhe në Kishë të personave të tillë, por nan dritën e fakteve aktuale jena përballë nji problem jo të izoluem por vërtët endemik, ku shumë prelatë të saj në vend që me konvertue botën i janë konvertuë veseve të saj.

 

Për hirë të vërtetës duhet thanë se Skandalet në KIshë nuk kanë fillue me Papën aktual e as me Papën pararendës, përkundrazi Papa Francesku po ecë në rrugën e nisun me kurajo e vendosmëni prej Papa Ratzinger-it në betejën kundër skandaleve me sfond seksual në Kishë. Modeli i nji Pape të pazakonshëm për temperament, stil thjeshtësie, komunikimi penetrues, kulture praktike, formimi solid shpirtnor por edhe vetëdije të mprehtë e ndonjiherë kurajo “borderline”për me gjetë nji kod deshifrues të realitetit të botës e të kishës katolike në kohët postmoderne, e kanë ekspozue vetë Papa Franceskun ndaj rrezikut të nji intrumentalizimi me natyrë diversioni prej shumë qarqeve të antikrishtit ndaj traditës dymijëvjecare të Kishës Katolike.

 

Pikërisht këtë eventualitet instrumentalizimit të Papa Franceskut prej sistemit mediatik e kam kuptue qartë qysh në mbramjen e zgjedhjes së tij, pikërisht kur ai në daljen e parë publike përshëndeti popullin e derdhun në shëshin Shën Pjetër me nji “Mirëmrama” të thjeshtë në vend të debutimit tipikë “Kjoftë Lëvdue Jezu Krishti”. Taktika instrumentalizuese asht e thjeshtë dhe konsiston në dekontestualizimin e fjalëve të Papës, radikalizimin e temperamentit të tij dialogues, heshtjen mbi fjalët e forta, tue vu në evidencë disa fraza me efekt të tij dhe në linjë me atë që bota don me ndigjue. Tri ditë mbas zgjedhjes të Papës në nji postim në fb të datës 16 mars 1013 me titull “mos ta kapim për “xhaketet” Papa Franceskun” shprehesha integralisht në këto terma:

 

“Zgjedhja në fronin e Shën Pjetrit e Papa Franceskut i ka gezue të gjithe e kjo shihet qartë nëpër rrethet mediatike e biseda te lira që bahen mes njerzëve në realitete virtuale apo afersi fizike. Të gjithë mundohen me e fut në kategorite e dëshirave të veta tue u dhane nanvizim disa aspekteve periferike te thjeshtësisë natyrore të Papes latino-amerikan me rrezikun e madh te harresës të aspekteve thelbsore që misheron Papa e figuara e tij.

 

Sigurisht, na pëlqen fort thjeshtësia e Papës, gjestet e tija të paformalizueme, afërsia baritore e njerëzore. Megjithatë asht mirë të mos ndalemi vetëm në këtë “kundrim” selektiv e ta reduktojmë eskluzivisht hirin e potencialitetet që Papa do të shprehë te këto aspekte të temperamentit te tij natyror, tue harruë perspektiven autentike të misionit papnor. Me duket e padrejtë dhe jo katolike me hesht apo sfumue fjalet e forta qe ai ka shqiptue ne kto pak dite qe asht ne krye te Kishes Katolike, deshmi e gjalle e nji besnikërie doktrinale e baritore të jashtzakonshme me paraardhësit e vet. Të gjithë por rendin me e fut Papën e ri, si parashtrova ma sipër, në “kallepat” kategorial personal, tue projektue pritëshmeritë individualiste “mesianike” mbi Papën, në vend që ta lexojne stilin e tij brilant si dicka shume e randësishme qe i flet eksperiencës tonë personale të përditshme në funksion të “performimit” të jetës tone simbas stilit të thjeshtesise, afërsisë empatike me nevojat e tjetrit pranë nesh, kërkimit të së vërtetës liruese e mbi të gjitha të lutjes konstante e sistematike ndaj Krishtit Zot e njeri. Kur nuk lutet Krishti, fjalë tekstuale te Papës Francesku, lutet kjoftlargu, kur cedohet ndaj pesimizmit i dorzohena djallit, kur i bajme gjanat tue shmang kryqin nuk jena te Krishtit.

 

Mendoj se asht i nevojshëm nji shestim i përforcuem ne kuptimin integral te mesazhit te Papës e jo simbas kategorive fakire e mjerane personale. Kisha nëse nuk i ofron Krishtin e njallun botës, por reduktohet vetëm në “psikologe” ngushëlluese të melankonisë tonë kronike apo në filantrope për me dhanë disa “dramca” (thërmija) materiale mbijetojse, asht simbas Papës thjesht nji Organizate bamirëse në rastin ma të mirë. Këtij aspekti rëndom po i mëshohet në këto dite dhe rendet me ba paralelizma me paraardhësit e tij qe absolutisht ishin te jashtzakonshem, për me i “fry” epërsisë të Papës të sapozgjedhun. Paradoksi tjetër që vërejme asht tendenca patetike e media-s me i ba “agjenden” Papës, tue ba insinuate e folë gjatë për ndryshimet hipotetike që duhen realizue në kohë të shpejtë mbrenda KIshës Katolike; ne fakt, vetë Papa Francesku e ka thanë se besnikeria asht nji ndryshim, nji lulzim, nji rritje që shpirti i Zotit realizon në cdo njeri që beson. Para disa ditësh u perziva me njitin e mirë në disa forume këtu ne fb mbi heshtjen e medias shqiptare ndaj zgjedhjes së Papës e në të vërtet duhet shtue se edhe mediat ma professionale botnore jane demostrue me dashakeqsi te cekta në dhanien e mesazhit të Papës në sensin e vertet e autentik te tij.

 

Prandaj, nan dritën e ktyne rreshtave qe po shtrij, na del detyrë ne si besimtarë katolik me rrokë mesazhin e Papës në esencën e vet shpirtnore e pedagogjike për me deshmue Krishtin pa kompromis, sepse jo rrallë herë ndodh qe kur jena të prekun prej tundimit me kenë të mirë simbas stilit të botës me të gjithë apo si thuhet tash politcally correct, realisht bajmë punën e antikrishtit, tue thye aleancen e besnikerisë ndaj Zotit. Gjithashtu, duhet ta duem Kishën tonë Katolike Universale e Shqiptare, me prijesit sajë (Ipeshkevijë) e klerin mbarë, përtej limiteve të tyne njerzore, tue e mbrojtë prej thashethemit të antikrishtit që kërkon skandale, por pa sakrifikue kurrë në altarin e leverdisë apo logjikës thjesht intitucionale, të vërtetën e madhe, Krishtin Zot, të cilit duhet t’i shërbejmë me besnikëri.

 

Sic e ka thane Papa Benedikti, duhet te ngushellohena se Zoti punon me instrumenta te pamjaftueshëm; pikerisht në favor te ktyne instrumentave te pamjaftueshem duhet me u vu ne dispozicion si besimatar katolik për me i pelqye Zotit e ba të mirën e Kishës tue shmang tundimin e tmerrshem të “mondanitetit” shpirtnor”, intuitë perfekte e Papa Franceskut në diagnostikimin e tundimit ma të madh që gëlon mbrenda klerit e besimtarëve katolike. Pra, bashkë me Papën tonë Francesku, jena të thirrun me kenë të vetëdijshëm se rruga e besimit e shpallja e lajmit të mirë sot na ekspozon dhe vendos edhe ma shumë përballë gjyqit të botës kapricoze që ka rranjosë parametrat e saj despotik e kulturën e dominimit në cdo aspekt, të shfrytzimit të njeriut me mizori te pamëshirshme, te afirmimit të dogmës të rrejshme të lirisë si licencë në shërbim të egoizmit personal dhe anestizimit të instancave ma të thella të solidaritetit e empatisë njerëzore”.

 

Motivi i riprodhimit integral të nji postimi të hershëm në fb, lidhet jo vetëm me faktin se përputhet me zhvillimin e arsyetimit në këtë shkrim, persa i përket raportit të drejtë të nji besimtari katolik me Kishën e vet, pavarsisht skandaleve të njerëzve të saj, por mbi të gjitha sepse jep edhe kriteret e duhuna hermeneutike të raportimit të besimtarit katolik me Vikarin e Krishtit, pra, Papës, përtej temperamentit personal apo gjykimit kontingjent të botës mbi personin e tij.

 

Fjalët e Papës duhet lexue integralisht, në kontekstin e duhun dhe gjithmonë në raport me shkimin e Shejtë dhe traditën Shejte të Magjisterit të Kishës Katolike. Nji besimtar katolik, tue perifrazue Shën Agostinin “nëse beson atë që i pëlqen në Unjill dhe refuzon atë që nuk i pëlqen, nuk asht se i beson Unjillit, por vetëvedit”. Në të vërtet, refuzimi i rregullave doktrinore me pretekstin e “butësisë” baritore të cilat Kisha i ka trashëgue prej themeluesi të saj, në funksion të promovimit të vlerave për të mirën e njeriut, tregon se kriza e madhe që ka mbërthye segmente të gjana të klerit problematik asht në planin e njohjes se cka asht e mirë dhe e keqe për njeriun. Kaosi nuk prodhon besim por radikalizon frikën e mosbesimin, të cilat mandej “ezkorcozohen” tue futë dikotomine mes doktrinës e aplikimit të saj baritor.

 

Gjithsesi, pavarsisht klisheve të shumta që qarkullojnë ndaj Kishës, në nji farë mënyrë të forcueme prej këtyne skandaleve, mendoj se ajo asht i vetmi institucion në botë që ka mbrenda vedit hirin e vetëpastrimit e të dëshmisë profetike edhe në kohë krize, mbasi njerzit e klerit përfshi edhe vikarin e Krishtit, Papën, janë thjesht administrator të përkohshëm në vneshtën e Zotit. Kisha nuk reduktohet vetëm te kleri por asht edhe edhe grigja e ndjeksëve të Krishtit në rrugëtimin e shpresës mbi tokë drejt Atit qiellor dhe përgjegjsia i takon të gjithëve simbas propocioneve të angazhimit të secilit prej nesh.

 

Në këtë kontekst, pa ra në logjika komplotiste, mendoj se ky sulm i orkestruem kohët e fundit ndaj shejtnisë të Kishës Katolike prej lobeve perverse të botës së mëkatit në mbarë rruzullin tokësor nuk i komplekson aspak besimtarët katolik, të cilët e dijnë mirë se Kisha e tyne Katolike nuk asht thjesht nji organizatë njerzore apo aq ma keq kriminale sikur duen me e paraqitë, por tempulli i Shpirtit të Shejtë dhe plotësia e pranisë së Zotit që shëlbon prej cdo mëkati e dobësie njerzore.

 

Madje, me indinjatën e ligjshme të besimtarit ndaj këtyne fenomeneve të tupshme që kanë njullosë bukurinë e fëtyrës së Kishës, po e radikalizoj arsyetimin e shpresës, tue shtue se skandalet janë Shejë e orgjinës mbinatyrore të vetë Kishës Katolike e ftesë me njoftë brishtësinë tonë e me kenë gjithmonë të përvujtë e vigjilentë. Jam i vetëdijshëm se tashma lufta ndaj Kishës katolike asht sofistikue aq shumë sa edhe goditja e përqëndrueme ndaj saj, ka marrë trajtat e nji penetrimi gati kapilar, tue i shtri tentakulat e së keqës, madje mbrenda vetë tempullit të Zotit, nëpërmjet injektimit e manipulimit bash të disa njerëz të shuguruem të vetë Kishës. Për këtë arsye, vigjilenca bashkë me lutjen e pandërpreme dhe sensi i trasparencës dhe parrezisë, janë ingredientat e pazëvendëshuem që cdo besimtar katolikë duhet të kultivojë për me u raportue horizontalisht dhe vertikalisht brenda Kishës Katolike. Pranimi akritik e pa shoshitje i mendësisë së botës, fatkeqësisht ka penetru thellë edhe në indin e Kishës;  në kuadrin e këtij arsyetimi më duken aktuale fjalët dramatike e plot ankth të Papës Pali VI në festën e apostujve Pjetër e Palë të 29 qershorit të vitit 1972 në sheshin Shën Pjetri. Papa, përballë zhgënjimit personal me situatën e Kishës Katolike shprehej gjatë nji fjalimi se: “nëpërmjet ndonji plasaritje ka hy tymi i djallit në tempullin e Zotit”. Në atë kohë, mbas përfundimit të Koncilit të dytë të Vatikanit, disa rryma minoritare e agresive teologjike të molpsuna me instancat problematike të lëvizjes medekem emancipuese të viteve 68’, si dhe “martesa perverse” me idetë revolucionare marksiste të amerikës latine, krijuen terrenin e volitshëm që të instalohej mbrenda Kishës nji “personel” i voglë revolucionar e agresiv në tana aspektet. Pikërisht ky model njerëzisht të kishës, i cili fatkeqësisht ia doli me manovra makiavelike të këtë nji farë mase kritike sa me lecitë i patrazuem parullat e veta revolucionare të degjenerimit mbrenda saj, me pretekstin e reformimit radikal të Kishës Katolike, në pëputhje medemek me kohën, pra, në sensin nihilist, mund të jetë kënë arsyeja e atij fjalimi të pazakonshëm të Papës.

 

Aludimi i Papa Monti-t, sikur na e ka konfirmue bollshëm historia e mavonshme lidhet bash me trathtinë e rebelimin e nji pjese të klerit në rrafshin doktrinor e mandej të shkrehjes epshore praktike, me pasojë katastrofën e kobshme morale, humbjen e kredibilitetit dhe përqafimin akritik të shpirtit edonist të botës. Në këto premisa të shthuruna, të sherbetisuna si instance lirie e ka rrajën procesi i degradimit në afera të turpshme seksuale me natyrë masivisht homoskesuale dhe në disa raste të vogla edhe në krimin monstruoz të pedofilisë të klerit. Nji fragment i Unjillit të Mateut asht kategorik në lidhje me ata që abuzojnë me fminë: “Por ai që do të skandalizojë nji prej këtyne të vegjëlve që besojnë te unë, do të jetë ma mirë për ta t`i varet në qafë nji gur mullini (që e sjell rrotull gomari) dhe të zhytet në thellësi të detit”. (Mt,18:6).

 

Nji Papë tjetër profetik, Benedikti XVI, në gjurmët e paraardhësi Papa Pali VI, i ka mshue me forcë faktit se persekutimi ma i madh i Kishës nuk ka ardhë nga jashtë por prej mbrenda saj e sidomos prej mëkatit të bijve të vetë të shuguruem, të cilët kanë shpërfyturue dinjitetin e misionit të tyne të shejtë dhe damtue randë personat që u ishin besue e vetë kredibiliten e Kishës. Papa Ratzinger, do të kujtohet per standartin e rreptë të vendosun në betejën e zorshme të crranjosjes të krimeve me sfond seksual mbrenda klerit, tue e denuncue atë haptazi e publikisht qysh pak ditë para se me u ba Papë në meditimet e Udhës së Kryqit të vitit 2005. Sapo u zgjodh në fronin e Shën Pjetrit, filloi me ba trasparencën e plotë të kompromentimeve me pedofilinë nga ana e klerit, tue thy kodet e heshtjes apo të mendësisë të lamjes të “petkave të pista” mbrenda shpisë, mbasi e kuptoi mirë se “era e keqe” kishte marrë dhënë e dalë për hatllash. Zgjidhja mbrenda perimetrit të shpisë ka sens kur bahet fjalë për dicka të vogël në peshë specifike e proporcione por jo kur bahet virale. Me këtë veprim kundër nji qasje keqëkuptuese në kuadrin e garantimit të privatësisë së personit apo institucionit, Papa Benedikti XVI i dha nji leksion botës e cdo njeriu të arsyeshëm për mos me u ba palë më kodet mafioze, omertoze, të heshtjes apo indiferencës, tue na ftue me përqafue të vërtetën në krejt dramën apo madhështinë e saj, mbasi vetëm ajo të ban të lirë. Kërkimi i të vërtetës, i dinjitetit të Zotit në hapsinën publike, në të cilin e kanë burimin virtytet e njeriut dhe të paqes sociale, i kushtuen Papës Benedikti kalvarin e martirizimit prej Botës.

 

Sikur e përmenda ma sipër, Kisha Katolike në historinë e saj dymijë vjecare, si institucion sa hyjnor (në të cilën asht plotësia e hirit të Zotit) e njerëzor, tue mos i msheh limitet e dukshme të permasës njerëzore, ka përjetue në mënyrë ciklike sulme prej jashtë e skandale në mbrendësi prej brishtësisve fiziologjike e patologjike. Megjithatë, asht mirë të pranojmë se sot shkalla e perversitetit, mënyra e përcaktimit të shkaqeve të kësaj pabesie e abuzim kolosal të disa njerëzve të Kishës apo edhe rrugëzgjidhjet e dhana, të japin përshtypjen se janë edhe ma keq se vetë situata e degradueme mbrenda disa hapsinave ku ka hy djalli. Kjo ndodhë sepse nuk u jepet emni taman gjanave që kanë ndodhë e po ndodhin në tempullin e Zotit, pra, mungon nji “diagnostikim” me kriteret e doktrinës të Shejtë të Kishës paradoksalisht prej vetë njerëzve të kishës, të cilët mjaftohen me vrapue mbas parametrave të diskutueshëm profane të botës. Kjo metodë raportimi me nji emergjencë akutë që kërkon përgjigjë në rrajë të problemit, mendoj se asht dami ma i madh për Kishën e misionin e saj shelbues për me komunikue Lajmin e Mirë të Unjillit të Shëjtë.

 

Parametrat e “shkencës të Botës” janë të gabuem sepse ajo po i zhdoganon përditë perversitetet e natyrës njerëzore; krimi i abortit asht ba e drejte absolute e njirit, devianca patologjike homoseksuale asht jo vetëm konsiderue nji “variant” normal i ushtrimit të seksualitetit por duket se ka marrë edhe nji farë promovimi “fisnikërsues”, pranimi i të cilit asht shndrrue në etalon të epërm me përcaktue shkallën e qytetnimit të personit dhe komunitetit. Tolerimi i të keqës dhe donkishotizmi diabolik i refuzimi të planit natyror të Zoti me delirin e luciferrit të antikrijimit, prodhon situata absurditeti qesharak, i cili fatkeqësisht po pranohet pasivisht në ambientet tona. Numri i personave që rezistojnë e demonstrojnë kurajon e shejte të arsyes se e keqja nuk ndalet vedit po reduktohet përditë e ma shumë. “Arteleria mediatike” vazhdon të na “shesë” si të drejta njerzore tentativat mjerane, patetike e perverse të burrit që don medemek me u martue me burra e të grave me gra. Madje, disa personave refuzojnë gjininë biologjike që natyra u ka dhanë në “pajë”, tue e përjetue si përsekutim. Prandaj pretendojnë të drejtën me ndrrue “hallatet” simbas ndjesive të momentit. Implikacionet bioetike të fëmive të “fabrikuem” si vicat me gjilpanën e veterinarit, për shkak të kapricove të kulturës perverse po gjejnë terrenë “mirëkuptimit” edhe në Kishë me pretekset ma të larmishme të mundshme në nji kohë që spitali i “fushë-betejes” i invokuem prej Papa Franceskut, duhet t’i kurojë në formë drastike e kirurgjike këto patologji degraduese të natyrës njerëzore.

 

Ky skenar diabolik vetëvrasje i racës njerëzore, nuk ka nevojë më u kuptue apo me dialogue me ta, sic predikojnë masa e personave, viktimë e shpërlamjes së trunit. Në disa vende të Europës e Usa, vërehet nji aktivizëm i hapun i shumë prelatëve të Kishësh, në kundërshtim me magjisterin e përhershëm të saj, tue ndjek kështu rrugën e sekteve protestante, në favor të grupeve me akronim LGBT, tue u sintonizue me këto instanca perverse, gjithmonë më pretekstin e mëshirës retorike. Këtij kulti shtjepësie, fryt i filozofive destrukturuese të konceptit të personit dhe dinjitetit të tij, besimtarët katolikë e cdo njiri vullnetmirë, duhet t’i kundërvihen me forcën e arsyes se shëndoshë dhe të dashnisë natyrore të njirit e cila asht gjithmonë pjellore dhe mbi të gjitha i pëlqen Zotit. Tashma luftën e trëtë botnore nuk e kena as me ushtri apo milici luftarake, as para e as anash por pabesisht “nga pas” e me përcmim e persekutim të atyne pak përsonave që akoma rivendikojnë logjikën racionale e natyrore të gjanve. Kur e keqja e kundërnatyrshme bahet “burim” të drejtash, e mira e natyrshme shndrrohet rrjedhimisht gati në vepër penale. Shtegu që do të rrahet ma shumë prej këtyne ideologjive antinjeri do të jetë zëvendësimi i normales me anormalen.

 

Zbritja sfiduese e djallit në terrenin e deformimit “antropologjik” dhe diagnostikimi i gabuem i të keqës së saj prej disa barijve pasivë e të vakët të Kishës Katolike asht emergjenca e vërtetë e klerit dhe shkak e efekt i shumë abuzimeve në rrallët e tij. E kam ndjekë me dhimbje faktin se jo pak hierakë të Kishës Katolike në Europë, po i mëshojnë tezës të pranimit të butë të homoseksualitetit si normalitet, tue u kacavjerrë madje te protokollet ideologjike të shkencës mjeksore, e cila me shumicë votash të manipolueme, e hoqi homoseksualitetin prej listës së patologjive psikiatrike. Nëse pranohet kjo hipotezë diabolike se homoseksualiteti asht normalitet, atëherë asht e kotë me u habitë për shkandullin që prodhon ai brenda radhëve të Kishës. Në këte kontekst, mendoj se nuk asht korrekte me folë për pedofili të klerit, kur dihet shkencërisht se bahet fjale në 90% të rasteve të skandaleve seksuale, thjesht për efebofilia e pederasti. Kostoja që i kanë pague Kisha dhe besimtarët e saj pederastisë masive të klerit, të cilët strehën ma “ të ngrohtë” për perversitëtet e tyne e kanë gjetë tuë marrë me mashtrim sakramentet e shejta të saj, asht vërtet e papërshkrueshme për shokun emotiv e shpirtnor që ata kanë psue.

 

Personalisht, jam shpreh me shkrime të shpeshta gjithmonë kundër klerikalizmit mbrenda Kishës, tue e konsiderue  nji sëmundje të randë, kjoftë në rastin e pëfshimjes të barijve të saj apo edhe të laikëve që orbitojnë afër tyne, mbasi prodhohet nji humus i volitshëm për penetrimin e lulëzimin e vesit, të kulturës të abuzimit dhe autoperceptimit me kenë i pandëshkueshëm, me dam të jashtëzakonshëm për kohezionin e grigjës të besimtarëve. Krishti në Unjill na paralajmon se “mjerë ata që skandalizojnë të vegjlit”, pra besimtarët e thjeshtë.  Megjithatë, shtoj se nuk jam kurrsesi dakort me disa teza që qarkullojnë në shumë hierarkë të naltë të Kishës se shkaku i skandaleve seksuale duhet gjetë vetëm në planin e thjeshtë të qëndrimeve klerikaliste apo mungesës të nji baritore me qasje mëshire të kshtenë. Në fakt e vërteta e pakundërshtueshme dhe para syve të gjithë njerzëve me arsye asht se ka mungue e calue randë formimi me kulturën e ligjit të Zotit, vigjilenca, kontrolli dhe për ma keq asht tolerue e zhdoganue modeli i pederastisë jo vetëm në rrafshin social por edhe mbrenda vetë ambienteve të Kishës. Tashma nuk ka ma dyshime se janë tolerue  e mbulue në kundërshtim me rregullat e Kishës nëpër siminare kandidat për meshtar me primje homoseksuale në përputhje me parametrat e deformuem mondan të mosdiskriminimit apo të qasjes së mëshirshme, tue harrue se mëshira kristiane asht për personin dhe jo për aktet imorale. Mbi të gjitha mëshira kristiane konsiston me i thanë të vërtetën përsonit e jo me e inkurajue në mëkat e crregullim epshor.

 

Fakti që katekizmi i Kishës Katolike e konsideron pederastinë crregullim patologjik nuk do të thotë se ajo i ka skumunikue personat me këtë primje. Përkundrazi, në nji paragraf të tij, Katekizmi na fton me kenë delikat e plot respekt e afërsi vllaznore ndaj personave homseksual dhe ktu nuk ka vend për autoviktimizime ideologjike e patetike, që kjo kategori dëshmon shpesh në shoqatat e veta agresive.

 

Për me davarit mjegullën e ekuivokeve mbi faktin që ligji i Kishës nuk i lejon meshtarët katolikë latinë me u martue dhe këtu mund të hamendësohet nji lidhje shkaksore me devijimet në sferën afektive, duhet thanë pa ma të voglin dyshim se ky argument asht pretekst artificial me godit Kishën Katolike. Rastet e deviancës homoseksuale tregojnë se vesi ekzistonte ma përpara dhe Kisha ishte ba streha abuzive me e ushtrue atë, mbasi nga pikpamja sociale e kohës nuk ishte pranue plotësisht sikur po ndodh aktualisht.

 

Zgjedhja me u ba meshtar i Kishës Katolike asht e lirë edhe pse nuk ekziston asnji e drejtë subjektive me pretendue me u ba i tillë prej kandidatit në fjalë dhe asht Kisha vetë në sovranitetin e saj ajo që filtron, shoqnon, shoshitë e vërteton pjekurinë e vokacionit të kanditatëve për shugurim meshtarak gjatë rrugëtimit formativ në bazë të ligjeve të veta të mbrendshme, pjesë e të cilëve asht edhe përjashtimi i atyne që kanë primje homoseksuale. Pra, me kenë meshtar i Kishës Katolike asht vokacion e thirrje me kenë instrument i Zot e jo profesion hamshorit ambulant, sikur ka ndodhë në shumë realitete kishtare në botë, të amplifikueme në proporcione hiperbolike nga mediat antikatolike. Sot ka ardhë koha me kuptue dinamikat e sulmit të jashtëm e të mbrendshëm ndaj Kishës Shejte katolike dhe besimtarët e devotshëm janë të thirrun me iu kujtue edhe barijve të tyne ligjin e Kishës dhe të Zotit. Zhvlersimi i doktrinës se shejtë të prodhueme prej magjisterit të Kishës, kërkimi “burimor” i Unjillit me qasje interpretuese individualiste e autoreferenciale të modelit protestant, nji farë pastoralizmi dy lekësh që krijion nji dikotomi artificiale mes ligjit të Beslidhjes të vjetër dhe atij të Beslidhjes së re, pra, ligjit të dashnisë së Krishtit, katapultimi në hallkat e rëndësishme të Kishës të personave homoheretikë, të cilët kanë krijue nji rrjet mafioz me kode heshtjet e mbulimit reciprok të njani tjetrit, e ritheksoj me bindje se janë shkaktaret kryesor të shpërthimit të skandaleve në Kishën Katolike në vitet e fundit.

 

Në fakt, kalvari si modalitet shpagues i vetëpastrimit të mëkateve asht nji element i qenësishëm burimor i identitetit të Kishës, sikur ringjadhja e ngadhënjimi ndaj të keqës dhe fjalët e fundit profetike të Krishtit se dyert e ferrit nuk do ta mundin atë, janë garancia granitike për cdo besimtar të Kishës e bari të shëndetshëm të saj me fitue cdo moment shkurajimi të kuptueshëm njerzor ndaj kundëdëshmisë së disa barijve  të saj të padenjë.

 

Shtypi botnor e rrjetet sociale të induktueme në forma të ndryeshme e tinzare pikërisht prej lobeve pushteteve masonike, po përshkallzojnë luftën diskretituese ndaj Kishës Katolike, tue pëdorë e amplifikue disa abuzime morale të njerzëve të saj, të cilët janë ma shumë se idealisht të rekrutuem e zgjatim mbrenda Kishës i agjendës së tynë diabolike për me njullos me vulën e turpit misionin shëlbues të katolicizmit. Në vend të analizës objektive, të paanshme, profesionale dhe të kontekstualizueme me vrullin konfuz të shumë instancave problematike të shoqnisë aktuale,  mediat e pushtetet e botës medemek laike, me hovin e cakejve të pangopun, po i servirin opinionit publik nji koktej gjys të vërtetash të përzime me mashtrim të pastër në mënyrë aq kaotike sa mos me kuptue qartë gjenezën e ksaj katrahure kundër Kishës Katolike.

 

Gjithsesi, përtej brishtësisë njerzore, të cilin do ta përsërsim deri në mërzi jo për me gjetë justifikime komode por për hir të mëkatit të rrjedhshëm që ka vulos cdo njeri, duhet pranue se kriza e sotme e shoqnise ashtu sikur ajo e Kishës Katolike e barive të saj në vecanti, asht jo vetëm krizë besimi por edhe përqafim nan pretekste joshëse apo adaptimi me realitetin që ndërron, të filozofive e ideologjive nikiliste të botës, të cilat realisht shkojne krejt në kundërshti me fenë e Krishtit dhe filozofinë e saj natyrore e mandej mbinatyrore.

 

 

 

  1. Herezitë grryese e monstra e shtetit modern me surrogatët ideologjike antikatolikë

 

Qysh me skizmën deflagruese protestante të kryeapostatit Martin Luteri, prej të cilit e kanë zanafillën në shekujt në vazhdim të gjitha herezitë dhe ideologjitë moderne të antikrishtit materialist e nihilist si: pozitivizmi, shentizëmi, liberalizmi, komunizmi, fashizmi, nazizmi, edonizmi, homoseksualizmi, panseksualizmi etj, Kishës Katolike i asht dashtë me përballue kërcënimin e nji “hemorragjie” të mbrendshme permanente, tue u ba njikohësisht barriera e vetme fundore për me pengue degradimin e njirit në kanibalizëm total. Përtej rindërtimeve të buta të mavonshme “politike” apo “ekumenike”, revulucioni sakrileg e profanues i Martin Luterit dëboi arsyen prej zemrës e mendës të njirit, tue e konsiderue atë “prostituta” e djallit dhe natyrën e fesës e degradoi në fideizëm të rëndomtë. Leximi i biblës në mënyrë individuale simbas interpretimeve po individuale ka prodhue në histori me mijëra sekte protestante. Në fakt, dami ma i randë që bani revulucioni protestant ishte zhvlersimi i fesë dhe hapja e rrugës të ideologjisë së shekullarizimit radikal e atyne të antikrishtit. Kolapsi logjik i vlerave morale asht produkt i refuzimit të ligjit të Zotit dhe Kisha Katolike ka kenë garancia e ruejtjes të dimensionit gjenuin njerëzor.

 

Pikërisht këto ideologji të antikrishti, ndër të tjera, ia kanë dalë me ndërtue modelin monstruoz të shtetit modern në funksion antikatolik, i pasijun qysh në fillimet e veta me nji aparat të supercentralizuem e tashma i shpërqëndruem në dimnesione transnacionale. Formulat e tij joshëse e njikohësisht tymuese, me të cilat asht imponue dhe ka zhvillue fizionominë e vetë, tue përqëndrue e totalizue pushtetin në dorë të vetëm, ka përftue nji delir të gjithpushtetshëm dhe autoreferencial sa me i thanë vedit edhe tagrat e krijimit të vlerave “morale” simbas nevojave të tij kontingjente.

 

Shtetit modern, qysh në krye të herës shpalli si armikë të tij, institucionin dymijëvjecar të Kishës Katolike, e cila  për hirë të së vërtetës duhet thanë se me anë të intensifikimit të misionit të saj në kohët moderne, u përpjekë me kufizue këtë model shteti në projektin e vet diabolik të shndërrimit të njerzëve në vegla qorre të ingranazhit të tij përcudnues. Vendosmënia e Kishës Katolike në rrafshin shoqnor per me mbrojtë burimin trashendent e jo kontraktor të vlerave morale, lirisë përsonale e edukative, tue përcaktue qartë limitet e interferencës shtetnore apo cdo autoriteti tjetër, nëpërmjet parimeve të subsidaritetiit e proporcionalietit, asht kundërshtue me cdo mjet prej shtetit modern e vazhdon akoma sot prej surrogatëve globalist të tij, nji prej tyne fatkeqësisht modeli i Bashkimit Europian që nuk shërben Europën por shkatërrimin masonik të saj. Natyra e pushtetit dhe autoritetit si shërbim i përket natyrës shoqnore të Kishës dhe këtë qëndrim stoik me të cilin ajo ka edukue grigjën e  popullin e vet, e ka pague shtrejtë e me kalvar të rinovuem në formën e hapun dhe të sofistikueme, sikur ndodh në ditët e sotme. Shteti modern ekzalton dhe përpiqet me injektue diktaturën e rrjeshme të vullnetit sovran, të sensit të përgjegjsisë abstrakte dhe ky asht motivi që modeli i tij dhe shkollës që ka prodhue ka falimentue, tue lanë rrënoja kudo ku ai ka veprue.

 

Kisha Katolike si Mater e Magistra, na kujton se hallkat dialektike të ndërmjetme ne raport me natyrën e vërtet të shtëtit shërbyes, si familja, agregimet me bazë kulturën e gjuhën lokale, sensi i përkatësisë të nji komunitetit të caktuem, lira e pancensurueshme e besimit, liria e edukimit, kultura e jetës, tue respektue fillimin e mbarimin e saj natyror, janë të drejtat e vërteta të njirit në nivel personal dhe komunitar.

 

Papa Benedikti XVI, në përsiatjet e tij të vyeme, disa prej të cilave të sintetizueme në “parimet e panegociueshme”, sapo të përmenduna në vija të përgjithme, i ka ofrue cdo njiri të arsyeshëm e vullnetmirë metodën për me mbrojtë natyrën e lirinë njerëzore prej përpunimit ideologjik e nikilist të pushteteve okulte. Modalitetet vepruese të përdoruna prej përfaqësueme të shteteve moderne globaliste mund të sintetizohen në dy qasje konverguesë, atë të ekonomisë konkurrenciale zhvatëse e pa rregulla që prodhon varfni për shumicën dhe aspekti i dytë lidhet me inkurajimin e nji rendi “erotik” shthurës, i cili ka alergji për rregullin e gjanat natyrore e servir si liri vetminë mjeranë të individit, tue e degradue atë në nji vetëvrasje faktike  ekzistenciale. Investimi kapilar i pushteteve masonike, tue i shitë këto objektiva si “progres” sa me ndërtue konsensusin “demokratik” me anë të shpërlamjes së trunit, në shumë vende avangurdiste të botën po mbështetet fuqishëm prej modelit rrafshues të shkollës shtetnore. Vendet e lindjes e sidomos Shqipnia e dijnë mirë damin e randë që ka ba “alfabetizimi” i dhunshëm i modelit unik të shkollës shtetnore, tue shkatrrue brezni të tana personash, të cilët kanë humb dimensionin e tyne njerëzor e sensin autentik të dijes, edhe pse mund të kenë përfitue ndonji dije teknike apo thjesht “shkrim e kndim”. Ndoshta, në rastin shqiptar vetëm sensi i familjes e nji organizim shoqnor pak “fisnor” ka kufizue damet e nji shkolle të tillë dhe hapja mandej “demokratike” kallxoi se bash ajo shkollë kishte pregatit e injektue të njerëzit nji model kulturor kanibalist i lshuem drejt vetëshkatërrimit.

 

Tue qëndrue në sugjestionet e shtetit modern me joshjet e tij mesianike imanente, si celebrimi medemek i të drejtave të njeriut, shteti i së drejtës, realizimi i lumturisë, laiciteti i radikalizuem në laicizëm e shimiotime të ngjashme tjetërsuese të koncepteve të zhvillueme në hullinë e reflektimit të Kishës Katolike, vërehet se sa shumë asht shtresëzhue kultura relativiste, që vetëquhet “progresiste”, edhe pse asht në fakt neopagane e nikiliste. Dami i randë asht se mbas Koncilit të Dytë të Vatikanit, kjo kulturë relativiste asht injektue me doza të forta te njerëzit e shuguruem të Kishës e shumë intelektual rreth saj, përtej faktit se ideja e shumicës mund të jetë gjenuine në sensin e kuptimit të nevojave evolutive te botës.

 

Pavarisht ekzaltimeve të Koncilit të dytë të Vatikanit deri në atë pikë sikur të ishtë momenti i rithemelimit të nji Kishe të re Katolike nga ana e rrymave medemek progresiste të teologjisë katolike në salsë hertike prostestante, duhet pranue se qëllimet e mira të shumicës të etnëve koncialiar për azhornimin e fiziologjikë të strukturave të Kishës, në shumë raste u instrumentalizuen prej nji minorance agresive teologësh me primje prostestante, tue sulmue kolonën e doktrinës së shejtë katolike dhe frytet e atij procesi sofist shembjet prej mbrenda Kishës po evidentohen qartë në ditët tona.

 

Sulmi i pareshtun kundër doktrinës e ligjit të Zotit jo vetëm prej jashtë por bash prej disa qarqeve me peshë mbrenda Kishës, tue spostue theksin vetëm te mëshira e pambarueme e tij e cila simbas adeptave të kësaj rryme teologjike nuk ka nevojë për pendim, riparim e konvertim, ka krijue nji situatë paradoksale me iluzionë e konfuzion të randë për besimtarët, sepse mendohet, nuk e dij a në keqbesim apo mirëbesim, se tue “depenalizue” mëkatin arrihet gati automatikisht shëlbimi pa pasë nevojë aspak me u marrë me pëshën e randë që ai (mëkati) përfton mbi mëkatnorin e shkretë…

 

Krishti në Unjill pohon se nuk ka ardhë të abrogojë ligjin e vjetër por t’i japë vlerë e plotësi nan dritën e nji interpretimit të ri, të bazuem në kriterin eskluziv të dashnisë për Zotin e të afërmin. Rruga për me shkue te Krishti kalon nëpërmjet derës të ngushtë e përqafimit të kryqit shëlbues. Fjala e Zotit asht kërkuese ndaj nesh e nuk ka nevojë të “hollohet” me pretekste “mëshirimit” prej klerit “modern” për ta jetue “formalisht” atë, sepse Krishti na ka sigurue mbështetjen e hirit të Shpirtit të Shejtë e garantue ndigjimin e lutjeve tona:“Lypni dhe do t’ju jepet; kërkoni dhe do të gjeni; trokitni dhe do t’ju çelet”. (Mt, 7:7).

 

Kshtu, teologjia, ose shkenca e Zotit, detyra e së cilës asht pikërisht me justifikue me kategori filozofike fenë e Krishtit në konditat evolutive profane të botës, nëse udhëhiqet prej premisave apo qasjeve “me skonto tregtare”, rrezikon me degradue në psikologjizëm banal; madje vetë  funksioni i saj pëson nji metamofozë të rrezikshme për ruejtjen e zhvillimn e fesë mbasi reduktohet e madje ezaurohet në ndigjimin “psikologjik” të njirit dhe zbutjes së komplekseve të mundshme të fajit apo mëkatit të tij eventual e potencial, tue shmang kështu përballjen me të vërtetën liruese. Para se me “dialogue”, fjalë fort e inflacionueme në kohët aktuale, duhet të rikuperojmë ndigjimin e Zotit, ashtu sikur na kërkon në mënyrë të përsëritun Beslidhja e Vjetër: “Ndigjo, Izrael, Zoti, Hyji jonë, asht nji i vetëm. Ti do ta duesh, pra, Zotin, Hyjin tand, me gjithë zemër, me gjithë shpirt dhe me tanë forcën tande. Dhe këto fjalë që sot po të urdhnoj do të mbeten në zemrën tande; do t’ua ngulitësh bijve të tu, do të flasësh për to kur rri ulë në shpinë tande, kur ecën rrugës, kur ke ra në shtrat dhe kur çohesh”. (LP 6,4-7).

 

Perhapja ne nivele gati epidemike, te pakten ne terma perceptimi i fenomenit te abuzimit te klerikeve, nuk mund te jete kurrësesi vetëm rezultat i dobesise fiziologjike te njirit por edhe te nji kolpasi spektakolar të besimit në Zotë i cili manifestohet si refuzim ideologjik i doktrines se fese katolike prej atyne që janë formalisht katolik e klerik, tue i hjekë asaj (doktrinës) mundësin decisive për me kenë busull orientuese drejt takimit me Hyjin e vertet, pra, Krishtin Zot

 

 

 

  1. Disa vëzhgime sintetike mbi situatën e Kishës e bashkësisë katolike shqiptare të post-monizmit

 

Shumë asht shkrue e folë për familjaritetin e ngushtë që ka përjetue historia e Kishës Katolike shqiptare dhe bashkësisë të besimtarëve të saj me kalvarin e mundimeve të Krishtit por ndoshta pak asht meditue mbi arsyet, dinamikat e natyrën “sui generis” të pëftimit të tij në trojet shqiptare. Në situatën aktuale të post martirizimit të përgjakshëm, po lshojnë shtat grackat e reja të riprezantimit të Kalvarit ndaj Kishës Katolike shqiptare, tue u kamuflue me “lifting gjuhësor” e justifikime shabllonë, që ushqehen edhe prej “martesës perverse” mes instancave të relativizmit europian, i mëlmyem me jakobinizëm revolucionar francez, dhe otomanzimt të kolauduem lokal shqiptar. Ky fenomen i ri që po i imponohet herë dhunshëm e herë me joshje “shqiptarie” ka nevojë për nji qasje të re studimore serioze, mbi të gjitha larg klisheve e putpurive llafologjike zhurmuese të mendësisë neotomane.

 

Papa Gjon Pali II në vizitën e tij mbrelanëse apostolike të 23 prillit 1993 në Katedralen e Shkodrës na porositi shumë në fjalimet e tij për mos me harrue historinë tonë të vuejtjeve të cilat nëpërmjet nji perpunimi të domosdoshëm e nji vetëdije të re prodhojnë paqe, falje dhe na ndihmojnë me i parandalue travaje analoge në të ardhmen. Me të drejtë Papa insistoi tue thanë se historia e martirizimit të Kishës Katolike shqiptar duhet t’i interesojë Europës e botës sepse niveli i persekutimit e genocidit ndaj bashkësisë e klerit katolik nuk kishte pasë ngjashmëni kërkund me vende të tjera. Papa polak që njihje me rrajë natyrën e regjimit komunist, gjenezën e zhvillimn e filozofisë të tij materialiste e degëve të tjera gjenealogjike të afrimueme në Europën e post-iluminizmit, “elitën” delirante që kishte marrë përsipër me aktualizue këtë model filozofik, përballë rastit shqiptar u shtang prej natyrës të vecantë të persekutimit të Kishës Katolike. Në fakt fjalët e tij penetruese e ndricuese janë diktue e frymëzue prej “nuhatjes” të nji Shejti të vërtetë dhe katalizue prej aftësisë me abstrague mbi humusin e përziem të tokës shqiptare për shkak të sundimit të gjatë të Perandorisë Osmane, kundërshtare e paepun e qytetetnimit të kshtenë europian.

 

Megjithatë, edhe fjalimet e forta të Papës Gjon Pali II nuk i kanë “shkund” sa duhet studiuesit e vjetër e të ri shqiptar e aq ma tepër vetë katolikët që i kanë vuejt pasojat, përfshi edhe njerëzit e klerit me kuptue apo me meditue vërtet mbi shumë “Pse” që skanë marrë përgjigje prej natyrës unike të kalvarit shqiptar. Ky shkrim, në vazhdën e artikulimeve të hershme, edhe pse të izolueme, mëton me shkue në zanafillë të ktyne “pse” ve e me riafirmue disa të vërteta elementare të cilat pluhni i harresës u ka dhanë nuance “enigmatike”. Në radhë të parë duhet thanë që persekutimin i Kishës e Bashkësisë katolike Shqiptare, i realizuem mbas formimit të shtetit shqiptar në vitin 1912, asht përftue edhe prej nji farë naivitetit romantik, të mbrujtun me shqiptari, pavarisht mirësisë të qëllimeve të nalta, prej prijsëve katolike në paktet e tyne të diskutueshme me mbetjet e riciklueme otomane qysh në vitin 1912. I mëshoj idesë të naivitetit në lidhje me prijësit katolik, për faktin se ata nuk e kanë konsiderue sa duhet psikologjinë e dyfishtë të mendësisë otomane që sofistikohet edhe ma shumë në konditat e nji dobsie kontraktuale politike e gjeopolitike. Tentativat me gjetë sinteza të epërme në iluzionin e sheshimit të ndarjeve objektive të cilat përktheheshin edhe në sistemin e vlerave dhe vizioneve për zhvillimin e vendit, të trashëgueme prej 500vjet sundim të Perandorisë Osmane, kanë prodhue nji narrativë kombtariste që në thelb asht ripërtrimje tashma as e kamuflueme e gjenocidit kulturor ottoman ndaj kulturës autentike shqiptare. kamardares të rrejshme të shqiptarisë.

 

Komploti i heshtjes ndaj të vërtetave të mëdha e Kulti i shtjerpsisë që ka objekt ekzaltimin e shqiptarisë e të pseudo-harmonisë asht manifestimi ma flagrant i amnezisë relativiste dhe nji problem real e shume i damshem per nji paqe e harmoni mes vetë qytetarëve shqiptar e sidomos ujdisë të saj politike. Mjafton t’i hedhim nji sy situatës politike e shoqnore për me kuptue sa pervaziv asht otomanizmi në mendësi e veprim e sa hipokrizi kanë në autoerotizmin e tyne retorik e llafologjik mbi shqiptarinë e integrimin në Europë edhe pse e dijnë mirë se nuk e kanë minimumin e konstitucionit shpirtnor për me pasë nji ambicje të tillë.

 

Kondita e e re apo sindroma e “jetimit” e otomanëve shqiptar mbas transformimit të pranisë të Perandorisë Otomane në vitn 1912 dhe zhvillimi i nji kompleksi edipik të kërkimit të babës, i filluem prej “otomanit” të shquem Haxhi Qamili në mënyrë ciklike dhe gati bilogjike, si kushtrim i mbrendshëm, jo rrallë herë shpërthen, sikur të ishte mine me sahat, madje edhe tek ato persona që kanë vendosë për arsyet e veta me braktisë burokratikisht fenë islame e me e lidhë “sensin e lindun religjoz të njirit te besimi katolik.

 

Narrativa artificiale e shqiptarisë. si sinteza ma e naltë në rrugëtimin e gjetjes të nji emnuesi të përbashkët mes shqiptarëve të besimeve të ndryeshme, apo ajo e dialogut ndërfetar në Shqipni, nuk ia kanë dalë me sheshue gjeografinë evidente të dasive faktive mes qytetarëve shqiptarë. Për hirë të vërtetës duhet pranue se edhe krenat e Kishës Katolike Shqiptare në raport me sfidat komplkese të realitetit shqiptar, pavarsisht mirëkuptimit për barrën e randë të metabolizimit të plagëvë të trashëgueme prej Kishës Katolike gjatë regjimit gjakatar komunist, shpesh herë kanë veprue pa nji diagnozë realiste të situatës, tue cedue në retorika sinkretiste me shije të thartë relativiste për grigjën e tyne. Përtej qëllimeve të mira që mund të kenë takimet e herëpashershme të krenave të institucioneve të ndryeshme fetare, të mbeshtetuna mediatikisht e me delirin e propognadës që të eksportohen madje edhe “gjeopolitikisht” si rast unik harmonie rasti shqiptar, në fakt më konfirmon bollshëm në bindjen teme se bahet fjalë për nji “dogmë” alla shqiptare, e ushqyeme prej penetrimit të relativizmit nihilist ekzogjen e atij europian pervers.

 

Natyra e identiteti i Kishës Katolike nuk asht ai i nji agjencie noteriale që ratifikon gjendjen ekzisuese por asht gjithmnë tharmuese e nji transformimi shëlbues në të gjitha aspektet dhe vepron në fushën politike kryesisht me anë të sinergjisë e promovimit të elementëve ma të spikatun të grigjës së saj e kurrësesi me protagonizëm dekorues të disa krenave të vetë.

 

Rreziku ma i madh potencial që mund t’i kanoset Kishës Katolike lokale shqiptare, falë të cilës deri tash ka mbijetue rodi i shqiptarit, në kushtet e sodit jo fort të volitshme për shkak të penetrimit të relativizmit të skajshëm europian edhe npërmjet disa misionarëve të Kishës, asht molepsja e saj me klerikalizëm dhe margjinalizimi i i afirmimit të klerikëve shqiptar të vlefshëm kulturalisht e shpirtnisht ne drejtimin e saj. Martesa e klerikalizmit që ka qëllim statuskuonë e pushtetit me mendesinë mazhoritare otomane nuk unjillizon por thjesht legjitimon otomanizmin tonë struktural, mandje tue dhanë edhe patenta të skadueme kulturale…

SHKARKO APP