”Kam ngacmime të çuditshme”, Bejtja: Jam njeri i penës jo i televizorit
Gazetari Andi Bejtja i rikthehet poezive pas shumë viteve mungesë. Në prag të 50 vjetorit të ditëlindjes së tij, gazetari ka vendosur të sjellë një libër me poezi të zgjedhura nga vëllimet e tij të dy dekadave më parë. Libri quhet “AtdheDashuri” dhe ka 50 poezi të cilat edhe sot e kësaj ditë janë shumë aktuale. Në programin “Rudina” , ai ka rrëfyer më shumë për këto poezi të veçanta, disa prej të cilave janë të përfshira në tekstet e disa prej këngëve më të njohura shqiptare. ”Nuk janë thjesht më të mirat por jam mundur të bëj një renditje dhe të përzgjedh ato poezi që thonë sa më shumë. Aty kam shpalosur filozofinë time për jetën, për dashurinë dhe shumë fenomene të tjera që do i gjeni në libër”. Bejtja tregon edhe ku e gjen frymëzimin e tij për të shkruar poezi.
“Po ta dija çfarë më ngacmon nuk do shkruaja, më mirë që nuk e di. Ato kohë kur kam shkruar kanë qenë ngacmime të çuditshme, shumicën e rasteve. Shumica e njerëzve kur u kujton fjalën poezi kujtojnë se duhet të kesh një ngacmim romantik. Por unë nuk jam shumë romantik dhe nuk kam ngacmime romantike, por kam ngacmime të çuditshme dhe shpeshherë kam ngacmime vizive”.
”Ka shumë njerëz që duan të thonë diçka dhe e thonë në mënyra të ndryshme. Unë gjërat më të mira i kam thënë në letër dhe jo në televizor, të jem i sinqertë. Jam më shumë njeri i penës sesa i televizorit dhe i ekranit”. Bejtja u diplomua në Universitetin e Tiranës në degën Gjuhë Shqipe, Letërsi. Pa mbaruar universitetin filloi karrierën e tij në gazetari si reporter politik e drejtues i disa gazetave të kohës, për të vazhduar më pas edhe në televizion. Karriera e tij shënon kulm në pranverën e vitit 2007, kur ai arriti të intervistojë në Shtëpinë e Bardhë ish-presidentin e Amerikës, Xhorxh Bush.