Kamy një ”ndërtues i fatit njerëzor” dhe pasiviteti i verbër i intelektualëve shqiptarë…
Nga Robert Dino Martika
Ka disa muaj që ka dalë në qarkullim një libër me vlera të padiskutueshme, që do të mund të shërbente si një pikënisje ndryshimesh për një shoqëri në nevojë. Është fjala për veprën ”Njeriu i Revoltuar”, e shkrimtarit francez Albert Kamy, përkthyer nga profesor Ilia Lengu: një individ që dallon për saktësinë dhe racionalizmin në mendim, diçka që e gjen rrallë në ditët e sotshme.
Për herë të parë në botë, një filozof si Sokrati hoqi vëmendjen nga Natyra dhe Perënditë e kohës, për ta drejtuar te Njeriu. Ky ishte Ndërtuesi i Parë i Fatit Njerëzor mbi tokë. Pas tij vijoi Platoni e më pas Aristoteli. Perandoria e Bizantit, e cila ishte e para që përqafoi Krishterimin, nuk tregoi kurrfarë interesi për Logjikën që sillte për njerëzimin kjo treshe, si Ndërtues të Fatit Njerëzor. Prandaj edhe e pagoi shtrenjtë nëpërmjet njerëzve që krijoi, me kulturën e cunguar që prej shekujsh prodhon, diçka që shkëlqeu në gjithë madhështinë e saj vëllavrasëse në Revolucionin e Tetorit dhe në vijim: gjashtëdhjetë milionë të vrarë nga lufta e brendshme civile.
Krejt ndryshe, Perëndimi nuk bëri gabimin e Bizantit. Kisha Katolike, me mundim, dhe përherë me doza konservatorizmi, lejoi Logjikën të vendosej përbri Dogmës Fetare. E kundërta do të ishte, t’i priste kokën të parit filozof. I dyti nuk do të guxonte. Pikërisht ky ”lëshim” bëri të mundur lindjen e një universi të tërë yjesh të jashtëzakonshëm si Mikelanxhelo, Da Vinçi, Bah, Moxart, Betoven, Rembrant, Shekspir, Gëte, dhe mijëra të tjerë.
Toleranca bëri të mundur kalimin nga Mesjeta, në Rilindjen Evropiane, duke u bërë shkak të hidhte farën e parë të ndryshimit te Njeriu. Kjo është gjëja më kryesore që dua të trajtoj. Mbasi, ndryshimi i mentaliteteve te njeriu është thelbi, në mënyrë që vendet e prapambetura të shkëputen nga balta shekullore. Tjetër del një fëmijë i trajtuar me butësi dhe tjetër bëhet fëmija i përvëluar nga grushtet dhe pëllëmbët qysh në djep. Sigurisht, do të duhej të kalonin shekuj edhe për Evropën, deri sa të arrihej në vendet-model të ditëve të sotshme.
Dallojnë veçanërisht ato të Evropës Veriore, ku edukata ka arritur kulmin. Jo më kot Vendet e Civilizimit Perëndimor janë ëndërr e vërtetë për miliona emigrantë nga gjithë bota, që braktisin vendet e tyre, për shkak të vëllavrasjes shekullore. E njëjta gjë ndodhi dhe ndodh edhe në Shqipëri. Përçarja shoqërore është një fenomen tejet negativ, diçka që mjeshtërisht dinë të shfrytëzojnë, të nxisin e mbajnë përherë në sipërfaqe politikanët, thjesht për përfitim personal.
Në vijim të Historisë së Filozofisë Botërore, pas Platonit e Aristotelit, Ndërtues të Fatit Njerëzor u bënë murgët-filozofë: Augustini i Iponës, Tomas Akuinasi, Alberti i Madh, Pier Abelard etj. Mund të bëhet pyetja se, përse nga të gjitha shoqëritë aktuale mbi Tokë, vetëm në Evropë ndodhi mrekullia. E vërteta është se murgët-filozofë influencuan mbi Vatikanin. Në këtë mënyrë iu vu fre Krishtërimit vrastar të fanatikëve, Inkuizicionit Kishtar me ekzekutime heretikësh, magjistarësh e magjistaresh, turrave me dru, ku u dogj i gjallë Xhordano Bruno.
Përbri verbërisë kishtare u vu Logjika sipas këtij arsyetimi çudibërës: ”Ekzistenca e Zotit nuk mund të provohet, përderisa askush nuk e ka parë. Logjika nuk duhet të pushojë interpretimin e Hyjnores. Pjesën e Misterit që Logjika nuk zbulon dot, duhet ta mbushë Besimi.” Ky ishte hapi i parë në mënyrë që Filozofia dhe Shkenca, të fillonin të largoheshin gjithnjë e më shumë nga Teologjia. Kjo ndihmoi që jeta fetare të kishte më shumë lidhje me Arsyen. U përhap gjithnjë e më shumë mendimi se Zotit nuk mund ti afrohesh me ndjenja të verbra fanatikësh, por kryesisht me një Logjikë të aftë për të mbajtur në kontroll ndjenjat dhe instinktet vëllavrasëse të Xhunglës.
Në mënyrë anakronike dhe të qëllimtë, shkollat marksiste lanë në gjendje të pazhvilluar mendjet e intelektualëve në gjithë Lindjen e Kuqe. E vërteta është se Rilindja Evropiane bëri që Jeta Fetare dhe Shkenca të hynin më lirshëm në kontakt me njëra -tjetrën. Pushuan të ishin në armiqësi me njëra-tjetrën. Mbi këtë bazë ndryshimesh, të bazuara në Logjikë, u zhvillua Humanizmi Evropian. U krijua mendimi se njerëzit nuk rronin vetëm për hir të Zotit, por se Zoti i kishte krijuar edhe për të jetuar jetën e tyre. KJO ISHTE FITORJA E VËRTETË, që do të thotë se Zoti, pavarësisht nëse ekziston apo jo, nuk e ka parë askush, por si forcë kaq e fuqishme në mentalitetin njerëzor, nuk është Babagjyshi i fshehur në fund të Universit.
Është një Zot të cilin Evropiani e zbriti nga Qielli në Tokë në radhë të parë për të dashur njeriu njeriun. Jo për ta vrarë e zhdukur nga faqja e dheut, siç ndodh në të gjitha vendet e prapambetura të botës, përfshirë Shqipërinë. Prandaj Ekonomia e Vendeve të Civilizimit Perëndimor udhëheq në Botë. Sepse, pas Ekonomisë së zhvilluar ose jo, fshihet gjithmonë Kultura e Shoqërisë përkatëse. Hyjnorja njerëzore bëri Ainshtainin të shprehej aq bukur në letrën e tij të famshme, duke pasur parasysh Zotin e filozofit holandez Spinoza, të shekullit të XVII. Vetëm tani do të jemi në gjendje të analizojmë Albert Kamynë dhe librin ”Njeriu i Revoltuar”. Ndihma që sjell profesor Ilia Lëngu si përkthyes i zgjedhur është një ndihmë e jashtëzakonshme për intelektualët shqiptarë me mendje të hapur.
Vepra mëson se i ashtuquajturi Revolucion Proletar është një rrugë pa krye. Pashmangshmërisht të çon në qorrsokak. Eseja është një kritikë e pamëshirshme për revolucionin dhe revolucionarët. Çdo paragraf dhe fjali është një kritikë e fortë kundër etikës vëllavrasëse revolucionare. I vendos njerëzimit problemin se për të shpëtuar nga padrejtësia e pushteteve duhet të bëjnë sytë katër, për të mos rënë nga shiu në breshër.
Konkluzionet e mësipërme patën vlerë të jashtëzakonshme, jo vetëm për Francën. Dihet se në kohën e Luftës së Ftohtë një pjesë e intelektualëve perëndimorë, duke mos njohur krimet e komunizmit, bënë një propagandë të verbër për të. Çuditërisht, në kufijtë e absurditetit, e njëjta gjë ndodh sot edhe me një pjesë të të ashtuquajturve Intelektualë të Lartë Shqiptarë, në trajtë të fshehur. Fakti që deri më sot ose e kanë lenë në heshtje, ose e konsiderojnë ”Njeriun e Revoltuar” si diçka që vetëm ”iu shijon”, tregon cektësi. Intelektual do të thotë ti japësh dritë shoqërisë. Jo të lavdërosh çfarëdo lloj majmunësh të mësuar idiotë që dalin përpara. Të tillë, me prejardhje nga Homo Sovieticus, ka shumë. Bëhet fjalë për një mangësi klasike të pashërueshme. Intelekti në radhë të parë. Për të vërtetuar se Libri i Kamysë pati jehonë dhe mirëkuptim në jetën evropiane, mjafton të përmendim të famshmin Maj Francez në vitin 1968.
Ishte një lëvizje e madhe kryesisht studentore që paralizoi Francën. Ka kaluar gjysmë shekulli nga viti 1968 dhe Maji Francez nuk u përsërit më. Çdo vit festohet funerali i tij. Jo sepse francezët humbën ndjenjën e revoltës! Revolta nuk duhet të humbasë kurrë. Por sepse një ”Ndërtues i fatit Njerëzor” si Albert Kamyja iu tregoi intelektualëve inteligjentë francezë, jo hordhive të egra ballkanase, se Revolta duhet të bërë në mënyrë të tillë që të marrë parasysh Njeriun. Kemi rastin të zbulojmë në këtë pikë atë qelizën elementare të Shoqërisë Perëndimore: INDIVIDIN. Jo Individin e çmendur egoist, kriminel dhe hakmarrës, por Individin Njerëzor, të Përgjegjshëm, produkt të Rilindjes Evropiane: ku Dogmës Fetare i vuri fre Logjika.
Vallë çfarë ndodhi në pjesën tjetër të Botës, atje ku nuk ndodhi fenomeni antropologjik i mësipërm, ku shoqëria edhe sot e kësaj dite vijon e patrazuar rrugën e saj në kope, si në Ballkan apo gjetkë, me të ashtuquajturit ”Intelektualë të Lartë në Krye”! Le të marrim shembull Rusinë: gjashtëdhjetë milionë të vrarë nga lufta shtatëdhjetedy vjeçare, civile, vëllavrasëse, në saje të Luftës së Klasave. Në gjithë botën u asgjësuan rreth njëqind milionë njerëz. Tre vërejtje të rëndësishme… Si shpjegohet që Marksizmi fitoi në një vend me fshatarësi të prapambetur, pa klasë punëtore! Përse vajti dëm gjithë ai studim i famshëm marksist: klasa punëtore varrmihëse e borgjezisë! Përse marksizmi nuk gjeti zbatim në Evropë! Marksi shpresonte se komunizmi do të triumfonte në Shtetet e Bashkuara, Lenini shpresonte në Suedi, Gjermani, Francë, Itali. E vërteta është se shumica e këtyre vendeve, e bazuar në Individualizmin Njerëzor të Logjikës dhe jo në kopenë e instinkteve vëllavrasëse, kishte në DNA gjenin e hedhur në gjakun evropian menjëherë pas Mesjetës së egër, në agimin e Rilindjes Evropiane. Parë në këtë prizëm Albert Kamy, e përsëris, është një Ndërtues Fati Njerëzor. Si bir i tolerancës së Kulturës Evropiane, mëson se rebelimi nuk presupozon prishjen e një sistemi për të ngritur një tjetër sistem kriminel. Nobelisti bën thirrje për të menduar thellë, me ndjenjën e përgjegjësisë për pasojat.
Asnjë herë tjetër në historinë e njerëzimit, qenia njerëzore nuk u ndie më pranë shpërbërjes dhe kalbëzimit se sa në komunizëm, me dhunën skajore të bëhej matësi i saj tragjik. Nuk e di nëse u kuptua frazeologjia e fundit. Në Shqipëri tre milionë shqiptarë duartrokisnin të trembur deri në palcë Diktaturën. Kur bëj fjalë ”për matës tragjik” vallë u ka shkuar ndër mend të ashtuquajturve ”Intelektualëve të Lartë Shqiptarë”, se kush u mat dhe doli fitimtar mbi dhunën!
Sigurisht, jo ca të trembur deri në palcë si ata. Më i madhi i tyre, në kulmin e frikës histerike, i drejtohej Enver Hoxhës të ngrinte gijotinën në mes të Tiranës, në mënyrë që vëllai të vriste vëllanë. Një tjetër, gjoja poet i madh, shkruan me vargje se, për të shpëtuar kokën në rrezik, është gati të heqë pantallonat… Dhe gjejnë përkrahës intelektualët përkatës! Mos vallë kemi të bëjmë me çmenduri kolektive në nivel të lartë! Si mund të edukohet brezi i ri me të tilla Paçavure Morale! Kështu do të edukojmë fëmijët tanë? Të admirosh artin pa i dhënë kuptim jetës për mua është një cilësi njerëzish dritëshkurtër .
Në anën tjetër qëndrojnë Mbinjerëzit, sipas kuptimit të Frederik Niçes: fisnikët e vërtetë gjatë gjysmë shekulli në Shqipëri. Nuk janë heronjtë e çastit, që kur mbijetojnë kthehen në skllevër keqbërës. Mbinjerëzit janë burrat e vërtetë, xhentëlmenë të ndërgjegjes, pavarësisht se vetëm një pakicë intelektualësh, të bazuar në Kulturën Klasike i vlerësojnë në nivelin e merituar. Bëhet fjalë për kalibra të rëndë të Ndërgjegjes Njerëzore, humanistë të tipit Pjetër Meshkalla, Simon Jubani, im atë: Dino Martiko, Dilaver Premti, etj. U treguan të gatshëm për sakrifikuar edhe familjet e tyre për të mos tradhtuar, jo vetëm mikun dhe të njohurin, por edhe të panjohurin. Si mund të lihet pa përmendur një tjetër personalitet i fuqishëm, poetin e madh Lasgush Poradeci, muza lirike e të cilit pushoi porsa në Shqipëri u fut komunizmi. Interesante është se shumë shkruajnë për të, pa u emocionuar për dimensionin njerëzor. Iu bën vërejtje, ua përsërit dhe nuk hanë pyka. Me këtë lloj lëkure të trashë, pandjeshmërie moralo-intelektuale, asgjë nuk i ndryshon gjërat në Shqipëri. Lasgush Poradeci vlen për të parë veten në pasqyrë. Prandaj theksoj Njeriun e Revoltuar, duke nënvizuar se pa Individë të Përgjegjshëm Njerëzorë shoqëritë nuk bëjnë asnjë hap të vetëm përpara. Kamy thekson se revolucionari përfundon në zëvendësimin e Zotit me një tjetër Hyjni, që bëhet varri i tij. Një metafizikë zëvendësohet nga tjetra. Veç se e dyta është tmerrësisht fatale. Në kushte skajore, si ajo që kaloi edhe Shqipëria, humbet jo vetëm Revolta, por edhe Ideja e saj. Në të gjitha vendet e botës, ku ndodhi ky fenomen, shoqëria u kthye qindra shekuj pas. Mendjet mediokre që nuk arrijnë të kapin dot këtë fakt të pakundërshtueshëm historik, ose janë fanatikë të pakorrigjuar, ose janë tipa për të ardhur keq. Qesharakë së bashku me
titujt e mëdhenj: ”profesorë”, ”doktorë”, ”mjeshtër të mëdhenj”, ca zero të bukura me xhufkë.
”Njeriu i Revoltuar” është një kryevepër për individin e lirë që do me të vërtetë lirinë, që ndien turp kur dinjitetin e tij ia dhuron verbërisht partisë apo grupit të kafenesë. Albert Kamy revoltohet dhe vendos të shkruajë esenë më bindëse kundër diktaturave. Thekson se duhet dalluar revolucioni nga revolta. E para të fut në qorrsokak. E dyta është një veprim i përhershëm.
Përveç Kamysë filozof, madhështia e tij qëndron edhe si NJERI. Nuk pyet për grupin majtist francez, ku shpirtërisht bën pjesë. Nuk ligështohet për mikun, filozofin francez, fanatikun e majtë deri në absurditet, Zhan-Pol Sartrin, i cili kur mësoi daljen në dritë të Librit bëri deklaratë ostrakizmi.
Prej personalitetesh si Albert Kamy, intelektualit shqiptar i bie për detyrë të ndryshojë edhe karakterin. Të jetë ballëlart dhe jo zvarranik në jetë. Të gjendet gjithmonë përballë pushteteve. Boll me karakteret e ndyra të Diktaturës. As mish as peshk. Akoma më shumë do të mund të mësonte prej Mbinjerëzve Shqiptarë, të cilët me burrëri e ndershmëri u ngritën kundër kopesë edhe në ditë të vështira. Jo në një vend me Rilindje Evropiane si Franca, por në zemrën e Xhunglës Ballkanase, nga më të egrat në botë. Ishte diçka që kërkonte zemër dhe guxim të jashtëzakonshëm nga ana e tyre. Rezervohem të shprehem se sa mund të prekin fjalët e mia. Veç di se të veçantët nuk mungojnë kurrë. Mund të them se jam mjaft i entuziazmuar nga profesor Ilia Lengu dhe përkthimi i tij i mrekullueshëm. Mes këtyre rreshtash përcjell falënderim e mirënjohje të thellë për ”Njeriun e Revoltuar”, për Albert Kamynë, si shkrimtar dhe karakter, këtë Ndërtues Modern të Fatit Njerëzor…