Karnavale në prag pranvere, festë në Gjirokastër dhe Shkodër
Në Gjirokastër dhe në Shkodër, kanë nisur festimet e karnavaleve. Tradita në Gjirokastër që u ndërpre gjatë diktaturës rikthehet në qytet pas gati 60 vjetësh. Rreth 700 fëmijë janë pjesë e paradës me maska dhe qindra qytetarë e vizitorë po i bashkohen festës që do të zgjasë dy ditë për të shijuar ushqimin, pijet, zbavitjet, muzikën dhe argëtimin që do përmbyllet me djegien simbolike të një dordoleci prej kashte në qendër të qytetit.
Në pikëpamjen fetare karnavalet janë ditët e fundit para fillimit të kreshmës të Pashkëve. Kjo dukuri me kalimin e viteve mori karakter laik dhe u shndërrua në një festë popullore, ku për një ditë të vetme njerëzit veshin një maskë dhe realizojnë një përmbysje të përkohshme e statusit dhe hierarkive sociale. Gjirokastra vendosi t’i përfshijë karnavalet në kalendarin zyrtar të festave me shpresën e rikthimit te tradita e përvitshme shumëvjeçare.
Karnavalet në Shkodër zgjasin tre ditë, në një traditë të nisur 159 vite më parë dhe që vijon deri në ditët e sotme. Momenti kulminant do të jetë djegia e dordolecit, që simbolizon largimin e të këqijave dhe fenomeneve negative.