Katedralja Orthodhokse, margaritar në zemër të Tiranës
Nga At Grigor Pelushi, Esido Barkaj –
Nga viti 2012, kryeqytetit tonë, Tiranës, iu shtua një tjetër pasuri arkitekturore, një kryevepër dhe një fidanishte shpirtërore për besimtarët. Katedralja Orthodhokse, që u ndërtua në afërsi të qendrës së Tiranës, si kompensim i shembjes së Katedrales së vjetër nga sistemi i egër komunist, është kthyer në një atraksion për turistët vendas dhe të huaj. Çdo muaj të vitit, veçanërisht gjatë sezonit veror, Katedralja Orthodhokse ‘Ngjallja e Krishtit’ në Tiranë, thith një numër të madh turistësh. Ajo vizitohet nga qindra mijëra vizitore gjatë vitit. Bashkia e Tiranës, e ka përfshirë në listën që u prezanton turistëve të saj kur vizitojnë Tiranën. Kjo Katedrale, jo vetëm nga besimtarët e krishterë, por edhe nga komunitetet e tjera fetare, është kthyer në një pikë referimi sa i takon turizmit në kryeqytet.
Ishte kryepiskopi Anastas, që në finalizimin e veprës së tij për ringjalljen e Kishës Orthodhokse, ngriti nga fillimi këtë Katedrale për të treguar se orthodhoksia në Shqipëri, është e njëjtë me Kishat simotra të saj kudo në botë. Kjo Katedrale, ishte si qershia mbi tortë të veprës dhe punës së Kryepiskopit Anastas gjatë një çerek shekulli në Shqipëri. Sot, kjo pasuri, nuk është vetëm e komunitetit orthodhoks, por e gjithë Shqipërisë.
Çfarë përfshin Katedralja Orthodhokse ‘Ngjallja e Krishtit’
Konceptimi i përgjithshëm i arkitekturës së saj gërshetohet me shumë simbolika të traditës Orthodhokse. Burim frymëzimi, ka qenë arritja madhështore e arkitekturës orthodhokse, “Shën Sofia”, duke kërkuar mënyrë të re shprehjeje, të bazuar në teknologjinë bashkëkohore. Kisha mbështet në 4 shtylla të mëdha, që formojnë kryqin. Sipër tij lartësohet kubeja me 52 dritare, simbol i javëve të vitit dhe në majën e saj mbizotëron mozaiku i Pantokreatorit, i të Gjithëpushtetshmit, që lidh kohën e krijuar me përjetësinë. Ky mozaik, është më i madhi në Ballkan. Në absidën e Hierores, një tjetër mozaik i madh lidhet me triumfin mbarëbotërorë të të ngjallurit me porosinë dhe premtimin me të cilin mbyllet Ungjilli sipas Mattheut: ‘ M’u dha çdo pushtet në qiell dhe mbi dhe. Shkoni pra mësoni të gjithë kombet… dhe ja, unë jam bashkë me ju gjithë ditën deri në fund të jetës” (Matth. 28: 19-20).
Hyrja qendrore në pjesën perendimore të Katedrales, të sjell në mendje përqafimin e hapur, që në heshtje u drejton ftesën e Zotërisë së shtëpisë, të Krishtit ‘ejani tek unë gjithë sa jeni të lodhur e të ngarkuar dhe unë do t’ju prej ju’ (Matth, 11:28). Një tablo e ndritshme e kaltër prej qelqi, të çon tek ylberi, shenja e paqes dhe e shpresës pas përmbytjes. Sipër hyrjes qendrore, lartësohet një kryq prej bakri, i rrethuar me kallinj, simbol i dashurisë sakrifikuese dhe i përkushtimit, siç e përcaktoi Krishti para pësimit të Tij: ‘Në mos rëntë kokrra e grurit në dhè e të vdesë, ajo mbetet e vetme; por në vdektë, sjell shumë pemë’ (Jn. 12:24). Ky varg është përcaktuar për të gjithë rrugëtimin. Sa i takon kambanores, katër llambada paskale të çojnë te katër Ungjillorët, të cilët shpallin Ngjalljen e Krishtit. Kishëza e Lindjes së Krishtit, rikujton se të gjitha nisën nga përulësia dhe dashuria e Fjalës së bërë njeri. Katëdralja rrethohet nga Qendra Sinodike dhe ajo Kulturore, duke nënvizuar bindjen tonë se kultura lidhet direkt me jetën e Kishës.
Të gjitha theksojnë se në traditën orthodhokse e vërteta, dashuria dhe bukuria lidhen në mënyrë të ndërsjelltë. Në realizimin e ngritjes së kësaj Kishe Katedrale, kontribuuan shumë njerëz të njohur dhe anonimë: Si fillim kryeministrat e Shqipërisë që kanë shërbyer gjatë viteve të fundit. Shumë donatorë dhe bashkëpunëtorë nga vende të ndryshme, por merita dhe falenderimi për këtë vepër të madhe i mbetet Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Imzot Anastasit.